Inter, sa paradoks me Fratezin/ Inzagi e sheh si rezervë luksi, por këtë sezon ai kërkon të marrë “hakun” që i takon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 22:11

Inter, sa paradoks me Fratezin/ Inzagi e sheh si rezervë luksi, por këtë sezon ai kërkon të marrë “hakun” që i takon

Me Interin në këtë sezon 2024-2025 është në kërkim të fanellës së titullarit për herë të parë. Nuk është risi, nisur nga numrat që ka pasur sezonin e kaluar, të cilët do t’i analizojmë më poshtë. Me kombëtaren, Spaleti e ka aktivizuar nga minuta e parë në debutimin e Ligës së Kombeve, që përkonte me rikthimin e Italisë pas dështimit në Europian.

FRATEZIIII

Dhe Davide Fratezi menjëherë ka shfrytëzuar mundësinë për të shënuar golin e përmbysjes, duke goditur edhe një traversë. Me pak fjalë, një nga më të mirët në fushën e lojës kundër nënkampionëve të botës. Ish-mesfushori i Sasuolos ishte një ekuacion i pazgjidhshëm për Kantenë dhe Fofananë, të cilët nuk arritën dot kurrë të ndalnin inkursionet e tij.

Tani Davide kërkon të lërë gjurmë edhe kundër Izraelit dhe pastaj të fokusohet totalisht tek Interi, me shpresën që Inzagi ta aktivizojë pak më shumë në krahasim me muajin gusht. Ai nuk është një personazh që bën polemika, por pas një sezoni të parë ku duhet të përshtatej, pa harruar që shënoi gola vendimtarë për titullin, tani ka ardhur momenti për një hap përpara.

Thënë kjo, për minutazhin dhe prezencat si titullar. Edhe pse ai e di që përpara në hierarki janë Barela dhe Mkitarian. Pa harruar që ka ardhur edhe Zielinski me parametra zero. Në “Appiano Gentile” konkurrenca është e madhe, ndoshta më e madhe sesa në kombëtare.

INZAGI NË “TELASHE”

Ky Fratez, që ka “fikur” Francën me lëvizjet e tij të vazhdueshme është një lojtar që mund të jetë titullar kudo në Serinë A. Le të themi, thuajse në të gjitha skuadrat për të mos përdorur terma absolutë. Por vetëm një trajner si Inzagi që ka shumë lojtarë në mesfushë ka luksin që mos ta konsiderojë titullar fiks. Sezonin e kaluar, djaloshi i rritur në ekipet e moshave të Romës ka luajtur nga minuta e parë vetëm në 6 ndeshje dhe këtë sezon nuk kanë ndryshuar gjërat, 0 nga 3.

Sezoni i ri në Champions mund të bëjë që mesfushori të ketë ndonjë minutë më shumë. Davide për momentin nuk do as të ngrejë zërin dhe as të krijojë polemika. Kurrë nuk ka bërë deklarata jashtë vendit duke e ditur që momenti i tij do të vijë. Interi i ka treguar besim dhe ka mbyllur çdo derë, ku është trokitur për të, në kuptimin që ta transferojnë në merkaton e verës. Inzagi është në telashe për ta aktivizuar pak nga pak në mënyrë që ta mbajë lojtarin të karikuar dhe me besim.

BOMBERI “PART-TIME”

Fratezi e mbylli sezonin e tij interist me tetë gola, ku përveç 6 golave në kampionat shënoi edhe një gol në Champions dhe një në Superkupën e Italisë. Ai është njeriu i depërtimeve, ku Lautaro me shokë e gjejnë me sy mbyllur në momentin dhe në kohën e duhur. Historia po përsëritet edhe në kombëtare, ku përpara golit të përmbysjes ishte i zoti për të mbërritur një top në zonë ku goditi traversën. Me kombëtaren ka arritur në kuotën e gjashtë golave, 5 prej tyre në epokën e Spaletit.

Askush nuk ka bërë më mirë sesa ai. Për këtë arsye, trajneri nuk ka pasur kurrë dyshime për ta zbritur në fushën e lojës si titullar dhe në sfida delikate si ajo me Francën. Për të parë diferencën e madhe të aktivizimit të tij me Interin dhe me Italinë mjaftojnë këto shifra. Me zikaltrit ka luajtur vetëm 26% të ndeshjeve, ndërsa me Italinë 65%. Një paradoks i madh, që rrezikon të fusë në probleme trajnerin Inzagi. Po ky i fundit është treguar mjeshtër në menaxhimin e grupit. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë në këtë sezon.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"