HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA IV)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2024 | 21:48

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA IV)

Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI IV
Ky kapitull, të duket sikur do të jetë “Kapitulli i humbjes”. Them kështu, ngaqë prej rezultatit sensacional të barazimit PartizaniOransoda 73-73 dhe të 48 pikëve të Agim Fagut të pandalshëm, na duhet të mbërrijmë te ndeshja e kthimit. Që është një humbje. Madje jo e cekët. Mirëpo, historia kur shkruhet e tillë është. Është e fitoreve, është edhe e humbjeve. Me vërtetësinë e tyre, me ndjenjat e kaheve të ndryshme, me meditimet dhe konkluzionet që janë të ftohta akull në saktësinë e tyre. Edhe kjo për hir të historisë nuk mund të ndryshohet sioas dëshirave. Ç’ka për fat të keq, ndër ne, prej shkruesve të pandërgjegjshëm e të paditur, ngjet shpesh.

Agim Fagu në arkivin e fotoreporterit të madh PETRIT KUMI.

Agim Fagu në arkivin e fotoreporterit të madh PETRIT KUMI.

Këtë kalim për te humbja e Partizanit në Cantu në ndeshjen e kthimit të 9 janarit 1969, megjithatë nuk mund ta përcaktosh thjesht një humbje, ndonëse humbje është. Ajo vetvetiu është një vazhdim i një barazimi që në thelb është fitore e madhe. Si të thuash, akti i dytë i një drame sportive e nivelit të basketbollit të Europës, e bujshme sa për Shqipërinë, po aq edhe për Italinë. E, për atë që e njeh basketbollin, madje që njeh kapriçiot që përmban për herë vetë sporti, gjithçka të duket normale, megjithatë. Në fund të fundit, do të ndodhte ajo që trajneri Astrit Greva ia kishte thënë gazetarit Marco Cassani: “Në Cantu Partizani do të humbasë, por do të marrë duartrokitje. E, Fagu, përsëri do të detyrojë që të flitet për të. Dhe do të promovohet edhe në pjesën tjetër të Europës”.

Ky ishte gjykimi objektiv i një trajneri të madh si Astrit Greva, të cilin pa dyshim mund ta quajmë një nga themeluesit e basketbollit modern në Shqipëri.

E megjithate humbja në Cantu më 9 janar 1969, çuditërisht nis me një “fitore”. Me një “fitore” krejt origjinale, një “fitore” që simbolizohet prej pritjes së paparë që i bën Partizanit të Agim Fagut, Italia sportive, qoftë dhe përmes shtypit të saj. Merret me mend se gjithë këtë, gazetave italiane ua detyronte buja e ndeshjes së parë. Ishte fitore e publicitetit, madje e vetë Shqipërisë së asokohe, sado socialisto-popullore që ajo të ketë qenë në izolimin e saj unikal, çka sporti megjjthatë jo rrallë e çizolonte.

Dhe prapë fuqinë e merr “LA GAZZETTA DELLO SPORT”.

PRITJA E BUJSHME E PARTIZANIT NË CANTU
Kështu mund ta përcaktojmë. Gazetari i saj, Giulio Mauri, duket se është ndër të parët, qoftë edhe për një titull krejt “të parregullt”, si të thuash, bombastik, që thuajse buçet: “Fagu i premton 50 pikë Oransoda-s”! Duke e shkruar emrin e Fagut me germa kapitale. Merret me mend se e gjithë kjo kapricio “propagandistike” e gazetarit, ka të bëjë me trysninë e fortë të 48 pikëve të ndeshjes së parë. Diçka sensacionale pra, që duhet kuptuar si diçka figurative më shumë sesa një parashikim, e aq më pak dëshirë e protagonistit shqiptar. Aq më tepër që Fagu nuk ka dhënë asnjë intervistë me mbërrijtjen e tij në Cantu. Po tek italianët vazhdonte të rëndonte pesha e madhe e 48 pikëve të ndeshjes së parë.

