Ish-presidenti i Lushnjes, Çobani: E trishtueshme, na erdhi radha të luajmë me… Valbonën
Për herë të parë në historinë e saj, Lushnja do të luajë një ndeshje shtesë. Dhe e gjithë kjo, për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Pas barazimit me Skënderbeun, verdhejeshilët e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e 9-të.
Mbijetesën do ta diskutojnë me Valbonën, në një përballje ku nuk ka favorit. Do të zhvillohet në stadium asnjanës dhe vetëm fitorja bën punë. Këtë situatë Artur Çobani e quan të trishtueshme. Në një prononcim për gazetën, ish-presidenti tha: “Erdhi radha për të luajtur me Valbonën e Tropojës. Me ta do të diskutojmë një vend në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm. Është pak e trishtueshme, por një realitet që duhet vlerësuar maksimalisht. Në fund të fundit nuk ka favorit, pasi vetëm një ndeshje luhet.
Unë jam besimplotë që skuadra do të fitojë dhe vazhdojmë garën në këtë ligë. Gjithsesi, kjo nuk mjafton. Ne të gjithë duam që Lushnja të bëhet pjesë e Superiores dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet privatizimit të klubit. Bashkia duhet falënderuar për çka bërë dhe bën me financimin për futbollin. Por kjo nuk përbën zgjidhjen. Kjo vlen vetëm sa për të mbajtur gjallë futbollin, gjënë më të çmuar për qytetin tonë. Privatizimi ose sponsorizimi do të bëjë të mundur që tifozët e zjarrtë lushnjarë të mbushin stadiumet”.
MAGANI – Kampionati përfundoi për lushnjarët. Verdhejeshilët do të luajnë të mërkurën e ardhshme “play out”-in. Endrian Magani beson fort te shpëtimi, ndonëse e pranon që e lehtë nuk do të jetë. “Bëmë një paraqitje të mirë me Skënderbeun dhe morëm një pikë. Një barazim që na dha vendin e 9-të, por mbi të gjitha moral. Përballë kishim Skënderbeun, që u shpall kampione. Tani do të përgatitemi për ndeshjen shtesë. Është një përballje e vetme. Detyra jonë është ta fitojmë dhe qëndrojmë në Kategorinë e Parë. Vetëm kështu mund ta quajmë të arritur misionin. Shkoi si shkoi ky vit, kaq gjë duhet ta arrijmë”, deklaroi lojtari i linjës së djathtë.
ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"