Idrizi pa kontratë te Flamurtari dhe kërkon rinovimin me dy vite, zbardhen debatet në bashki

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2024 | 10:30

Idrizi pa kontratë te Flamurtari dhe kërkon rinovimin me dy vite, zbardhen debatet në bashki

Flamurtari ka investuar miliona në merkaton e kësaj vere, por hijet e së shkuarës e ndjekin nga pas Sinan Idrizi, i cili administron klubin prej 11 vitesh, nga sot nuk ka kontratë me Bashkinë e Vlorës.IDRIZIData 31 korrik shënon edhe fundin e kontratës, që u shty me një vit në gusht të vitit 2023, ndryshe nga vitet e shkuara, kur Bashkia e Vlorës e drejtuar atëherë nga Dritan Leli e firmoste kontratën e administrimit të klubit me dy vite. Moszgjidhja e çështjes së privatizimit e mban në “ajër” të ardhmen e Flamurtarit. Çështja është diskutuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Vlorës. Shqetësimi u ngrit nga anëtari i bordit të klubit, Endri Hyseni.

Sipas tij, duhet miratuar shtyrja e afatit të kontratës, pasi skuadra rrezikon regjistrimin në FSHF për sezonin 2024- 2025. Anëtari i bordit të klubit, përfaqësues i këshillit bashkiak, tha se kësaj here duket se ka lëvizje konkrete për procesin e privatizimit të klubit. “Në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Klubit të Futbollit ‘Flamurtari’, dua të bëj me dije përpara këshillit në lidhje me aktivitetin e klubit dhe garën sportive 2023-2024, e cila ka filluar prej muajit gusht të vitit të kaluar bazuar te një projektvendim shtyrjen e kontratës, me afat edhe një vit tjetër me vendim të Këshillit Bashkiak. Gara sportive për këtë sezon ka përfunduar, ndërkohë jemi përballë faktit që kontrata është në skadencë dhe në mbledhjen e radhës do të diskutojmë për këtë çështje. Është paraqitur edhe një kërkesë e re nga ana e klubit të futbollit për të shtyrë kontratën deri në mbarimin e procedurës së vlerësimit të aseteve. Është prokuruar edhe nga Bashkia e Vlorës. Janë dorëzuar edhe pasqyrat financiare në administratën e bashkisë, duke qenë se është në proces e sipër vlerësimi i të gjitha kuotave dhe aksioneve të shoqërisë. Në mbledhjen e radhës do të kemi përpara raportin që do të kërkojë mbështetjen nga këshilli. Do të jetë raporti financiar me kompaninë e akredituar për të bërë vlerësimin e aksioneve. Gjithashtu, deri në përfundimin e procedurës së privatizimit do të kemi një kërkesë pasi është e pashmangshme, klubi duhet të regjistrohet në FSHF për të marrë pjesë në garë. Nuk është njësoj si vjet, pasi këtë vit administrata e bashkisë ka reaguar, ka prokuruar një shërbim, një ekspert kontabël të miratuar që shumë shpejt brenda muajit do të kenë gati një raport vlerësimi. Kështu që do të vijë në Këshillin Bashkiak për t’u diskutuar dhe miratuar”, është shprehur Hyseni.

DEBATET – Ndërsa anëtari i Këshillit Bashkiak të Vlorës, përfaqësues i PD-së, Atird Hoxha, është shprehur kritik ndaj klubit të futbollit “Flamurtari”. Sipas tij, klubi nuk raporton në këshill për aktivitetin çdo tre muaj, duke shkelur detyrimin ligjor. “Ky relacion duhet që të vijë me shkrim, pasi ne për këtë kemi bërë edhe një kërkesë. Kur e kemi bërë kërkesën këtu ka qenë kryetari i bashkisë, financuesi apo administratori i Flamurtarit. Klubi ka një detyrim ligjor, që çdo tre muaj ne duhet të kemi një raport me shkrim për aktivitetin e tij, raport i cili nuk na ka ardhur asnjë herë. Kemi një vit dhe nuk kemi asnjë informacion zyrtar rreth aktivitetit të klubit. Nuk është hera e parë që e dëgjojmë këtë diskutim”, tha Hoxha.

KËRKESA E KLUBIT – “Panorama Sport”, zbulon se klubi ka depozituar përpara dy ditëve në Bashkinë e Vlorës, kërkesën për shtyrjen e administrimit. Letra është firmosur nga administratori Sinan Idrizi. Madje ky i fundit e ka shoqëruar kërkesën edhe me pasqyrat financiare të aktivitetit të klubit. Gazeta mëson, se Idrizi kërkon nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Vlorës, që administrimi të shtyhet me dy vite, duke dhënë dhe argumentet përkatës.

“Kërkojmë nga Bashkia e Vlorës dhe Këshilli Bashkiak si pronarë të klubit, shtyrjen me dy vite të kontratës së administrimit, ndryshe nga ky sezon, kur të drejtën e kishim vetëm me një vit. Një vit është afat shumë i shkurtër për të zhvilluar projektet tona. Kërkojmë zgjatjen me dy vite të kontratës edhe për shkak se do të nisim realizimin e disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturën sportive në Pyllin e Sodës”, thuhet në kërkesë. Tashmë mbetet për t’u parë reagimi i Bashkisë së Vlorës, nëse do të marrë parasysh kërkesën e Sinan Idrizit, apo do ta shtyjë administrimin e klubit përsëri me 1 vit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"