Ish-presidenti Çobani: Blerësi i Lushnjës del i fituar, vlera e vogël
Lushnjarët do ta mbyllin këtë javë stërvitore duke zhvilluar një ndeshje miqësore me Bylisin që militon në Kategorinë Superiore. Takimi do të zhvillohet sot në orën 12:00, në stadiumin “Roza Haxhiu”.
Lushnjarët edhe gjatë përgatitjeve të verës zhvilluan një takim miqësor me ballshiotët. Më 10 gusht, në stadiumin e Ballshit dy ekipet janë përballur në një takim që përfundoi 1-2. Java e ardhshme rezervon dy takime për lushnjarët. Fillimisht ata do të presin Orikun për turin e parë të Kupës, ditën e mërkurë në stadiumin “Roza Haxhiu”, në orën 13:30. Më pas, të dielën do të luajnë, transfertën me Vorën, për llogari të javës së tetë të kampionatit. Sezonin e kaluar skuadra e Maganit kaloi dy ture në Kupë duke shkuar deri në 16-she, ku dhe u eliminua nga Egnatia, që më në fund fitoi edhe trofeun.
ISH-PRESIDENTI Klubi lushnjar pritet të kalojë me sipërmarrje, pas më shumë se një dekade(6 shtator 2013), ku bashkia është pronarja e vetme e klubit të futbollit me 100% të aksioneve të zotëruara. Në selinë e klubit po “troket” privatizimi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-presidenti Artur Çobani, tha se avantazhet do të jenë të mëdha. “Bashkia nxori aksionet në shitje. Ekspertët vlerësuan, që shitja e aksioneve 100% nga ana e Bashkisë të ishte në atë vlerë që doli. Kushdo që ka interes të marrë ekipin e futbollit, do të thotë se me 100% të aksioneve do të mund të paguajë këtë vlerë që është miratuar për shitje. Unë personalisht them se është një vlerë e vogël, megjithatë kështu është vlerësuar.
Nga se nisem që e them këtë? Për shkak se infrastruktura e sportit në Lushnjë, pavarësisht se asetet do të jenë në përdorim është e shkëlqyer. Kështu, që Bashkisë Lushnjë i del për detyrë të vlerësojë ofertat, në mënyrë që blerësi dhe presidenti i ri i klubit, pra pronari i ri, të jetë një shoqëri ose një individ serioz dhe me financa të garantuara. Unë shpreh bindjen se i fituar do të jetë blerësi. Pa përmendur ato që kemi thënë në lidhje, se çfarë përfitimesh afron qyteti dhe tifozëria lushnjare. Edhe një herë po e theksoj: infrastruktura e Lushnjës së bashku me dashamirësinë e popullit të këtij qyteti për futbollin, janë një garanci e madhe për këdo që do të afrohet për të investuar. Pa diskutim, avantazhet do të jenë të mëdha, sepse kushdo që do të jetë pronar i ardhshëm i ekipit, do të investojë për të ndërtuar një skuadër kompetitive.
Është ajo që kemi kërkuar deri tani. Kemi thënë që futbolli nuk mbahet me bashki. Ka ardhur momenti që Lushnja të ketë presidentin e saj dhe të jetë një klub i mirëinvestuar”, deklaroi për gazetën ish-futbollisti dhe ish-presidenti i Lushnjës Artur Çobani.
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"