Dhe le t’ia lëmë fjalën fragmenteve të shkrimit të Giulio Mauri-t:

“… Astrit Greva nuk ka probleme me skuadrën e tij. Dhjetë ndeshje dhe po kaq fitore pas mbarimit të fazës së parë të kampionatit shqiptar, teksa Partizani ka tashmë largësi të qartë nga Dinamo, Tirana, Durrësi, Universiteti dhe Shkodra. Edhe në këtë kampionat skuadra ndihet e sigurtë. Skuadra është në kushte të shkëlqyeshme fizike, shumë mirë e përgatitur (kjo u pa edhe në stërvitjen e lehtë paraprake që zgjati një orë), ashtu siç ishte edhe në ndeshjen e shkuarjes. Dhe është shumë e nxitur, shumë e mirëinformuar për gjendjen aktuale të Oransoda-s. Teksa mbërritën në Linate (aeroporti i Milanos), disa lojtarë mbanin në duar gazeta të përditshme që botonin lajmet më të veçanta dhe të fundit për lojtarët vendës. Duket që dhe këto atyre iu shërbenin për t’i stimuluar. I kërkuam trajnerit Astrit Greva të na thotë ndonjë diçka të veçantë:

“Nga ndeshja e parë na mungojnë Çuçi e Hutka, shumë të rinj (sapo kanë mbushur 19 vjeç). Gjendja fizike është e mirë dhe vështirësi për të zgjedhur nuk kemi”.

Ndërkaq, me sa duket, Fagu nuk i trembet mbrojtjes speciale që do t’i bëjnë lojtarët e Oransoda-s… Dhe ne nuk mund ta fshehim që Greva në këte ndeshje të kthimit, e para që një skuadër shqiptare basketbolli zhvillon në Kupë, mund të shkaktojë një surprizë: një nxitje më e vogël në sulm ose të paktën një pjesëmarrje masive e të gjithë lojtarëve në fazat realizuese, apo një vendosmëri për t’ia arritur që t’i japë ndeshjes një ecuri krejt të veçantë përmes një moduli të ri mbrojtës. Kjo do të mund të ishte vërtet një befasi.

Përveç Fagut, lojtarëve të tjerë mbase mund t’iu shkojë nëpërmend për të luajtur rolin “e ndeshjes fitimtare” kundër Oransoda-s, çka do të nënkuptonte një përpjekje vendimtare nga pala kundërshtare për një fitore të mundshme, pra. Por Oransoda nuk do të duhej kurrsesi që ta lejonte një gjë të tillë.

“No comment” – përsërit trajneri Stankoviç. E përsa i përket tipit të mbrojtjes (ndoshta një markim personal mbi Fagun dhe një mbrojtje zonale për të tjerët), për këtë kundërshtar shumë të zot mund të përdoret një mbrojtje nga afër.

– Po sikur Fagu të ketë ambicie për të shënuar 50 pikë? Çka mendoni?

– Po t’ia arrijë kësaj, do t’i heq kapelën.

…Dhe mundet që dueli Fagu-Lynn të jetë nyja e takimit. Stankoviç dhe Greva e pranojnë një gjë të tillë… (GIULIO MAURI) “

NJË AGIM FAGU MIDIS YJEVE TË BASKETBOLLIT EUROPIAN”… DHE NJE PORTRETIZIM MADHËSHTOR I BASKETBOLLIT TË TIJ
Por autori Giulio Mauri, nuk ndalon me kaq. Në një shkrim tjetër me titullin retorik: “A do ta përsërisë Agim Fagu Tiranën?”, ai shkruan:

“… Ai aplikon një modul shumë modern ku fuqia atletike dhe përgatitja fizike shkrihen në një dinamizëm përmes shpejtësisë të manovrës. Është një ritëm që shpesh të duket si diçka jashtë të zakonshmes, por që nga ana tjetër, në thelb, ajo për shqiptarët shndërrohet në një lojë gjithnjë pasionante, gjithnjë e më e fuqishme. Duket e vështirë të gjesh pika të dobëta te lojtarët e pesëshes, e cila ia arrin të nxjerrë në pah një organizim bindës… Është ylli me emrin Agim Fagu, njeriu që ka një fantazi të madhe, por nuk duhet harruar se një saktësi të madhe ka vetë skuadra në skemat e saj që mbërrijnë deri në përsosmëri.

