HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA II)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 22:42

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA II)

Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI II
SHQIPËRIA 1968 DHE SPORTI I AGIM FAGUT ME SHOKË…
…Interesante është ndërkaq se “Sporti Popullor” ruan një gjakftohtësi, si të thuash, një kundër eufori për këtë rezultat, që sot e kësaj dite duhet quajtur si hapi i parë kuptimplotë europian i basketbollit shqiptar. Dhe na duhet të futemi në vetë jetën politiko shoqërorosportive të asaj kohe. Dihet, historia në jetën e një kombi vështrohet apo përimtohet gjithmonë në universalizmin e saj, pjesë e rëndësishme e së cilës është dhe sporti kombëtar i çdo vendi.

Çast nga ndeshja Partizani-Oransoda 73-73. Fagu përballë tri “rojeve” të tensionuara italiane. FOTO: YMER HALILI

Çast nga ndeshja Partizani-Oransoda 73-73. Fagu përballë tri “rojeve” të tensionuara italiane. FOTO: YMER HALILI

Kështu, në numrin pasardhës të gazetës, sundon jehona e fjalës së Enver Hoxhës në Konferencën e 17-të të Partisë të rrethit të Tiranës, shoqëruar me një poezi “patriotike” të asaj kohe, shkruar në gegnisht prej poetit e studiuesit të paharrueshëm Mark Gurakuqi. Ndërkaq, në faqen 3 të gazetës jehona e llojit “sportivo-socialist”, për çudi i lihet autorit të këtushëm Besnik Dizdari, me titullin “Mbresa, dëshira dhe urime të punëtorëve”. Ishte fjala për sportdashës punëtorë në uzinën e ashtuquajtur të pjesëve të ndërrimit për traktorë në Tiranë. Frymë e klasës punëtore, doemos!… Punëtorë pra, por të cilët përmes dialogut të shkrimit shprehen aq fort entusiaztë për Partizanin e basketbollit të Agim Fagut e shokëve të tij. Kësisoj, në mënyrë “socialiste”, isha bërë një lloj interpreti “i vogël” publik i kësaj ndeshjeje historike, përmes një jehone thuajse “revolucionare” të klasës punëtore, por e shkrirë me mjedisin e vërtetë sportiv, çka sikur ia arrinte ta “flate” tej politikën e partisë. E, sporti, dihet, në thelb është laik.

Një javë më vonë gazeta shpall “Pesë Sportistët më të Mirë të vitit 1968” të cilët janë: 1. Diana Lloçko (qitëse); 2. Agim Fagu (basketbollist); 3. Marjeta Pronjari (atlete); Iljaz Çeço (futbollist) dhe 5. Sali Hima (çiklist).

Dhe sporti shqiptar që nuk ndal. Më 5 janar 1969 kampionia e Shqipërisë në volejboll për femra, 17 Nëntori, me në krye kapitenen historike të tij, Fahrije Hoti, fiton 3-0 me Fenerbahçen e Stambollit për Kupën e Kampioneve të Europës, duke realizuar kualifikimin e parë të Shqipërisë në Europë për volejbollin e femrave. 17 Nëndori, emri i të cilit i shkruhet ende me “d”, pra jo me “t”, fiton edhe ndeshjen e dytë 3-2 në Stamboll. Kjo është pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në Kupat e Europës për femra, sukses i madh ky nën drejtimin e trajnerit të paharrueshëm Harun Dojaka. Në të vërtetë është një treshe trajnerësh, sepse pranë Dojakës janë edhe Fatmir Meka i madh si dhe trajnerja Gjystina Korra. E, këtu, teksa përfitoj nga historia e Agim Fagut, si në një parantezë përshkoj paksa vitin 2023 që sapo kaloi, për të kujtuar se Turqia u shpall Kampione Europës në volejboll për femra! 55 vjet më parë ajo ka qenë poshtë volejbollit të femrave të Shqipërisë, e cila do të mbërrinte deri në katërshen finaliste të Europës. Sot Turqia është kampione spektakolare e Europës! Po Shqipëria e sotme?… E shihni pra, se çfarë problematikash tronditëse ka sot sporti shqiptar, të cilit i del përpara e pamëshirëshme mrekulla e barazimit me kampionen e Italisë të basketbollit, Oransoda e Cantu. Aq më tepër kur kujton se vetëm këto ditë Shqipëria në ndeshjen e saj për Kupën e Botës në basketboll për meshkuj, nuk mbërriti më shumë sesa deri te humbja 79-84 me Armeninë modeste!…

