Ish-futbollisti Haxhiu: Idrizi ka të drejtë, ky është viti i Flamurtarit. Ekipin e këtij sezoni e shoh kampion absolut
Detyrimi i prapambetur në tatime që njihet nga Sinan Idrizi, dhe që është i gatshëm ta paguajë por kërkon rregulla të qarta loje, nuk e pengoi aspak Flamurtarin as këtë sezon që të ndërtohej si një skuadër pretendente.Në këto ditë reagimet mund të jenë të ndryshme në mjedise sportive apo tavolina. Këshilltari për sportet i kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha, ish – futbollisti Saimir Haxhiu i del në krahë Sinan Idrizit. Për “Panorama Sport”, Haxhiu thotë, se me disa njerëz si Idrizi, kampionati shqiptar do të ishte më i mirë dhe do të kishte më shumë qytetari. Djali i legjendës së futbollit vlonjat, Mexhit Haxhiu, thotë se administratori i Flamurtarit në këto vite ka bërë shumë milionerë edhe pa meritë, por nuk po ndalet së formuari ekip elite.
“Unë vazhdoj në të njëjtin qëndrim, se sikur të kishte disa Sinanë të tjerë, kampionati shqiptar do të ishte më i mirë, do kishte më rregull dhe që është më kryesorja do të kishte më qytetari. Edhe pse vazhdon të bëjë milionerë nga viti në vit me apo pa meritë, nuk ndalet së formuari Flamurtarin për elitë, duke u besuar të zotëve e pazotëve, të aftëve e të paaftëve. Gjithsesi, ai këmbëngul me para, jo me llafe kafenesh. Ky në gjykimin tim sportiv është viti i Flamurtarit. Jo se nuk ishte edhe ky që iku, por sepse një Sinan në Superiore do të jepte vlera qytetarie në drejtim dhe korrektësi shtuar edhe ndonjë trashje zëri në dhomat e zhveshjes që i shkon presidentit të skuadrës së futbollit. Në mbështetje të Flamurtarit për në elitë”, shprehet fillimisht Haxhiu.
MERKATO DHE GARA – Saimir Haxhiu vlerëson pozitivisht merkaton e zhvilluar deri më tani nga klubi vlonjat. Si zgjedhje më të mirë të këtij sezoni, ai vlerëson emërimin e Artim Pollozhanit si drejtor të klubit. Sa i përket garës, Haxhiu mendon se ky do të jetë viti i Flamurtarit. Skuadrat e tjera, ish-futbollisti vlonjat, i cilëson me përpjekje të limituara. “Personalisht e vlerësoj merkaton e Flamurtarit duke i njohur e ndjekur lojtarët e afruar në merkato. Duke parë Erzenin e paformatuar akoma, Kukësin dje (pardje) në konferencën e shtypit, kur mendon se kampionati do dy javë të fillojë dhe skuadrat e tjera me përpjekje të limituara, shoh një Flamurtar elite. Disa nga emrat janë me eksperiencë, por nuk di për gjendjen fizike të tyre. Drejtori Pollozhani ishte zgjedhja më e mirë e Idrizit duke ditur vlerat si sportist por edhe korrekt e profesionist”, shprehet ish – futbollisti i dinastisë “Haxhiu”.
PËR AGOSTINELIN – Ish – futbollisti vlonjat flet edhe për trajnerin Andrea Agostineli. Sipas tij, Idrizi i ka bërë shumë dhurata italianit, që janë një luks i madh. “Për Agostinelin afrimi te Flamurtari me këto kushte është luks i madh. Kaq shumë dhurata që i ka bërë Sinani, ai tani ka detyrimin tani t’u gjejë vendin. Me këta futbollistë në dispozicion do i duhet të mendojë kampionin. Ka eksperiencë si trajner dhe uroj të ketë sukses bashkë me fatin”, thotë Haxhiu. PARASHIKIMI – Saimir Haxhiu këtë sezon e shikon Flamurtarin kampion absolut dhe se nuk ka asnjë justifikim. “Flamurtarin e këtij viti e shoh kampion absolut, jo në dy vendet e para. Çdo gjë në fushën e lojës duke vlerësuar çdo ndeshje si finale. Nuk ka asnjë justifikim këtë vit”, shprehet ai.
PËR BREGUN – Haxhiu komenton edhe ofertën e Flamurtarit për Bregun dhe zgjedhjen e tij. “Bregu është futbollist me vlera të mëdha. Bëri zgjedhjen në shërbim të interesit të tij, por do të vlerësoja korrektësinë e tij, por edhe të zotit Idrizi”, përfundon Haxhiu.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"