Ish-presidenti analizon startin e kuqezinjve, Gjika: Flamurtar, ekip nuk të bëjnë… rrogat!
Shpëtim Gjika nuk i ndahet Flamurtarit. Ish-kryebashkiaku i Vlorës dhe president i klubit kuqezi është ndjekës i rregullt i Flamurtarit dhe kërkon që skuadra të ngjitet sa më shpejtë në Kategorinë Superiore, pasi pesë vite larg elitës janë shumë.
Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Gjika shprehet i kënaqur për fitoren e parë të skuadrës, sukses i cili u arrit në transfertën e Shijakut ku mundën Erzenin në shifrat 2-0. Ish-kreu i klubit uron Flamurtarit që të ketë vazhdimësi pozitive. Por Gjikës ashtu si të gjithëve, nuk i pëlqeu aspak nisja e sezonit me atë humbje me Burrelin. “I uroj suksese Flamurtarit dhe përgëzime për fitoren me Erzenin. Nuk e ndoqa dot ndeshjen, por më pëlqyen tri pikët. Ndoqa ndeshjen me Burrelin dhe dua ta komentoj pak. Me Burrelin ishte e njëjta lojë si në Korçë në ndeshjen miqësore.
Rastisa që isha në Korçë dhe e ndoqa nga afër atë ndeshje. Skuadra ishte pa presing, pa ide. Lojtarët ishin të ngadaltë në fushën e lojës. Mungonte fryma e të qenit ekip. Mund të jenë lojtarë të mirë dhe me rrogat më të mira, por ekip nuk bëhesh dot vetëm me kaq. PSG-ja e Francës duhet të kishte marrë disa Champions, por nuk ka ndodhur sepse e ka të vështirë të bëjë ekip”, shprehet Gjika.
PËR SKEMËN- Shpëtim Gjika komenton në faqen e klubit, duke ngritur pyetjen për skemën që luajti Flamurtari në Shijak. “Duke uruar Flamurtarin për fitoren dhe me shpresë për vazhdimësinë, një pyetje kam ju lutem: Kemi luajtur 3-4-3 apo 4-3-3? Ose po e thjeshtoj pyetjen: Denis Pjeshka ka luajtur në qendër të mbrojtjes me tre (Pjeshka, Atanda, Bolanos), apo në mesfushë me 3(Pjeshka, Batha, Marku”, shkruan Gjika. Ndërkohë klubi i kthen përgjigje Gjikës, duke i thënë se skuadra ka luajtur 3-4-3.
STEMA E RE- Shpesh ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, në komentet e tij për Flamurtarit ka apeluar për rikthimin e stemës që në një farë mënyre kërkon rikthimin e skuadrës në elitë. Tifozët e kanë ngacmuar Gjikën dhe klubin edhe për logon e re: Mos harro stemën kryetar. Këto logot si i ndërrojmë çdo dy vjet? “Lini logon e vërtetë që ka Flamurtari”. Në fakt klubi në nisje të këtij sezoni ndryshoi stemën, ku nuk munguan reagimet e shumta të tifozëve.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"