Kështu pra, kjo është vlera tronditëse të kthimit për te historitë e mëdha të sportit shqiptar, sado të rralla që ato mund të jenë…

Qëndrojmë te ky “libër” i yni. Është 5 shkurt 1969. Dhe për çudi, vetëm 50 ditë pas barazimit me Oransoda-n e 48 pikëve të tij, në klubin sportiv “Partizani”, Agim Fagut i jepet titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Eshtë kryetari i Komitetit KP-së të BFSSH-së, Rexhep Doda, një njeri fort i nderuar në historinë e sportit shqiptar, është ai që i dorëzon Fagut këtëtitull të lartë. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se teksa fiksojmë këto anale të historisë së sporteve, ky është një tjetër “rekord” për jetën sportive edhe të vetë familjes Fagu. Vetëm një vit më parë, i ishte dhënë babait të Agimit, legjendarit të futbollit shqiptar, Besim Fagut, po ky titull i “Mjeshtrit të Merituar”. Nuk kishte ndodhur kurrnjiherë e nuk ka ndodhur as deri sot në Shqipëri, që brenda 12 muajve babë e bir të nderohen kësisoji me titullin sportiv më të lartë. Ndërkohë që po ndalim te një lloj jubileu befasues që qenka ky i 55 vjetorit (1969-2024) të nderimit të Agimit, personazhit tonë, me titullin e lartë.

“Sporti Popullor” i kushton dukshëm vend në faqen e parë kësaj ceremonie, e cila mbyllet duke parë të pranishmit edhe një herë transmetimin televiziv të ndeshjes Partizani-Oransoda. Titull që i jepet me këtë motivacion: “Për rezultate të larta në rritjen e mjeshtrisë sportive, për mobilizim të madh dhe lojë të nivelit të lartë në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të basketbollit”.

Sado disi “burokratik” që të duket ky motivacion, ajo që më mban paksa pezull pas kaq vitesh është kjo pyetje: A është Agim Fagu “Mjeshtri i Merituar” më i ri në krejt historinë e sporteve në Shqipëri? Ai ishte 21 vjeç!

Ndërkaq, duke qëndruar gjithnjë te viti 1968, duhet thënë se për Shqipërinë Socialiste, ky ishte viti që vinte mbas atyre revolucionarë 1966 dhe 1967, që sanksiononin një izolim të pashembullt, një mpakje të papame për popullin shqiptar. Sidoqoftë, ai që do të luftonte si pa dashur kundër këtij “izolimi”, për çudi do të ishte sporti. Doemos Partia e kuptonte vlerën e sportit, duke u përpjekur që, në kufijtë ende të ngushtë të saj, ta shfrytëzonte paksa për të treguar një imazh disi tjetër të Shqipërisë për botën e jashtme. Natyrisht duke e bërë atë pjesë të atij që mund të quhet “patriotizmi socialist”.

Sapo fillon viti, në Tiranë, me rastin e 500- vjetorit të vdekjes, përurohet monumenti i Skenderbeut, ndërsa Krujës i jepet titulli “Qytet Hero”. E nuk di nëse e mban ende edhe sot. E po aq nuk di nëse mban edhe ndonjë qytet tjetër këtë titull, kopje e shkëlqyeshme e sistemit sovjetik, ndonëse Shqipëria prej bukur 8 vjetësh ishte shkëputur prej Bashkimit Sovjetik, tashmë armik.

