Ish-drejtori Laluci: Flamurtari çalon shumë në javët e fundit, Agostineli gaboi me trajnerin e Kukësit
Vangjel Laluci kritik ndaj Flamurtarit. Ish-drejtori i klubit vlonjat mendon se luhatja në javët e fundit është një problem i madh. Për “Panorama Sport”, ai thotë së është i pakënaqur edhe nga ndeshja me Kukësin që u zgjidh me vështirësi dhe kritika ka edhe për trajnerin. “Jam i pakënaqur nga Flamurtari në këto javë.
Fituan me Kukësin dhe bënë mirë që fituan, por e zgjidhëm lojën me shumë vështirësi. E zgjidhëm me një Kukës që linte shumë për të dëshiruar. Një Kukës që na kishte lënë të gjithë terrenin, i mbledhur mbrapa dhe ne nuk arrinim të shënonim. Pas ndeshjes së Vorës, prisja një reagim të fortë nga ekipi, një lloj autokritike. Në spektakël kam një lloj rezerve, se edhe terreni, shiu, era, nuk të krijojnë ato kushte për të realizuar dhe ndoshta le të shërbej edhe si një lloj justifikimi për ta edhe pse për mua nuk është. Jemi prapë në pozita kritike dhe të vështira. Kemi thënë, se është bërë merkato e shkëlqyer. Nëse nuk do të kishim bërë këtë merkato me këtë lloj shpenzimi, do të kënaqesha me kaq, por dua të bëjnë diferencën si në lojë, pikë dhe në klasifikim. Është bërë një investim dhe duhet të jenë kërkues.
Lojtarët që kanë ardhur, i kemi parë në Superiore dhe duhet që ta ngrenë stekën. Ku është ngërçi tani? Lojtarë janë të mirë, po trajneri është i mirë? Ai ka një eksperiencë të madhe, por ku na qëndron problemi? Ai vërtetë është trajner që ka pasur disa ekipe, por unë e shikoj se ai ka probleme në drejtim të fleksibilitetit. Po të jetë një ndeshje, unë do ta pranoj dhe që ta humbasësh, se këto ndodhin në futboll. Por kemi 6-7 javë që po çedojmë edhe në lojë. Humbja me Vorën ishte strumbullari. Ky ekip nuk duhet të bëjë asnjë humbje, as me Vorën as me Besën. Këtu kam parasysh objektivin e madh. Këto tre ekipe e bëjnë diferencën, pasi vendi 4 është 11 pikë larg. Por Erzeni, Lushnja janë ekipe që na kanë vënë në vështirësi. Si mund ta pranojmë ne këtë? Vërtetë i kemi fituar, por…”, shprehet fillimisht Laluci.
PËRPLASJA AGOSTINELI-ÇELA – Laluci vesh me faj trajnerin Andrea Agostineli për përplasjen me trajnerin e Kukësit, Emiljano Çela. “Për vitet biologjike që ka dhe si trajner, Agostineli nuk duhet që t’ia lejojë vetes që t’i drejtohet trajnerit kundërshtar. Në fund të fundit, trajneri kundërshtar është në punën e tij. Unë isha aty e pashë dhe Çela nuk bëri ndonjë gjë, që ky të reagonte në këtë formë. Për mendimin tim ka bërë gabim. Unë e kuptoj edhe anën emocionale dhe presionin që ai ka. Më çudit që Agostineli reagoi kur ne kemi shënuar golin e dytë.
Ti e zgjidhe lojën, s’ke pse i drejtohesh kundërshtarit, mikut tonë, aq më shumë që ka qenë edhe trajner te Flamurtari. Ai bëri një autokritikë dhe kërkoi falje publike. Të tjerave, më tha, të thashë, nuk dua që t’i hyj asaj pjesë. Gjithmonë nëse ka ndodhur, se unë kam një pikëpyetje. Reagimi i Agostinelit është i kritikueshëm, por nuk është se ndodhi ndonjë gjë e madhe. Unë jam ndër kritikuesit kryesor të Flamurtarit dhe Agostinelit në ndeshjet e fundit, por nuk duam ta denigrojmë. E kuptojmë edhe presionin që ai ka, por e ndihmojmë me kritikat”, përfundon Laluci.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"