I kënaqur me Vorën dhe Shqipërinë, nigeriani Idrisi beson te fitorja e radhës në Vlorë
Futbollisti nigerian, Nuradin Idris, vetëm 22-vjeç, ardhur te Vora në merkaton e verës nga skuadra e Bate Borisov. Pas një përvojë të gjatë në kampionatit bjellorus, ai është shumë i lumtur që vjen për herë të parë në Shqipëri dhe prezantohet në kampionatin e nivelit të dytë.Sipas tij, Kategoria e Parë është një kampionat më i fortë se ai bjellorus edhe pse ka parë vetëm dy ndeshjet e para me skuadrën e Vorës. Ky futbollist është i bindur për suksesin e radhës të Vorës në Vlorë, kundër Flamurtarit. Për “Panorama Sport” ai tregon eksperiencën e tij deri tani në futbollin shqiptar. “Hera e parë që vij në Shqipëri dhe deri më tani mund të them se më ka pëlqyer vendi, bukuritë natyrore, Korça, Pogradeci por edhe Vora.
Këtu gjeta një presidencë që më kuptojnë dhe i kuptoj, një trajner shumë të mirë e të zotë. U jam mirënjohës të gjithë këtyre, si për pritjen dhe për trajtimin tim. Flamurtari? Pas çdo jave punojmë shumë për t’u përmirësuar, përtej rezultateve që kemi arritur. Kundër Kukësit ishim superiorë në të gjitha aspektet, mund të kishim fituar edhe më thellë. Kemi punuar shumë dhe do të punojmë sërish për ndeshjen e radhës, e cila na jep kohën e mjaftueshme për tu përgatitur.
Ndalimi i kampionatit është si një frymëmarrje e thellë përpara ndeshjes kundër Flamurtarit. Jam i bindur se pritshmëritë tona do të jenë më të larta se sa kemi treguar në dy javët e para. Ne kemi forcë për të fituar, jo vetëm ndaj Flamurtarit, por çdo kundërshtari tjetër. Kanë një ekip të fortë, por duke qenë një rival yni, kjo na angazhon edhe më shumë për ta vlerësuar Flamurtarin”, u shpreh nigeriani i sulmit të Vorës.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"