I shpejtë në aksion falë dy këmbëve fort të shkathta dhe muskuloze në Cantu, Fagu do të jetë në qendër të vëmendjes. Ai ka një kontroll të përsosur të topit dhe në ndryshim nga të gjithë sportistët mesdhetarë, pa harruar mjeshtrinë në gjuajtje, ai di t’i zotërojë më së miri aftësitë e tij personale. Ai është vendimtar në fazat realizuese falë aftësive për të lëvizur, çka e bën edhe më të vështirë bllokimin e tij. Gjuan shpesh, por shumicën e gjuajtjeve i realizon duke marrë fuqi nga mbështetja e këmbëve në parket, por menjëherë iu jep përparësi gjuajtjeve me kërcim. Është shumë bindëse përfshirja e tij në lojën pa top, e këtë ai e realizon me thjeshtësi dhe ekuilibër falë zotërimit të një skeme po të thjeshtë, çka i lejon për të përfituar hapësirën për të gjuajtur. Për ta markuar ndaj tij duhen dy lojtarë. Ai është vetëm 22 vjeç, shtatlartë 1.86 metra. Fagu nuk mund të përcaktohet si një meteor, sepse ka mbi shpinë 40 ndeshje ndërkombëtare dhe është idhulli i pasionantëve të basketbollit shqiptar… E kuptuam këtë kur pas ndeshjes së Tiranës (por edhe në hotel), dashamirës të shumtë të pasionuar të basketbollit, të cilët e ndoqën Oransoda-n, teksa pyesnin sa pikë shënoi Fagu, ata nuk u befasuan që ai kishte shënuar 48 pikë. Të gjithëve iu dukej sikur ai i kishte shënuar të gjitha 73 pikët e Partizanit! Mund të mbërrijmë deri aty sa ta përfshijmë këtë Agim Fag midis yjeve të basketbollit europian, së bashku me të tillë si Emiliano, Masini, Pistelak, Gjergia, Daneu, Gillies, Steveniers e shumë të tjerë, të cilët në role të ndryshme kanë prirje po të ndryshme dhe përherë arrijnë të realizojnë shifra të jashtëzakonshme”. (GIULIO MAURI)

Padyshim ky gazetar ka bërë një portretizim të rrallë për mënyrën se si e luante Agim Fagu basketbollin e tij modern. Më saktë autori Giulio Mauri, në pak rradhë, sa me gjuhën e gazetarit, po aq dhe me gjuhën e njohësit të thellë të basketbollit, ia ka arritur të përimtojë me një saktësi të habitshme të specialitetit, sa teknikën, po aq dhe manovrimet taktike të Fagut, duke mbërritur mandej deri ta mënyra se si ai gjuan e se si ai shënon.

Asgjë nuk ndalon këtu. Është e madhja “CORRIERE DELLA SERA”, e cila në ditën e ndeshjes shkruan këto:

“… Ky është Agim Fagu, një anësor i pakapshëm dhe i pagabueshëm, i cili shënoi 48 pikë në ndeshjen e parë… Vetëm për këte hija e tij sinjë enigëm qëndron në ndeshjene kësaj mbrëmbjeje. Për të ndalur Fagun nuk mjafton një njeri i gjatë si Mike Lynn… Prandaj hipoteza se Stankoviç do të mbshtetet tek elementetë tillë si Farina dhe Viola, po merr gjithnjë e më shumë përmbajtje”.

Këto rreshta mbajnë inicialet e autorit I.C, që duhet të jetë Luigi Cecchini, autori i shkrimit të mëparshëm (shih Kapitullin III). Dhe papritmas është po ai që shfaqet me emrin e tij të plotë, teksa më tej merr kollonën e “Corriere”-s… për një shkrim jo të gjatë me titullin “Attenti al mostro!” (“Kujdes përbindshin!”).

