HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR/ Agim Fagu, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA III)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 22:04

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR/ Agim Fagu, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA III)

Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI III
… E lëmë për një çast Shqipërinë dhe shkojmë në Itali. Jo në tokën italiane, por në faqet e gazetave italiane. Tek e famshmja “La Gazzetta dello Sport” e Milanos, ndër më të mëdhatë dhe ndër më autoritaret në botë. Eshtë numri i saj i 19 dhjetorit 1968. Një ditë mbas barazimit të ndeshjes Partizani-Oransoda 73-73 dhe të 48 pikëve të të papërmbajtëshmit Agim Fagu. Ka qenë një shkrim që fillonte në faqen e parë dhe vazhdonte në faqen 10 të atij numri të “La Gazzetta dello Sport”.

Çast nga ndeshja Partizani-Oransoda 73-73. Në zotërim të tabelës lojtari i Partizanit, Kujtim Kasmi. FOTO: YMER HALILI

Çast nga ndeshja Partizani-Oransoda 73-73. Në zotërim të tabelës lojtari i Partizanit, Kujtim Kasmi. FOTO: YMER HALILI

Në Kapitullin II treguam se cili ishte autori i shkrimit në fjalë. Ishte Marco Cassani, i dërguari i posaçëm në Tiranë. Siç kemi premtuar këtu është rasti që ta botojmë shkrimin e tij të plotë dhe fjalë për fjalë.

Ai titullohet “Shqiptarët (me Fagun 48 pikë) të barabartë me Oransoda-n”

Tek është:

Shqiptarët (me Fagun 48 pikë) të barabartë me “Oransoda-n

ORANSODA-PARTIZANI 73-73 (41-40)
ORANSODA: Burgess 14, Recalcati 6, Lynn 20, Farina, De Simone 15, Nani, D’Aquilla 7, Frigerio 11. Nuk hynë Marino, Della Fiori, Viola.
PARTIZANI: Lahi 1, Moja 2, Pëllumbi 5, Fagu 48, Kasmi 2, Pali 11, Përmeti 4. Nuk hynë Bekteshi, Çuçi, Boshnjaku, Gjini, Hutka.
GJYQTARË: Kavçiç (Jugosllavi), Marin (Rumani);
SHËNIME: Gjuajtje të lira: Oransoda 21 nga 26, Partizani: 9 nga 12. Të larguar për 5 gabime personale: Pali (në 56-62), Përmeti (në 67-67);
SPEKTATORË: 5000 –

NGA I DËRGUARI YNË –
TIRANA, 18 dhjetor.
Eshtë një njeri i Partizanit që drejtpërdrejt mund të përcaktohet si një nga më të mirët e Europës. Agim Fagu, njëzet e dy vjeç, kapiten i skuadrës, 1.86 shtatlartë, i ka shënuar 48 pikë Oransoda-s, 44 prej të cilave me aksion dhe 4 nga harku i personaleve. Është e vërtetë që gjithë skuadra ka luajtur për të, teksa ai ka mbërritur në ndeshjen e dyzetë ndërkombëtare, e po aq është e vërtetë që saktësia e tij ishte esenca e takimit.

Oransado arriti disa herë të ishte në epërsi. Vlen pak që koshi i barazimit nga Kasmi u arrit të paktën pesë sekonda në mbarim të ndeshjes, ashtu siç dhe ka pak rëndësi nëse në tryezë, përfaqësuesit e klubit nuk mund të zinin vend për të verifikuar gabimet personale të të pandalshmit Fagu apo të lojtarëve të tjerë të Partizanit. Të gjitha këto vlejnë pak, sepse vlerësimit për ndeshjen nuk mund t’i lëvizësh as edhe një presje.

Në këtë zbulim të basketbollit të Shqipërisë, të gjithë mbeteshim në mendimin se u takuam me një skuadër të shpejtë, e përgatitur fizikisht, ndonëse disi më e dobët teknikisht. Historina këto. Shqipëria ka paraqitur një Partizan që mund të figuronte krejtësisht mirë deri në kampionatin jugosllav apo atë italian.

