Ish-kapiteni i Laçit viziton trajnerin Shpëtim Duro, mund të vihet sërish në urdhrat e tij… te Struga
Ish-kapiteni i Laçit, Aleksandar Ignjatoviç, ka nisur një tur takimesh. Mbrojtësi serb para disa ditësh ishte pranë skuadrës kurbinase, ku ndoqi nga afër takimin me Dinamon. Së fundmi 35-vjeçari ka udhëtuar drejt Maqedonisë së Veriut, ku është fotografuar duke drekur me ish-trajnerin e tij te Laçi, Shpëtim Duro, dhe drejtuesit e klubit të Strugës, ku drejton tekniku kryeqytetas.
Sipas mediave maqedonase, edhe pse kanë mbetur edhe dy ndeshje nga përfundimi i pjesës së parë të kampionatit, Struga Trim Lum ka nisur të bëjë plane për merkaton e dimrit. Kështu, dje Ignjatoviç ka qenë për vizitë në qytetin e Strugës, ku është parë nën shoqërinë e drejtuesve të kampionëve në fuqi. Në drekën e përbashkët, siç shihet edhe nga fotot, ishin të pranishëm drejtori Besart Isaku dhe sekretari Miftar Shaqiri dhe trajneri Shpëtim Duro. Mbetet të mësohet nëse ka qenë thjesht një vizitë miqësore, paso si hapi i parë për një bashkëpunim mes palëve.
Ignjatovic ka luajtur në të shkuarën me Radnicki Nish, Borac, Fejnord, Bundjokor, Novi Pazar, si dhe me Laçin ku ka qenë edhe në urdhrat e trajnerit aktual të Strugës, Shpëtim Duro. Mbrojtësi 35-vjeçar rezulton si pjesë e skuadrës së Rudar Prijedor. Ka qenë vetë Ignjatoviç që e ka postuar në rrjetet sociale foton e drekës me stafin e Strugës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"