Ish-mbrojtësi i Lushnjës, Andoni: Korabi ka nevojë për pikë, e njoh mirë ambientin në “Roza Haxhiu”
Skuadra dibrane e drejtuar nga trajneri Agim Canaj po përgatitet për transfertën e dytë radhazi. Korabi do të jetë nesër mysafir në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, ku vjen pas asaj humbje me përmbysje në Fushë-Krujë ndaj Kastriotit.
Dibranët shpresojnë që të nisin me rezultat pozitiv fazën e dytë në Lushnjë. Ky takim shikohet edhe si një përballje ish-ësh në kampin dibran. Trajneri Agim Canaj e ka drejtuar Lushnjën në dy periudha të ndryshme, por edhe mesfushori fierak Dejan Andoni, që luajti për dy sezone radhazi te verdhejeshilët, 2022-2024 vjen si ish nesër. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Andoni u shpreh: “Kam kaluar një dëmtim të rëndë, ku në ndeshjen me Apoloninë lëndova syrin dhe e pata të pamundur të luaja ndaj Pogradecit.
Edhe pse u aktivizova e lashë fushën e lojës nga shqetësimet, pushova ndaj Kastriotit dhe tani jam shumë mirë. Jam plotësisht gati për duelin e së premtes me Lushnjën. Vij i emocionuar, por dhe i motivuar. Kam luajtur dy sezone në “Roza Haxhiu” dhe e njoh mirë ambientin. Korabi ka nevojë për pikë dhe po stërvitemi fort dhe shpresojmë që të marrim një rezultat pozitiv në këtë takim”.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"