I përfundonte kontrata në verë, qendërmbrojtësi i Interit është pranë rinovimit për dy sezone
Interi do të humbasë këtë verë Milan Skrinjar, i cili ka vendosur që me përfundimin e marrëveshjes që ka me zikaltërit, të transferohet te PSG. Por nga ana tjetër, është një qendërmbrojtës i zikaltërve të cilët ata fillimisht e mendonin thuajse të larguar, i cili tani ka vendosur të qëndrojë.
Mediat italiane kanë bërë të ditur sot se Stefan De Vraj, i cili është gjithashtu në muajt e fundit të kontratës së tij me Interin, do të firmosë rinovimin që i ka ofruar klubi. Interi i kishte bërë një ofertë prej më shumë se një muaji ndërsa ai po hezitonte, në pritje të ofertave të tjera. Oferta që me sa duket nuk do të vijnë dhe kanë bërë që De Vraj të pranojë të firmosë për të qëndruar te milanezët.
Largimi i Skrinjar bën që ai të rifitojë përsëri rëndësi në hierarkinë e skuadrës dhe kjo e ka shtyrë futbollistin të pranojë ofertën dyvjeçare nga e cila do të përfitojë rreth 4 milionë euro në sezon. Futbollisti 31-vjeçar u transferua te Interi me parametër zero në verën e vitit 2018 nga radhët e Lacios.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"