Shkruan:

“… Fama vrapon shpejt edhe në basketboll. Dhe ky Agim Fagu i Tiranës, sapo zbarkoi mbrëmbjen e djeshme me shokët e tij të Partizanit në aeroportin Linate, ishte njeriu më në vemendje se të gjithë të tjerët prej bliceve të fotografëve, çka vazhdoi edhe në Como ku grupi shqiptar po qëndron në pritje për të takuar Oransoda-n nesër në orën 21.00 në “Parini” të Cantu për ndeshjen e kthimit të 1/ 8 finale të Kupës së Kampioneve. Në Tiranë, më 18 dhjetor ndeshja përfundoi në barazim (73-73) dhe Fagu shënoi 48 pikë, pra 21 kosha dhe 6 gjuajtje të lira nga 6 të dhëna ndaj tij. Ai është një përbindësh… Stankoviç u përpoq të shfrytëzonte Mike Lynn-in, por amerikani është disi i ngadalshëm për të ruajtur një djall të tillë, i cili ia mbath dhe shkëputet me një dinamizëm shqetësues që nga minuta e parë e deri në atë të fundit. Ai është përherë në pozicion gjuajteje, teksa ka një frymëmarrje si uragan nën një qartësi të shikimit të lojës që nuk i zbehet kurrë, as kur lëmshet bëhen më të egër. Afër 1.90 shtatlartë, sportivisht i përsosur, anësor i shpejtë, me një teknikë shumë të pasur, shumë i shpejtë në reflekset e tij, ai u pagëzua me emrin ‘Amerikani nga Tirana’ qysh në ndeshjen e parë. Kjo ngaqë loja e tij të kujton shumë ate të shumë yjeve të cilët i ka sjellëkëtu tek McGregor (trajner i madh amerikan, nismëtar i prurjes në Europë të basketbollistëve nga SHBA) dhe sigurisht ai mund të konkurojë me shumicën e të huajve të importuar nga skuadrat e mëdha italiane… Stankoviç ka nëpërmend t’i vendosë Fagut dy lojtarë të shpejtë, në gatishmëri për t’i zevendësuar me dy të tjerë, në mënyrë që ‘përbindshi’ të lodhet dhe mbrojtësit ndaj tij të jenë gjithnjë të freskët… Tek Oransoda situata është normale dhe me taktikën e saj, ajo mund t’iu imponojë lojën e saj këtyre rishtarëve të Kupës së Europës, të cilët paritmas dhe me meritë u bënë të famshëm”. (LUIGI CECCHINI)

“MISTERI” I REZULTATIT TË NDESHJES SË KTHIMIT
Ndonëse e kam futur në thonjza, në të vërtetë kjo ndeshje, më saktë, ky rezultat i 9 janarit në Cantu, me shifrat 90-63 për Oransoda-n, përbën një lloj misteri. Edhe pse në Tiranë ndeshja kishte përfunduar në barazim, askush nuk mendonte një fitore të Partizanit në Cantu. Arsyet janë të pambarimta dhe besoj se lexuesi i merr me mend. Mjafton vetëm fakti se tani Partizani do të luante në fushën italiane të Oransoda-s. Dhe, siç e keni lexuar në kapitujt e mëparshëm, edhe trajneri Astrit Greva ia kishte pohuar gazetarit të “La Gazzetta dello Sport” përmes këtyre fjalëve:

“Basketbolli është një lojë atletike. Ne e vëmë në jetë këtë koncept. Në Cantu Partizani do të humbasë, por do të marrë duartrokitje. E, Fagu, përsëri do të detyrojë që të flitet për të. Dhe do të promovohet edhe në pjesën tjetër të Europës”.

E në këtë deklarim nuk ka një ndjenjë inferioriteti, por ka një gjykim prej një njohësi të madh të basketbollit, siç ishte trajneri Astrit Greva.

Sigurisht kjo nuk do të thoshte aspak se Partizani do të dorëzohej pa filluar ndeshja. Kurrsesi! Mjafton të kujtosh pritjen e bujshme që iu bë Partizanit në Cantu. Shkrimet rreth skuadrës, deri dhe analitike, por në mënyrë të veçantë për Agim Fagun, sa mund ta kenë emocionuar Partizanin, po aq i kanë bindur se ishte një skuadër e mrekullueshme, edhe pse vinte prej basketbollit që konsidrohej modest, siç ishte ky i Shqipërisë. Ajo çka ndoshta nuk mund të parashikohej ishte humbja disi me ndryshim të dukshëm pikësh.