Basketboll modern i markës jugosllave, presing skëterrë, kushte atletike të shkëlqyeshme dhe një shënues i cili vlen sa më të mëdhejtë: Korac, Daneu, Mifka, Steveniers.

Oransoda nuk ka luajtur keq, nuk ka bërë gabime të rënda, ka luajtur me rendimentin që ia njohim në kampionatin e sotëm, me pasazhe pozitive dhe ekstrakte shpërqendrimesh të pakuptueshme, ndërsa ka pasur pasime që kalonin tek kundërshtari, pa ia arritur të ruajë një epërsi të sigurtë.

Shifrat 73-73 përurojnë në Kupën e Europës epokën e barazimeve. Sipas rregullores së re pranohet që takimet mund të përfundojnë në barazim pa dhënë kohën shtesë. Koha shtesë mund të jepet vetëm nëse të dy takimet përfundojnë në barazim.

Më 9 janar Oransoda-s nuk do t’i mungojë mënyra se si ajo luan në Cantu për ta mundur Partizanin, sepse edhe mobilizimi i papërmbajtshëm i shqiptarëve nuk do të mund që t’ia arrijë për ta ndalur në epërsinë teknike, natyrisht duke e lëmë mënjanë të papriturën. Megjithatë, duhet të konstatojmë se në Kupë asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë.

Partizani ka përdorur vetëm gjashtë lojtarë dhe të shtatin, Moja, në fund kur për pesë gabime personale është larguar Pali edhe Përmeti. Ishin gjashtë njerëz të përgatitur mrekullisht në planin atletik, jo deri në majë, natyrisht, por tejet të plotësuar, të shpejtë dhe të sprovuar. Shqiptarët e kanë filluar duke e mbështetur lojën te pivoti 21 vjeçar Pali (1.97 metra), por mandej, duke qenë se De Simone po e kryente plotësisht detyrën e tij, ata kanë luajtur të gjithë për Fagun, me skicimin e bllokimeve, të asisteve dhe ndonëse disi me sforcim, gjithnjë në kërkim të shënuesit të tyre të pashtershëm.

Stankoviç kishte vënë për Fagun amerikanin Lynn, i aftë në sulm (tre kosha që në fillim), por mjaft me mangësi në mbrojtje. Për ndonjë minutë edhe e ka ndërruar me Farina-n, e mandej në pjesën e dytë me Frigerio-n e D’Aquilla-n. Por aspak me sukses. Fagu ka shënuar 26 pikë në pjesën e parë dhe 22 në të dytën. I vetëm ai i ka drejtuar Partizani për të mposhtur gjithnjë një Oransoda, e cila nuk mund të kishte rekurs në zonë. Do të ishte një vetëvrasje, sepse përveç Fagut, dukej që edhe lojtarët e tjerë ishin mjaft të saktë jashtë zonës.

Të gjithë lojtarët me ritmin dhe entuziazmin e tyre të pamposhtur, arrinin t’i përforconin edhe të dhënat teknike. Trajneri Astrit Greva, e thotë thjeshtë:

– Basketbolli është një lloj atletike. Ne e vëmë në jetë këtë koncept. Në Cantu, Partizani do të humbasë, por do të marrë duartrokitje. E, Fagu, përsëri do të detyrojë që të flitet për të. Dhe do të promovohet edhe në pjesën tjetër të Europës.

Me Partizanin luajnë katër lojtarë të Kombëtares dhe dy të përfaqësueses të të rinjve. Nuk duhet harruar se Kombëtarja e Shqipërisë nuk do të paraqitet keq, çka shpjegohet edhe me ndeshjet ndaj Turqisë, teksa ka rivalizuar edhe me atë të Jugosllavisë.

Oransoda ka filluar rrufeshëm në epërsi me disa goditje. E ka nisur mirë (menjëherë 7-2, mandej 15-7 në minutën e pestë), por ja që ka rënë në barazim 17-17, madje ka shkuar deri në disfavor 22-23 dhe 27-29 në minutën e 13-të, duke mbetur ngushtë deri në fund të pjesës së dytë.