Ky është një Partizan i vitit 1968 – Kampion i Shqipërisë. Nga e majta: trajneri Astrit GREVA, kapiteni i skuadrës Agim FAGU, Vladimir GJINAJ, Nikolin PALI, Edmond MOJA, Guxim BEKTESHI, Vladimir ÇUÇI, Astrit HUTKA, Dodan PËRMETI, Besnik PËLLUMBI, Spartak BOSHNJAKU. (Foto është marrë nga libri unikal “Me basketbollin në vite” (Libri II) i autorëve Xhorxhi Vasili, Gavrosh Kavaja, Spiro Kuvarati).

Ky është një Partizan i vitit 1968 – Kampion i Shqipërisë. Nga e majta: trajneri Astrit GREVA, kapiteni i skuadrës Agim FAGU, Vladimir GJINAJ, Nikolin PALI, Edmond MOJA, Guxim BEKTESHI, Vladimir ÇUÇI, Astrit HUTKA, Dodan PËRMETI, Besnik PËLLUMBI, Spartak BOSHNJAKU. (Foto është marrë nga libri unikal “Me basketbollin në vite” (Libri II) i autorëve Xhorxhi Vasili, Gavrosh Kavaja, Spiro Kuvarati).

17 DHJETOR 1967 – 18 DHJETOR 1968:
TRI MREKULLI SPORTIVE:
GJERMANIA 0-0, TORINO 1-0, ORANSODA 78-78!
Ndërkaq sporti nuk ndal. Komiteti i Këshillit të Përgjithshëm i BFSSH-së kishte sanksionuar një tufë mjeshtrash të rinj të sportit dhe katër mjeshtra të merituar pra: Besim Fagu, Lin Shllaku, Belul Hatibi e Ramazan Driza. Dhe më 12 mars 1968, “Sporti Popullor” me format të madh, botonte një numër special me 6 faqe, tri faqe prej të cilave i merr fjala e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike me temën “Për revolucionarizimin e shkollës sonë”. Politika në plan të parë! “Ideologjia e Partisë të përshkojë fund e krye si një bosht i vetëm, gjithë punën tonë me sportistët e kuadrot”, është titulli i një shkrimi të gjatë të gazetës. Pas një jave njoftohet se qitësja Liri Beqja barazon rezultatin e kampiones botërore të vitit 1966 në pushkë me precizion 1×60 me 591 pikë. Ndërkaq, mbërrin njoftimi i botimit të vëllimit të parë të veprave të “shokut Enver Hoxha”, i cili ndërkohë ka marrë malet për një vizitë në “malësitë e thella të Veriut”. E, Marjeta Pronjari arrin 1.68 metra në kërcimin së larti, ndërsa në Tiranë çelet Spartakiada Kombëtare e të rejave. Dhe ja ku mbërrin mandej, vendimi për denoncimin e Traktatit agresiv të Varshavës, teksa Shqipëria “e frikësuar” ngushtohet edhe më tej. Por…

Mbrenda 12 muajve ashtu do të ndodhte pra, me sportin shqiptar që në Europë konsiderohej “i vogël”. Kishte nisur me 17 dhjetor 1967 me sensacionin 0-0 ndaj Gjermanisë. Mandej mbërrin dhurata tjetër e madhe. Do të ishte 18 shtatori 1968 dhe Partizani-Torino e Italisë 1-0 për Kupën e Kupave të Europës në futboll, një ndeshje legjendë kjo në historinë e futbollit shqiptar ndaj atij të Italisë. e cila sapo ishte shpallur Kampione e Europës. Natyrisht askush nuk mund të mendonte në këtë shtator “torinez” se 90 ditë më vonë, 18 dhjetor 1968, një Partizan tjetër, ai i basketbollit të Agim Fagut me shokë, do të thyente një tjetër barrierë të izolimit, përsëri ndaj sportit të një vendi “kapitalist” si Italia më sportive se kurrnjiherë.

