Idrizi reagon për detyrimet e Flamurtarit: Bllokoj 25 milionë dollarë për Këshillin Bashkiak
Sinan Idrizi është i gatshëm të ngrijë në llogarinë bankare të Këshillit Bashkiak jo 2.5 milionë dollarë sa është borxhi ndaj tatimeve, por 25 milionë dollarë. Ai thotë, se nuk bën kompromis me informalitetin që ka mbërthyer futbollin shqiptar.Gjatë një reagimi për “Panorama Sport”, pas lajmin të botuar dje rreth detyrimit të klubit për sigurimet shoqërore të lojtarëve, Idrizi sqaron gjerë e gjatë gjithçka. “Shko te zyra e Tatimeve e Vlorës shiko vitet 2012-2013, 2013-2014, Flamurtarin dhe të gjitha klubet e Shqipërisë sa është deklarimi në tatime dhe sa paguhen. Ti e di shumë mirë që ne na u hoqën 6 pikë, u tund dynjaja, donin të na rrëzonin nga kategoria. Pse? Sepse paguanim pagat e lojtarëve në tatime. Ky nuk është problemi im, ky është konflikt midis dy institucioneve shtetërore, njëra është Ministria e Financave dhe Drejtoria e Tatimeve po edhe Federata Shqiptare e Futbollit që është shtetërore. E di pse është shtetërore? Sepse FSHF licencohet nga Ministria e Arsimit. Kur njëra nga këto nuk ma njeh këtë, unë refuzoj të bëhem pjesë e kësaj loje. Borxhi është i imi. Sa është detyrimi aty, 2.5 milionë dollarë? Ejani sot, mblidhni Këshillin Bashkiak nesër të bllokoj unë 25 milionë dollarë në konton e Këshillit Bashkiak. Pjesë e ilegalitetit, nuk ka shanse të bëhem. Unë ju sfidoj. Të vijnë institucionet shqiptare që merren me këtë punë dhe siç kanë shkuar te Tirana që kanë hapur dosjen 2014-2015, të shkojnë në çdo klub shqiptar.
Të shikojnë se çfarë ndodh. Ejani fillojeni nga Flamurtari. Shikoni deklarimet, ne kemi paguar vetëm me bankë. Ju e mbani mend për tre lojtarë të Flamurtarit. Për atë që unë kisha detyrim, sigurimet shoqërore për të paguar për shtetin shqiptar, FSHF më ndëshkoi mua dhe më hoqi pikët. Rregullatori i lojës së futbollit shqiptar është FSHF. Rregullatori i financave është Ministria e Financave dhe Dega e Tatimeve në Vlorë. Unë jam i detyruar që ndershmërisht të deklaroj vetëm një kontratë. Tani do më thuash nuk të intereson deklarimi im, duhet dhe ta paguash. Jo 20% në muaj të shkojë, por dhe 30% e paguaj unë. Ama më trego kush është pjesë e legalitetit dhe kush nuk është në këtë pjesë. Gjëja më interesante është kjo, që këta zhurmuesit e sotëm të Këshillit Bashkiak, kujtohen për Flamurtarin një herë në vit, kur vjen koha e llogjeve. Do bëjnë ca llogje aty nesër. Pra unë kam një pyetje të drejtpërdrejt tani. I thuaj atij çunit… (i referohet këshilltarit Atird Hoxha), në 2012-2013 është një personazh që ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak edhe atëherë. Të shkojë sot në zyrën e Tatimeve Vlorë, të marrë deklarimin e pagave në atë kohë dhe pagave sot dhe të shikojë ndryshimin.
Kjo është çështje për Prokurori. Unë kam çuar ekipin dy-tre herë në Prokurori, për shit-blerje ndeshjesh. Ne na janë hequr 6 pikë? Po. Ne, vitin tjetër pas heqjes së këtyre pikëve nuk shkuam në Europë. Më ka shkaktuar dëm financiar, po. Faktori që e ka shkaktuar këtë kush është? Ose paaftësia e menaxhimit të klubit, ose pamundësia e ligjeve. Unë kam një përgjigje të protokolluar nga Ministria e Financave dhe vendimin e FSHF që thotë: Ne nuk njohim sigurimet e tua të lojtarëve që ke bërë pranë zyrës së Tatimeve. Kujtohu ti sot, që ka bërë Tirana evazion fiskal para 10 vitesh që nuk ka deklaruar rrogat. Ore, talleni ju? Po kush i ka deklaruar rrogat në Shqipëri? Ne kemi qenë i vetmi klub, i vetmi! Kam detyrime, jam i paaftë të bëj këto, shpall falimentimin, mora fund, por nuk mashtroj me deklarim”, shprehet fillimisht Idrizi.
VENDOSMËRIA Administratori Sinan Idrizi është i vendosur të mos paguajë tatimet deri sa të gjithë të bëhen bashkë për të luftuar informalitetin. Kreu i klubit kujton se si FSHF i hoqi 6 pikë për Franc Veliun, Polizoi Arbrin dhe Artan Sakajn. “Tatimet nuk do të zhbllokohen deri në ditën që do të jemi të qartë bashkë në këtë histori. Unë paguaj tatimet. Jap një shembull për herë të parë në shtetin shqiptar që paguaj mbi 1 miliardë lekë tatime dhe FSHF mua, ju e doni shumë mirë ngjarjen që me te futbollistë, Franc Veliun, Polizoi Arbrin dhe Artan Sakajn më heqin 6 pikë se nuk më njohin rrogën e pagesën bruto. Për shembull, nëse unë me Veliun kisha një rrogë 70 mijë euro, kur rrogat tek mua nuk ka neto, janë bruto të gjitha dhe kam derdhur 29.7 në Degën e Tatimeve Vlorë, FSHF nuk ma njeh si rrogë bruto por si neto, më merr lekë dhe më heq 6 pikë kur unë me kokëfortësi nuk e paguaj këtë. Unë cilin tatim do të paguaj atë që më thotë shteti shqiptar apo atë që më dënon FSHF. Këtë le ta zgjidhi shteti shqiptar”, tha administratori vlonjat.
FTESA PËR NË GJYQ Sinan Idrizi njeh çdo detyrim ndaj tatimeve, por fton Këshillin Bashkiak të Vlorës, që së bashku të hapin gjyq ndaj Ministrisë së Financave dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. “Pjesa e tatimeve është detyrimi im. Ejani zotëri ta ngremë problemin dhe ngrijmë fondin. Këta nuk e kanë të qartë çfarë ka ndodhur me tatimet. Hajde ti ngrijë këto çfarë të doni ju. Hajde ta fillojmë gjyqin bashkë. Të vijë ai zotëria që është avokat, njohës i ligjeve (i referohet këshilltarit të PD-së, Atird Hoxha). Të vijë me mua, t’ia paguaj unë orën e avokatllëkut dhe të shkojmë bashkë në gjyq, kundër Ministrisë së Financave dhe kundër FSHF-së. E ftoj të bëhet avokat i Flamurtarit. A i njeh ligjet? Hajde me mua lartë atje dhe fillojmë gjyqin. Kam një vit që u kam thënë dhe hiç. I ke parë kur flasin për Flamurtarin këta, vetëm në kohën e llogjeve, hajde të themi ndonjë gjë”, përfundoi Idrizi.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"