Pasaktësitë në mbrojtje nuk ishin gjithçka, megjithatë. Të dyja ndërrimet e Stankoviçit nuk e kanë ndryshuar situatën, edhe pse ai i xhiroi të gjithë lojtarët e skuadrës me përjashtim të Viola-s. Aq më pak ia ka arritur në përpjekjet në zonë, e përdorur në të 17’ me futjen e Nanni-t, duke rreshtuar përpara Recalcati-n dhe Frigerio-n.

Shifrat dukeshin vlerësuese për mirë dhe të krijonin përshtypjen, jo vetëm nga ana e jashtme, të një niveli të mirë, por gjithsesi meritat e Partizanit fuqizoheshin.

Ndonjëherë kërcimet në tabelë nuk ishin efikas, ndërsa disa topa të humbur përtej asaj që dukej e lehtë për të fituar pra, në tabelë, kësisoji si në pjesën e parë, ashtu dhe në të dytën. Dhe Oransoda me një mijë vështirësi ia ka arritur të shkëputet (51-42’ në ‘4), por shpejt u ngushtua në 54-50, madje pak më vonë do të zbriste në disavantazh deri në tri pikë, (64-67 në të ‘16’).

Dhe kur po dukej se ndeshja po zgjidhej në të mirë të Partizanit, Burges ia arriti ta ftohë mjedisin shqiptar me aksionin e tij të frytshëm. Oransoda, si të thuash, ka ardhur në vete, por tashmë kishim mbërritur në fund.

Eshtë një barazim, diçka e rrallë në Kupë. Natyrisht, nuk të kënaq, por nuk ka vend për t’u ankuar: arbitrim i përsosur, publik përtej çdo kapaciteti, tribuna të stërmbushura (me mbi tre mijë njerëz jashtë, pa harruar transmetimin e drejtpërdrejtë televiziv dhe të radiokronikës). Aventura e Tiranës përfundoi kështu me zbulimin e plotë se basketbolli modern luhet edhe në Shqipëri.

MARCO CASSANI

Faqe të shtypit italian për ndeshjen PartizaniOransoda 78-78.

Faqe të shtypit italian për ndeshjen PartizaniOransoda 78-78.

“BASKETBOLL MODERN I MARKËS JUGOSLLAVE… DHE NJË SHËNUES I CILI VLEN SA MË TË MËDHEJTË KORAC, DANEU, MIFKA, STEVENIERS”.
Kështu shkruan Marco Cassani në shkrimin e tij. Të duket si një superlativ. Por nuk është kështu, sepse Partizani dhe Agim Fagu kanë bërë një sensacion europian, të paparë jo thjesht kundër Oransoda-s, por përballë vetë basketbollit të Italisë si një nga vendet më basketbollistike në botë. Dhe mund të themi se krahasimi i Cassani-t është një realitet që ishte shfaqur prej basketbollit të një kombi, i cili në rang kombëtar, pra, kishte vetëm 20 vjet që e ushtronte këtë sport.

Siç e kam nënkuptuar në fillim të kësaj serie historike kushtuar basketbollit, qëllimi në botimet e saj përveçse synimit kryesor, kujtesën dhe përimtimin e mrekullisë së Agim Fagut, ka dhe synimin që edhe në këtë rast të kujtojmë e të tregojmë mundësitë sportive të kombit tonë të vogël, çka jo rrallë ka guxuar të trondisë edhe të mëdhenjtë. Këmbëngul ndërkaq, se e gjithë kjo, kërkon një studim të atij që po e quaj “revolucioni 20 vjeçar i basketbollit shqiptar” (1948- 1968). Për të kuptuar pra, mundësitë e mëdha sa sportive në tanësi të shqiptarëve, po aq dhe të basketbollit në veçanti, sport i cili brenda 20 vjetëve u ngjit tejet në nivele europiane. Partizani i Agim Fagut për te Oransoda është shembulli i madh se ku mund të mbërrihet. E mandej studiuesit të futen në 20 vjeçarët që pasojnë. Kjo në të vërtetë, përmbledh dekada që, për fatin tonë, kanë qenë sa kapriçioze me arritje të tjera, po aq edhe me rënie, që kam përshtypjen se sot janë bërë fort problematike.

