Ish-portieri matjan, Kastriot Rama analizon Burrelin: Ka luhatje, por mundësitë i ka të ecë më mirë
Java që vjen do të jetë e ngjeshur për klubet shqiptare, pasi do të luajnë për Kupë dhe kampionat. Më 16 tetor, për llogari të Kupës së Shqipërisë matjanët do të presin në “Liri Ballabani” Sopotin e Librazhdit. Gjithsesi, vëmendja është përqendruar te ndeshja e transfertës në kampionat, që do ta luajnë me 21 tetor me Apoloninë në Fier. Humbja e thellë ndaj Besës regjistroi një tjetër shifër negative, atë të bilancit të golave, 6 të shënuar dhe 7 të pësuar.
Për “Panorama Sport”, ish-portieri i njohur matjan, Kastriot Rama, analizon ecurinë e skuadrës së tij në shtatë javë të kampionatit. Sipas tij, ecuria e skuadrës në krahasim me atë të një vitit më parë është më e mirë. Pavarësisht ndonjë luhatje, loja e saj ka treguar stabilitet.
“Pozicionimi e Burrelin në vendin e katërt e shoh me pozitivitet. Hapat fals, sidomos në ndeshjen ndaj Valbonës, e konsideroj të pafalshme. E veçoj këtë ndeshje, sepse sfida brenda duhen fituar dhe janë detyra shtëpie për çdo skuadër që kërkon të jetë mes më të mirave të kampionatit” u shpreh fillimisht Rama. Në vijim të komentit të tij, ish-portieri i njohur i disa skuadrave, ndalet dhe te ndeshja e fundit ndaj Besës. Sipas Kastriot Ramës, në këtë ndeshje skuadra nuk ishte në nivelin e sfidave të tjera.
“Pavarësisht elementit cilësor që ka skuadra, në ndeshjen ndaj Besës, Burrelit i mungoi finalizimi. Përveç kësaj, duke ditur se kavajasit kanë futbollistë me kualitet, nuk duhej lënë shumë hapësirë veprimi. Kjo e dëmtoi jo pak skuadrën”, vijoi ish-portieri. Duke i bërë skanerin e shtatë javëve kampionatit, Rama pohon se pavarësisht ndonjë luhatje, skuadra ka një bilanc pozitiv dhe me elementin që ka në përbërje nuk duhet ta diskutojë gjashtëshen e parë, por duhet të guxoj për më shumë.
“Përpos ndonjë luhatje, skuadra ka mundësi të ecë më mirë. Elementi cilësor në skuadër nuk mungon dhe jam optimist se Burreli do të dijë të reagojë, duke filluar qysh në ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë në transfertë”, përfundoi Kastriot Rama.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"