“I mbyturi të mbyt”, Dede do kujdes nga Elbasani: Ja si arrihen objektivat
Elbasani starton fazën e tretë në një ndeshje me Luzin në shtëpi, një kundërshtari që para dy javësh i kanë shënuar pesë gola. Megjithatë, për trajnerin Nevil Dede, këto sfida janë shumë delikate dhe duhet të jenë të kujdesshëm.
“Minimalisht në këtë fazë të tretë duhet të vazhdojmë me paraqitjen që djemtë po bëjnë në ndeshjet e fundit. Këtë fazë e nisim me Luzin dhe mendoj se këto ndeshje janë shumë delikate dhe të rëndësishme. Është një shprehje që ‘i mbyturi të mbyt’, për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm për çdo situatë. Jam i kënaqur dhe i bindur nga paraqitja dhe rendimenti që po japin lojtarët. Normal që e mira nuk ka fund, por nuk duhet të kthejmë kokën prapa. Të shikojmë vetëm përpara dhe të rrisim performancën në çdo ndeshje, çdo individ, por edhe skuadra në tërësi”, u shpreh fillimisht Nevil Dede për “Panorama Sport” në lidhje me pritshmëritë në këtë fazë të tretë.
MOTOVIMI – Edhe pse përballë kanë një kundërshtar modest, duke parë renditjen, Dede pohon se motivimi nuk mungo as në këto ndeshje, sidomos në shtëpi ku kanë përgjegjësi më shumë edhe për tifozët.
“Mbi të gjitha, ne duhet të jemi korrekt me veten dhe më pas me klubin. Diçka që unë e përmend shpesh, luajmë në stadiumin tonë, përballë tifozëve tanë dhe në qytetin tonë, ku motivimi dhe përgjegjësia mbetet gjithnjë e lartë. Kjo nis nga ne si drejtues, por edhe lojtarët më pas, në mënyrë që t’i kënaqim tifozët. Pas çdo ndeshje që kalon ata duhet të vijnë të na shohin me dëshirë dhe të jenë krenarë për paraqitjen që bëjnë djemtë në fushë”, vijoi trajneri i Elbasanit.
RIVALËT – Dede kërkon të mos mendojnë për diferencën prej tetë pikësh me rivalët, pasi në futboll nuk mund të kënaqesh pa pasur një siguri matematikore.
“Ne duam të mos gabojmë, kjo është e rëndësishme. Nuk mund të themi që bëmë një gjysmë hapi fals në Ballsh. Me mundësitë që patëm mund të bënim edhe më mirë dhe të kënaqnim njerëzit më shumë. Të thuash janë pak apo shumë tetë pikë nuk është korrekte në sport, kur është matematika ajo që gjithnjë vërteton gjërat. Unë do të isha i lumtur që lojtarët të vazhdojnë të rriten si individualisht ashtu edhe skuadra. Objektivat të arrihen me sukses, por mbi të gjitha me krenari dhe të kënaqim, presidentin, njerëzit që investojnë, tifozët tanë që janë arma jonë më e fortë”, mbylli trajneri Nevil Dede.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"