Mirëpo, ja që për fat të keq, ne nuk i bëjmë këto studime, natyrisht edhe ngaqë nuk arrijmë të gjejmë jo vetëm studiuesit e sprovuar apo qoftë dhe gazetarë të një thellësie, por, pse jo, nuk arrijmë të gjejmë as mbështetje qeveritare, as mbështetje ministrore e as mbështetje kombëtare olimpike. Ndonëse librat historikë për basketbollin të treshes Xhoxhi Vasili – Spiro Kuvarati – Gavrosh Kavaja dhe ato të profesorit, trajnerit më të madh shqiptar, Feti Borova, me thellësinë e tyre, mund të shërbejnë fort për të kaluar në studimet që po mëtojmë të realizohen.

Përfundimisht nuk mund të them se krahasimi që i bën Cassanit basketbollit shqiptar me atë europian datuar 1968, është artificial.

Ndërkaq, nuk mund të harrojmë se asokohe asnjë basketbollist shqiptar nuk pati mundësi të kalonte në ekipe të skuadrave të shteteve parësore të basketbollit. Dhe përpiquni të merrni me mend, sikur një Agim Fag, bie fjala, do të lejohej të kalonte në një klub perëndimor, siç arriti ta realizonte një gjë të tillë, Ermal Kuqo, biri i një prej basketbollistëve tonë më të shquar Robert Kuqo, i cili me Kombëtaren e Turqisë mbërriti deri në Kampionatet Europiane e madje Botërore (kujto Botërorin 2006 kur Turqia zuri vendin e 6-të në botë, duke qenë Kuqo një nga protagonistët). Nuk mund ta harroj bisedën që kam pasë rastin të bëj me një nga trajnerët e Ermal Kuqos, të famshmin Bogdan Tanjeviç, gjatë Kongresit të Gazetarëve Sportivë të Ballkanit në Stamboll në vitin 2004, kur ai, duke më çmuar lart Ermal Kuqon, më fliste me plot siguri për mundësitë e sigurta të basketbollit shqiptar.

Vërtet, kushedi se me çfarë klubesh europiane do të mbërrinte edhe Agim Fagu.

Dhe pa asnjë ngurim Marco Cassani e krahason atë me një katërshe mitike të basketbollit europian: Korac-Daneu-MifkaSteveniers. Natyrisht duke vënë në krye legjendarin Radivoje Korac pra (1938-1969) të Jugosllavisë, të famshmin tjetër po të Jugosllavisë Ivo Daneu (1937), e duke mbërritur mandej te dy të mëdhenj të tjerë të asokohe, Robert Mifka (1941-2018) i Çekosllovakisë e Uylli Steveniers (1938) i Belgjikës. Ishin yje të pashembullt të Europës, madje, “noblesse oblige”, nëse mund të shpreheshim kështu, duke nënkuptuar përgjegjësinë e fuqishme të talentit të tyre deri në përfaqësuesen e Europës. Ajo që do ta thërriste edhe Agim Fagun e Shqipërisë, çka do ta tregojmë më pas.

Sigurisht, nuk do t’i bëjmë analizë kritike shkrimit të njeriut të shquar të profesionit tonë, Marco Cassani, por nuk mund të mos veçojmë, përveç të mësipërmve, edhe përcaktime të tjera emblematike të tij, të tilla si:

“…Është një njeri i Partizanit që drejtpërdrejt mund të përcaktohet si një nga më të mirët e Europës, Agim Fagu…”.

“…Në këtë zbulim të basketbollit të Shqipërisë, të gjithë mbeteshim në mendimin se u takuam me një skuadër të shpejtë, e të përgatitur fizikisht…”

“…Shqipëria ka paraqitur një Partizan që mund të figuronte krejtësisht mirë deri në kampionatin jugosllav apo atë italian…”.