E vërteta është se ndeshja e kthimit pritej me një interes të paparë edhe në Tiranën e Shqipërisë. Jo thjesht duke menduar kualifikimin, por sidomos duke u ndalur te pyetja po e një “misteri”, pra: çka do të bënte Agim Fagu në Cantu?

Mund t’iu ktheheni edhe një herë fragmenteve të shkrimeve të shtypit italian që kemi botuar në kapitujt tonë. Qoftë në përshkrimin e ndeshjes së parë, por edhe në shkrimet para ndeshjes së kthimit. Sot mund të them pa asnjë mëdyshje se as kishte ndodhur deri asokohe dhe as ka ndodhur deri më sot për asnjë sportist shqiptar që të shkruhej kështu në prag të një ndeshjeje kthimi në të gjithë llojet e pjesëmarrjeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Agim Fagu kishte pushtuar Italinë sportive. Ky përcaktim nuk ka asgjë të zmadhuar. Është një e vërtetë e padiskutueshme. Kjo mbetet për sot e kësaj dite nderi i basketbollit të Partizanit, i trajnerit Astrit Greva dhe i lojtarit Agim Fagu, për të cilin, siç e patë, nuk mbarojnë krahasimet e pafund me lojtarët më të mirë europianë e amerikanë së bashku. Le të shkojmë tash te “misteri” i ndeshjes së kthimit.

Numri i “Sportit Popullor” që botohet pas ndeshjes është ai i 14 janarit 1969. Nuk ka pasur asnjë gazetar shqiptar në Cantu. E pafalshme! Kështu që gazetës nuk i mbetej gjë tjetër, veçse t’ia detyronte pendën trajnerit Astrit Greva, i cili duhet thënë se do ta kryente më së miri këte detyrë, edhe pse ajo nuk i takonte atij. Shkrimi i tij, jo fort i gjatë, niste në faqen e parë dhe vazhdonte në faqen e tretë. Natyrisht pa asnjë foto nga ndeshja.

asddsadsaadsadaadsads (1)

Po paraqes këtu fragmentet më analitike të shkrimit të tij. Shkruan trajneri Greva:

“…Loja filloi me emocione nga të dyja palët. U desh minuta e tretë që të shënohet koshi i parë nga italianët, të cilët nuk e patën të vështirë ta thellonin avantazhin. Partizani humbi shumë sulme të vlefshme qysh në fillim. Lojtarët tanë u përpoqën të mbrohen në mënyrë aktive në gjysmëfushën e tyre, por gabuan shumë në gjuajtjet nga loja të cilat i bënë të pasakta. Gabime të theksuara u bënë edhe në pasime.

Kundërshtari praktikoi mbrojtjen ‘secili të veti’ në zonë, ndërsa Fagun e mbuluan në të gjithë fushën (presing). Kështu që Fagu e pati të vështirë rrugën e shportës, aq më tepër se kundërshtari i tij përdori të gjitha mënyrat për t’ia arritur qëllimit, duke plotësuar edhe 5 gabimet personale. Është e qartë se për mbulimin e Fagut, ne kishim parashikuar që italianët do të merrnin të gjitha masat, prandaj këtë herë menduam që ky të punonte për shokët, midis të cilëve vetëm Pali e justifikoi… Gjatë pjesës së parë të ndeshjes gjuajtjet u bënë në mënyrë proporcionale, ashtu siç i kishim parashikuar. Pali shënoi 12 pikë… Pas minutës së 9-të të lojës kur Lynn plotësoi 3 gabime personale (sepse në mbulimin e Fagut ai po luante shumë rëndë), Oransoda kaloi në presing zonal 2-1-2. Sulmi ynë u gjend para një të papriture dhe pësoi disa pikë. Dhjetë sekonda para mbarimit të 20 minutave të para italianët ishin 12 pikë përpara nesh… Pjesa e parë përfundoi 45-29.

