Internacional, skuadra e krijuar në 40 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2015 | 18:24

Internacional, skuadra e krijuar në 40 ditë

ekipi i FC Internacional TiranaInternacional Tirana do të dimërojë në krye të Grupit B në Kategorinë e Tretë. Ndryshe nga ekipet e Grupit A të kësaj kategorie, ku skuadra e FC Kevitanit ishte absolute, duke e mbyllur me pikë të plota, skuadrat e këtij grupi kanë pasur rivalitet dhe pothuajse të njëjtin nivel. Skuadra e FC Internacional ka qenë e fortë me rivalin e drejtpërdrejtë Rubikun, por që është mundur nga Valbona. Edhe pse ka pasur këto rivalë, kjo skuadër, e cila drejtohet me përkushtim nga tekniku Agim Bedini, i radhiti rezultatet pozitive lojë pas loje, duke kryesuar nga fillimi deri në fund të fazës së parë dhe krijuar një diferencë prej 5 pikësh nga vendi i dytë. Ky ekip ka grumbulluar 25 pikë nga 30 të mundshmet, duke regjistruar 8 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, me një golavarazh 24-6 (+18). Ndërsa pozita e dytë dhe e tretë u takoi skuadrave rivale deri në ndeshjen e fundit, asaj të Valbonës dhe Rubikut, të cilat e mbyllën me 20 dhe 19 pikë.

Krijimi

Një periudhë e re do të fillojë për klubin më të ri në arenën e futbollit shqiptar, pasi në fund të gushtit 2014 u krijua Akademia Internacional Tirana, bashkë me të edhe klubi i futbollit me të njëjtin emër, FC Internacional Tirana. Klubi i ri nga kryeqyteti u themelua si shkak i krijimit të një akademie private futbolli, kjo pasi presidenti Ervin Canollari, me një investim të fuqishëm, bëri të mundur krijimin e ambienteve moderne në vendin tonë. Ai ka ndërtuar një impiant sportiv nga më të mirët në Ballkan, ku stërviten çdo ditë fëmijë të kësaj akademie, por njëkohësisht si rezultat i kushteve zhvillojnë stërvitje edhe ekipet e Superiores dhe të Kategorisë së Parë, si Partizani, Mamurrasi, si dhe ekipe të tjera të kryeqytetit. Qëllimi i ndërtimit të një akademie të tillë është stërvitja dhe përgatitja e talenteve të futbollit. Për këtë u themeluan edhe ekipet zinxhir të të gjitha moshave. Por, një ekip të rriturish u desh të ndërtohej për kategorinë e tretë. Në muajin shtator, ata grumbulluan të gjithë lojtarët që kishin mbetur pa ekip, por edhe ata që kishin mbushur moshën 19 vjeç. Kështu, nën drejtimin e teknikut Agim Bedini, u bë e mundur që në mesin e muajit shtator të vitit të kaluar të zbuloheshin disa talente dhe u krijua grupi brenda një kohe prej një muaj e gjysmë. Qëllimi dhe objektivi në pjesëmarrje u bë e qartë që në startin e kampionatit. Qëllimi i dytë do të jetë që nga sezoni 2014/2015 të fusin edhe ekipin e tretë në Kategorinë e Dytë, duke kapur vendin e parë. Kështu, ekipi u regjistrua dhe u aktivizua në Kategorinë e Tretë dhe shorti e vuri në Grupin B. Shehu, goleadori – Në Grupin B, golashënuesi më i mirë është Mateus Shehu (10 gola) në po kaq ndeshje. Kjo skuadër ishte më e efektshmja deri tani në finalizime: 24 gola me një mesatare 2.4 gola/ ndeshje. Këtij ekipi, në këtë aspekt iu afruan vetëm Valbona e Rubiku me 22 gola në 10 ndeshje (mesatare 2.2).

Mbrojtja

Të rinjtë e Akademisë kanë pësuar 6 gola. Për këtë meritë ka portieri Elton Biduli. Mbrojtje të mirë patën edhe Shkëndija Durrës me 7 gola të pësuar dhe Young Boys me 10 të pësuar.

Trajneri

Agim Bedini është trajneri më i mirë i grupit. Edhe pse e mori në dorë vonë ekipin e FC Internacional Tirana, ishte gushti i vitit të kaluar, kryeqytetasi mund të mburret me faktin se ka qenë trajneri më i hekurt i këtij grupi, ku pësoi vetëm një humbje dhe një barazim.

Përgatiti: ABDULLA DUSHKU