“…Aventura e Tiranës përfundoi kështu me zbulimin e plotë se basketbolli modern luhet edhe në Shqipëri…”.

Dhe asgjë nuk mbaron këtu.

Eleganca dhe stili europian i Agim Fagut. (Foto është marrë nga libri unikal “Me basketbollin në vite” (Libri III) i autorëve Xhorxhi Vasili, Gavrosh Kavaja, Spiro Kuvarati.

Eleganca dhe stili europian i Agim Fagut. (Foto është marrë nga libri unikal “Me basketbollin në vite” (Libri III) i autorëve Xhorxhi Vasili, Gavrosh Kavaja, Spiro Kuvarati.

NGA “CORRIERE DELLA SERA” TE “I GIGANTI DELL BASKET”:
BASKETBOLL MODERN: ME FAGUN NË LARTËSINË E AMERIKANËVE MË TË MIRË, NË EUROPË”; “NJË YLL EUROPIAN”…
Nuk është mjaftuar vetëm “La Gazetta dello Sport”. Dhe nuk është vetëm gazetari Marco Cassani. “Do të ndalemi te gazeta më e madhe e Italisë, që është “CORRIERE DELLA SERA” dhe te gazetari i saj, Luigi Cechini. Shkruan Cecchini:

“…Askush nuk e njihte skuadrën shqiptare, por tani ne dimë që ka prerjen e një protagonisteje. Dhe na duhet të theksojmë se midis lojtarëve me fanella të kuqe është edhe ai me emrin Fagu, të cilin po e quajmë “mostro” (“përbindsh”, por që në këtë rast thuhet me kuptimin figurativ të italishtes, si një njeri “i një natyre krejt të jashtëzakonshme”). Fagu, njëzet e një vjeç, 1.87 shtatlartë i cili ka shënuar bukur 48 pikë. Fagu ishte i pandalshëm dhe i saktë në të gjitha topat; e gjithë skuadra shqiptare ka luajtur një basketboll modern dhe me një përgatitje atletike të përsosur. Të gjithë aksionet e të kuqve synonin t’ua kalonin në kohë kundërshtarëve. Mandej, ata furnizonin me topa Fagun, i cili ishte në lartësinë e amerikanëve më të mirë të cilët luajnë në Europë. Dhe është Fagu që vendos. Ai është i aftë të çmarkohet, mbërrin në kërcimet në tabelë dhe bën gjithçka. Por edhe të tjerët punojnë shumë, organizojnë kundërsulmin e zjarrtë, përcjellin topat poshtë dhe bëjnë pasime të shpejtë për të nxjerrë jashtë loje kundërshtarët shtatlartë… Për atë çka pamë e bërë, që, përmes shpirtit të garës me të cilin të cilin luftuan, shqiptarët e kanë merituar barazimin…”.

Ndërkaq, revista “I GIGANTI DEL BASKET” përcakton kështu:

“…Në të vërtetë Oransoda në Shqipëri e kërkoi fitoren. Por ajo u ndodh përballë një basketbolli të mirë (të paparashikueshëm) të shqiptarëve dhe mbi të gjitha u ndodh përballë “mister 48”, shënuesi i pagabueshëm me emrin Fagu. Ai di t’i përdorë mirë cilësitë e tij personale. Shfaqet pa probleme dhe veç shënon. Në ndeshjen e Tiranës ai arriti të realizojë 90 përqind të përpjekjeve të tij, duke vënë në vështirësi në fillim Lynn-in, mandej të tjerët: A’quila, Frigerio, Farina, të cilët u përshkuan radhazi në markimin e tij. Një befasi e madhe! Pavarësisht nga mosha e tij e re, ai njihet si një basketbollist i sprovuar, me 41 ndeshje ndërkombëtare mbi supe, dhe ka një mesatare prej rreth 35 pikësh për ndeshje. Nëse ndodh që edhe në Cantu do të arrijë te realizojë pjesërisht ato çka bëri në ndeshjen e parë, atëherë atë mund ta përcaktojmë pa mëdyshje si një yll europian. Për Oransoda-n ishte pra, befasia Fagu, por dhe befasia Partizani. Një skuadër shqiptare kjo, cila luan një basketboll modern, racional, të shpejtë, plot shpirt dhe me një përgatitje atletike dhe qartësi për 40 minuta të tana. Me një moshë mesatare 22 vjeç dhe me një mesatare shtatlartësie 1.88 metra, shqiptarët janë të zot të impenjojnë çdo skuadër europiane, sidomos në fushën e tyre. Në Cantu, sigurisht do të jetë një muzikë tjetër. Do ta shohim, megjithatë…”