I pari pra, ishte 17 dhjetori 1967 me 0-0 e saj të famshme që do të shkaktonte eliminimin e Gjermanisë nga finalet e Kampionatit të Europës në futboll. Ndonëse, një eliminim ky që për fat të keq të Shqipërisë socialiste, do të ishte në të mirë të një shteti tjetër “armik”: Jugosllavisë së Josip Broz Titos.

Është vërtet i rrallë viti sportiv 1968 në kontrastet e sukseseve të tij përballë ngushtësisë së papërmbajtëshme të politikës. Do të mbërrinim te maja e 18 dhjetorit 1968 në Partizani-Oransoda 73-73, e 48 pikëve të Agim Fagut. Çka i bashkohet suksesit të madh të Torinos, si një lloj sfide ndaj një prej vendeve më sportivë të Botës që ishte Italia kapitaliste, e cila kishte luajtur role parësorë në themelimet sportive të Shqipërisë së viteve ‘30 të Mbretit Zog.

Ja ku papritmas, sot “zbuluam” se brenda 12 muajve, 17 dhjetor 1967 – 18 dhjetor 1968, një vend i vogël ballkanik, siç përcaktohej Shqipëria, kishte arritur tre sensacione sportive të pashembullta europiane: Gjermanisë 0-0, Torinos 1-0 dhe Oransoda-s 73- 73! Asnjëherë nuk i paskemi bashkuar si sot në analet e historisë sonë këto 12 muaj të këtyre tri fenomeneve europiane të sportit shqiptar. U bë shkas Agim Fagu me historinë e tij të pashlyeshme. Vërtet, si nxiten prej ngjarjeve të mëdha, edhe pse të njohura, “zbulimet e reja” të gazetarisë…

1969. Gazeta “Sporti Popullor”, me një shkrim të posaçëm të faqes së parë, paraqet ceremoninë e dhënies së titullit “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, Agim Fagut, 50 ditë pas ndeshjes Partizani-Oransoda

1969. Gazeta “Sporti Popullor”, me një shkrim të posaçëm të faqes së parë, paraqet ceremoninë e dhënies së titullit “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, Agim Fagut, 50 ditë pas
ndeshjes Partizani-Oransoda

KUR ME UILLIAM JONES TË FIBA-S NIS NJË JEHONË EUROPIANE…
Tash do të shkojmë te fillimi i konfirmimeve, si të thuash opinionistike, çka do ta quajmë një lloj jehone europiane të rezultatit 78-78 të Partizani-Oransoda.

Dhe thuajse rrufeshëm, menjëherë pas ndeshjes, mbërrin jehona e parë. Në ndeshje ka qenë i pranishëm, as më pak e as më shumë, por pikërisht sekretari mitik i Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit, njeriu me emrin latino-britanik, Renato Uilliam Jones (1906-1981). Ne e njihnim vetëm si Uilliam Jones (drejtshkrimi shqiptar e jepte si Uilliam Xhons), por emri i tij qenka italian: Renato! Kjo thjesht, sepse kishte lindur në Romë. E përcaktojmë “mitik”, sepse ky njeri do të jetë sekretari përgjithshëm i FIBA-s për plot vjet 44 vjet: 1932-1976!

Për historinë e basketbollit, madje të krejt historisë së sportit shqiptar, ndërhyrja e tij mbetet e bujshme, jo vetëm për basketbollin, por për gjithë historinë e sportit shqiptar. “Sporti Popullor”, në ftohtësinë e vet të çuditshme, nuk i jep bujë kësaj ngjarje, por fatmirësisht boton një shkrim informativ krejt të vogël, prej ku mësojmë dy veprime befasuese të Uilliam Jones-it, një deklarim të tij dhe një nderim të veçantë bash për Agim Fagun. Pas ndeshjes, Jones thotë: “Pashë një suprizë të madhe. Loja ishte e fortë dhe shumë e bukur. Lufta sportive ishte e këndshme dhe interesante. Më pëlqeu publiku shumë i zjarrtë, objektiv dhe korrekt”.