Në pjesën e dytë skuadra jonë luajti më mirë. Ne heqim dorë nga shpërndarja e lojës te të gjithë lojtarët dhe u kthyem në variantin për të aktivizuar Fagun, duke përqendruar lojën kryesisht tek ai. Një gjë e tillë na dha më shumë rezultat. Fagu luajti mjaft mirë. Ai realizoi 18 pikë, duke humbur shumë pak gjuajtje… Pali që ishte në formë të mirë, la fushën e lojës për arësye se plotësoi 5 gabimet personale. Ekipi ynë la përshtypje të mira dhe bile u duartrokit disa herë. Për ekipin tonë pikët i shënuan: Fagu 25, Pali 13, Përmeti 9, Pëllumbi 8, Kasmi 4, Bekteshi 2, Lahi 2. Italianët luajtën shumë më mirë sesa në Tiranë. Ata zhvilluan një nga ndeshjet më të mira të sezonit.

Sikurse vihet re skuadra jonë e humbi ndeshjen me diferencën prej 27 pikësh…

Së pari duhet thënë se dobësia më e madhe qe lufta për topin në tabelë. Me lartësinë fizike të lojtarëve tanë sigurisht që kundërshtari do të kishte avantazh, por në këtë ndeshje ky avantazh ishte shumë i madh në krahasim me takimin e Tiranës. Megjithëse basketbollistët tanë kishin të bënin me një kundërshtar me të cilin ishin matur dhe mund të mateshin si të barabartë, tek ata u vunë re emocione të theksuara… Humbja e ndeshjes na vë para detyrash për të punuar më me këmbëngulje në drejtim të rritjes së mjeshtërisë. Dhe e ndiejmë se në këtë drejtim mbetet ende shumë për të bërë”. (ASTRIT GREVA, trajner i skuadrës së Partizanit)

NDONËSE ME HUMBJE, PARTIZANI DHE FAGU DUARTROKITEN NË CANTU
“… Publik polemik i cili në fillim duartroket Fagun, autorin e 48 pikëve në Tiranë.

“…Nga pankina u kërkua që loja të përqëndrohej te Pali, pivoti i skuadrës, dhe te Pëllumbi e Përmeti. Por kështu skuadra nga Tirana ishte e detyruar të ndryshonte krejt planet e saj taktike. Gjithnjë aktive, gjthnjë luftarake, gjithnjë në kërkim të sulmit, por me punën e madhe të Burgess e të De Simone në formë të shkëlqyeshme në mbrojtje, rruga e koshit u bë shumë e vështirë për ta… Fagu u çlirua vetëm kur Lynn doli për për pesë gabime personale dhe një pjesë të mirë të pikëve ai ka mundur t’i shënojë kur është çliruar nga mbrojtja shumë e ashpër e amerikanit.

“… Shqiptarët bënë një lojë të shpejtë e përshkuese dhe duke mos e pasur të lirë Fagun, u mbështetën te Pali, Përmeti e Pëllumbi. Por jo si në Tiranë”.

“… Pavarësisht nga disavantazhi shqiptarët kërkonin gjithnjë mënyrën e kundërsulmit. Dalin Bekteshi, Lynn e Pali, ndërsa Fagu kryen aksione për manual duke shënuar disa kosha që janë të qëndisura, por tashmë Oransoda e ka siguruar fitoren me 27 pikë ndryshim”.

Këto janë disa nga rradhët më thelbësore për Partizanin në shtypin italian të pas ndeshjs. Barazimi në Tiranë ua detyron gazetave përqendrimin te skuadra e tyre, çka i bëjnë që deri në 90 për qind t’i kushtohen asaj. Duke i lexuar ata, megjithatë, kupton një farë mëdyshjeje në vetë ecurinë e ndeshjes, por me kalimin e kohës, penda e gazetarëve vjen e qetësohet. Pa e zgjatur, mbas markimit tejet të vrazhdë fizik, siç pranohet, të Lynn në pjesën e parë ndaj Fagut, çka e detyron amerikanin të lëjë fushën e lojës për pesë gabime personale, shqiptari ynë shpërthen në pjesën e dytë duke shënuar plot 18 pikë. Ai merr përsëri duatrokitjet e forta të spektatorëve italianë, duke i bindur ata se 48 pikët e tij të Tiranës, kanë logjikën e tyre të mbështetura në talentin e madh të këtij ylli.

