I besohen “çelësat” e mesfushës, Juri: Skënderbeu mbetet ambicioz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2024 | 23:00

I besohen “çelësat” e mesfushës, Juri: Skënderbeu mbetet ambicioz

Skënderbeu po bëhet gati për sezonin e ri dhe gjithçka duket se është e përqendruar rreth paraqitjes së ekipit në ndeshjen e parë zyrtare. Korçarët kanë edhe dhjetë ditë në dispozicion për ta përgatitur ekipin, por gjithçka sa i përket organikës së sezonit të ardhshëm mund të konsiderohet e mbyllur. Braziliani Juri Merlim, nga sa është parë, do të ketë një rol të rëndësishëm te Skënderbeu i sezonit të ardhshëm.

juri merlim

Pas largimit të Dean Liços ,duket se “çelësat” e mesfushës trajneri Ivan Gvozdenoviç ia ka besuar brazilianit, i cili po bind gjithnjë e më shumë me paraqitjet e tij në fazën përgatitore. I kthyer në një lider, Juri beson se ky do të jetë sezoni i mundësive të mëdha për të dhe një gjë të tillë kërkon ta shfrytëzojë në maksimum.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, braziliani i mesfushës korçare tregon ambiciet dhe përgjegjësitë që i janë ngarkuar në këtë moment nga klubi. “Është një situatë e rëndësishme dhe shumë e veçantë për mua, pasi kam më shumë përgjegjësi dhe dua të tregoj më të mirën time. Kam filluar të ndjej më shumë besim nga klubi dhe kjo më motivon më shumë në këto momente.

E di që të mbash një pozicion të tillë në këtë ekip është me shumë rëndësi, prandaj dhe po mundohem të tregoj më të mirën nga aftësitë e mia për të shpërblyer besimin e klubit. Përtej ndryshimeve në ekip, mund të them se jemi një grup i fortë, me shumë cilësi dhe mbi të gjitha me shumë dëshirë për të bërë mirë sezonin e ardhshëm. Faza përgatitore ka kaluar me sukses dhe kemi mundur të marrim ngarkesën e duhur. Përtej rezultateve, mendoj se ekipi po funksionon mirë dhe kjo ka më shumë rëndësi për momentin”, ka theksuar fillimisht braziliani i Skënderbeut.

SEZONI – I ndalur më pas te pritshmëritë për sezonin e ri, Juri u shpreh i bindur se Skënderbeu do të shkojë përtej arritjeve të një sezoni më parë. “Edhe pse kemi ndryshuar disa elementë nga një vit më parë, mund të them se ekipi ka po të njëjtën ambicie. Klubi ka bërë lëvizjet e veta dhe në syrin tim mund të them se nuk kemi humbur cilësi.

Largimeve të rëndësishme u jemi përgjigjur me afrime cilësore, çka do të thotë se grupi është i plotë. Duam vetëm pak kohë sa të përmirësojmë manovrat në lojë dhe gjithçka është në rrugën e duhur”, e mbyll prononcimin e tij mesfushori i Skënderbeut, që në Shqipëri ka luajtur edhe me Flamurtarin.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"