Vetëm kaq? Jo. Në darkën e lamtumirës, papritmas Jones ngrihet dhe i dorëzon kapitenit të Partizanit, Agim Fagut, flamurin e FIBA-s dhe distingtivin e saj, e çka është më e rëndësishme, veprimin e tij e shoqëron me këto fjalë:

“Këtë flamur ne ua japim vetëm basketbollistëve të shquar. Edhe ju jeni i tillë. Është një nder dhe një kënaqësi e madhe për mua t’u përgëzoj për lojën e shkëlqyer që zhvilluat dhe t’u dorëzoj këtë kujtim simbolik.”.

Ky nder nuk i ishte bërë deri asokohe asnjë sportisti shqiptar prej një personaliteti të forumeve drejtuese të sportit botëror. Dhe sigurisht nuk mbaron me kaq.

Kapiteni i Oransoda-s, Antonio Frigerio, thotë:

“Nuk e prisnim të gjenim lojtarë kaq të përgatitur, fizikisht e teknikisht. Ndeshja ishte një mësim i madh për ne. Prej saj kemi përfituar shumë. Skuadra e juaj qe një partnere e denjë për ne. Të gjithë basketbollistët tuaj më pëlqyen, por në mënyrë të veçantë ne admiruam kapitenin e skuadrës, Fagun”.

E tash, pas plot 55 vjetëve, më lind pyetja: Si ka mundësi që në asnjë rresht, qoftë edhe në pasqyrimin e “Sportit Popullor” për ndeshjen, nuk gjejmë askund emrin e trajnerit të Oransoda-s apo një mendim të marrë prej tij?

E pra, cili ishte trajneri i italianëve? Ai ishte një figurë po aq mitike e basketbollit botëror. Emri i tij ishte Borislav Stankoviç (1925-2020). Ky kroato-slloven, siç i tillë njihej, ishte nga Bihaçi i Jugollavisë. Lojtar i Kombëtares jugosllave nga 1940 deri më 1953. E unë jam i bindur që ai ka luajtur në ndeshjen dërmuese Jugosllavia – Shqipëria 90-13 të Kampionatit Europian të Pragës më 1947. Dhe çudia e çudive: trajneri Stankoviç është njëkohësisht edhe zëvendësekretar i përgjithshëm i FIBAs, pra, zëvendës i Uilliam Jones-it! A vërtet “armiqësia” me Jugosllavinë është bërë pengesë, që shtypi shqiptar ta zhdukë asisoji praninë e Stankovicit? E për kë? Pikërisht Borislav Stankoviçin, i cili më pas, nga 1976 deri në vitin 2002, do të jetë ai sekretari i përgjithshëm i FIBA-s – i dyti në këtë rol në gjithë historinë e basketbollit botëror!

Deri te këto personazhe kalibri kishte “ndërhyrë” Partizani i Agim Fagut me këtë arritje të paimagjinueshme për atë kohë e për këtë kohë të basketbollit shqiptar.

PO! AGIM FAGU – “EUROPA” E BASKETBOLLIT SHQIPTAR!
Sidoqoftë, edhe pohimet e mësipërme, që siç i lexoni, janë të një rangu krejt të jashtzakonshëm, mjaftojnë për të pohuar ne sot, se kishte nisur një jehonë e europiane për këtë barazim të paparë Partizani-Oransoda 73- 73. Çka ne e simbolizojmë me titullin e shkrimit tonë: “AGIM FAGU – ‘Europa’ e basketbollit shqiptar”.