. VITI 2010: TAKIMI I 42 VJETËVE MË VONË STANKOVIÇ-FAGU
E, këtu po bëjmë një kapërcim për te shekulli XXI i një takimi krejt befasues midis dy protagonistëve të ndeshjes së Tiranës, Partizani-Oransoda 78-78. Eshtë një takim midis njeriut legjendar të basketbollit botëror, trajnerit Borislav Stankovic të Oransoda-s të vitit 1968 dhe basketbollistit që e sundoi këtë ndeshje, Agim Fagut – legjendarit tonë. Ka ndodhur në vitin 2010.

Kopenhagen. Vitit 2010. Një takim emocionues i pas 42 vjetëve i dy personazheve të mëdhenj të ndeshjes Partizani-Oransoda 78-78: basketbollisti Agim Fagu në rolin e Presidentit të KOKSH dhe trajneri Borislav Stankoviç në rolin e Presidentit të FIBA-s.

Kopenhagen. Vitit 2010. Një takim emocionues i pas 42 vjetëve i dy personazheve të mëdhenj të ndeshjes Partizani-Oransoda 78-78: basketbollisti Agim Fagu në rolin e
Presidentit të KOKSH dhe trajneri Borislav Stankoviç në rolin e Presidentit të FIBA-s.

Është sesioni i Kongresit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO) në Copenhagen të Danimarkës, ku papritmas takohen dy njerëz të një dueli të rrallë të basketbollit, njeri drejtpërdrejt në fushën e lojës, tjetri nga pankina e trajnerit drejtues. Ky është takimi historik i mbas bukur 42 vjetëve, ai Fagu-Stankoviç, për fat i fiksuar në këtë foto të ruajtur prej protagonistit tonë. “Oh, Fagu!” i drejtohet me buzagaz dhe me plot emocione, Borislav Stankoviç, ndërsa aparati fotografik bën punën e vet, teksa trajneri i madh shpreh një respekt të jashtëzakonshëm. Ky është kavalerizmi i njerëzve të vërtetë të sportit, që flak tej çdo egoizëm profesional i çdo lloji që ky mund të jetë.

Takimi është tejet emocionues dhe papritmas disi rrufeshëm kujtimet e tyre shkojnë te 18 dhjetori 1968 i ndeshjes Oransoda-Partizani 78-78 dhe i 48 pikëve të Agim Fagut. Foto është vërtet mbresëlënëse, e, për hir të së vërtetës, teksa kthehet te role të një kohe të 42 vjetëve më parë, tash, vetvetiu ndal në role të tjera të një aktualiteti datuar 2010. Protagonisti Agim Fagu është në rolin e tij aq të merituar të Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ndërsa protagonisti tjetër, Borislav Stankoviç është në rolin e detyrës së tij sportive botërore të Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA).

Me këto radhë dhe këtë foto po historike në intimitetin e saj, mbyllet edhe Kapitullin III i tregimit tonë. Kemi ende për të treguar e për të shkruar. Vërtet, si u prit Partizani në Cantu dhe çka ndodhi atje?

Do të takohemi në ditët e ardhshme përmes Kapitullit IV…

* Për vazhdimësi shih KAPITUJT I dhe II në “Panorama Sport”, 28 shkurt dhe 6 mars 2024.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA II)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"