Sigurisht edhe ne, të Tiranës, asokohe ishim të bindur për kualifikimin e kampiones italiane, por jo mbase me këtë ndryshim. Trajneri Greva e pranoi pra, se në pjesën e parë kishte menduar për një lloj taktike të përhapjes së lojës te të gjithë lojtarët, pra jo duke u përqëndruar te Fagu, siç u veprua në Tiranë, e kjo nuk dha rezultatin e dëshiruar. Në pjesën e dytë ai e drejton Partizanin sipas taktikës së ndeshjes së Tiranës, duke u përqëndruar te Fagu, i cili shpërthen duke shënuar 18 pikë fatlume përmes artit të këtij fenomeni të basketbollit, që befasisht kishte mbërritur nga Tirana e Shqipërisë.

Dhe siç kemi thënë më parë, historia kurrë nuk shkruhet e cunguar. Kësisoj, po paraqesim këtu, sipas shtypit italian, skedën e ndeshjes së kthimit në Cantu, që asokohe nuk u botua asnjëherë në Shqipëri (çuditërisht nuk vendos emrat e trajnerëve):

Kupa e Kampioneve të Europës 1968-69
ORANSODA CANTU-PARTIZANI 90-63 (45-29)
9 janar 1969. Cantu. Pallati i Sportit “Parini”.
ORANSODA: Burges (18), Recalcati (16), Lynn (9), Farina (7), Viola (4), De Simone (24), Nanni, D’Aquila (6), Frigeiro (6’). Nuk luajtën Marno e Dela Fiori.
PARTIZANI: Bekteshi, Lahi (2), Moja, Pëllumbi (10), Fagu (23), Kasmi (2), Boshnjaku, Pali (15), Gjini, Përmeti (11). Luajtën të gjithë.
GJYQTARË: Schober (Gjermania Perëndimore), Fyihond (Zvicra).
GJUAJTJE TË LIRA: Oransoda: të shënuara 14 nga 18. Partizani: 9 nga 18.
Spektatorë: 1800

Rezultat i thellë? Dhe për herë të parë po paraqesim këtu të gjitha ndeshjet e 1/8-tave finale të edicionit 1968-1969 të Kupës së Kampioneve të Europës, për të kuptuar më mirë arritjen dinjitoze të Partizanit, ku do të mund të veçoni sidomos humbjet e thella të skuadrave të tilla si Villeurbane, MTV Giessen, Honved apo Dinamo Bukuresht:

sdfsdfdsfsfs

Këtu mbaronte aventura e bujshme e duelit Partizani-Oransoda. Them e bujshme kur kam parasysh barazimin e ndeshjes së parë dhe të 48 pikëve të Agim Fagut. Pa harruar drejtimin e shkëlqyer të trajnerit Astrit Greva dhe të ndihmësit të tij, të paharrueshmit Njazi Lleshi. Dhe të mos harrojmë: kjo ishte hera e parë që Shqipëria po merrte pjesë në Kupat e Europës në basketboll, që në këte rast ishte Kupa e Kampioneve të Europës. Ishte një befasi e tanë!

Por këtu nuk mbaron aventura e një stili të vërtetë europian të Partizanit të Agim Fagut dhe shokëve të tij, por dhe të Kombëtares së Shqipërisë të asokohe, çka me ulje e ngritjet e saj, kërkon faqe të tana për t’u pasqyruar.

Do të takohemi së bashku me Kapitullin V që do të jetë i fundit, me synimin jo për të përimtuar thjesht një historitë mëpastajme, por për të përmbledhur disi “rrufeshëm” një histori. Kësisoj, edhe për të kuptuar ndikimin e madh europian për ecurinë e basketbollit të Shqipërisë të ndeshjeve, Oransoda-Partizani, të udhëhequr prej një basketbollisti po europian, siç ishte Mjeshtri Agim Fagu.

* Për vazhdimësi shih KAPITUJT I, II dhe III në “Panorama Sport” , 28 shkurt, 6 dhe 16 mars 2024.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR/ Agim Fagu, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA III)

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA II)

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"