Dhe ndodh që këto punë, shpesh të kenë edhe biseda a marrëdhënie, që përherë në profesionin tonë të gazetarit nuk na ndahen. Më ka shkruar me të drejtë Agim Fagu që sot ne dhe ata që drejtojnë basketbollin, duhet të kuptojnë e të reflektojnë edhe për situatën e sotme të këtij sporti. E të duket sikur ndodhemi përballë një indiferentizmi apo të të kënaqurit me pak. Ndoshta kjo është sëmundja më e re e sotme e krejt sportit shqiptar. Se për fat, sot kështu nuk ngjet vetëm me basketbollin…

Ndërkaq, teksa i kthehem arkivit tim, pashë se unë kisha shumë pak në krahasim me ato çka ruante Agim Fagu. Kjo është ajo dukuri që njihet si arkivi personal i sportistëve të mëdhenj. Fort i rëndësishëm për shkrimin e historisë sportive të çdo kombi. Dhe, ajo që sot mund të thuhet në një mënyrë disi problematike, të çon te mëdyshjet e përsesë apo heshtjes së asokohe. Është vërtet e çuditshme përse nuk kemi hulumtuar, kërkuar dhe botuar jehona sportive kësisoji për sportin tonë, sado mdeste që të kenë qenë arritjete tij! Them se edhe në këtë rast, fajtori është një dhe vetëm një: regjimi. Ndaj të cilit natyrisht që ishim nënshtruar edhe ne, gazetarët. Dhe? “Shtypi i huaj! Shtypi borgjez! Armiqtë tanë të socializmit”! E tjerë, e tjerë…

Sigurisht mbas vitit 1990 gjithçka ka ndryshuar. Botimet tona i janë kthyer asaj kohe dhe arkivi u hap për lexuesin edhe në këtë fushë. Libra, shkrime, analiza, kujtime, histori, çka më bën, duke mos harruar edhe ata të tjerë që shkruajnë përsëmbari, të ndihemi krejt ndryshe.

Në kapitullin III që do të pasojë këtë”libër” tonin për basketbollin, por me personazh kryesor Agim Fagun, do të botojmë shkrimin e gazetës të rangut botëror në gjininë apo llojin tonë, që është “La Gazzetta dello Sport”, me autor gazetarin Marco Cassani.

Cili ishte Marco Cassani? I ndarë nga jeta më 1979, në moshën 45 vjeçare, ndërsa po rrëshqiste në ski, ai i kishte arritur të gjitha në profesion. 26-vjeçari ishte bërë gazetar i të famshmes “La Gazzetta dello Sport” të Milanos, qytetit të tij të lindjes. Arrin deri drejtor i po të famshmes “Atletica Leggera”, teksa është gazetar i alpinizmit dhe skive, për të kaluar përfundimisht si gazetar drejtues në “La Gazzeta” për basketbollin, por duke bashkëpunuar edhe me revistat e shquara “I Giganti del Basket” e “Play Basket”. Do të zgjidhej president i Shoqatës së Gazetarëve të Basketbollit në Itali. Gazetar i një etike të lartë, i saktë, kompetent, i njëjti në polemikë. Tejet modestdhe i paaftë për miqësira të interesit vetjak, duke i pasqyruar sukseset pa ekzagjerime, çka e bënë një nga zërat më të dëgjuara dhe autoritare e ka përcaktuar “La Gazzetta”.

Marco Cassani është, si të thuash, afirmuesi i parë në përcaktimin në shtyp të nivelit europian të basketbollit shqiptar. Nuk do t’i bëjmë “kritikën” profesionale atij shkrimi të rrallë analitik për mrekullinë e barazimit të Partizanit e të basketbollit europian të Agim Fagut. Kësisoji, në këto rradhë, vetëm po “nënvizojmë” se ky është shkrimi i jashtëzakonshëm analitik që na bën të titullojmë sot ne: “AGIM FAGU – ‘Europa’ e basketbollit shqiptar”. Çka para nesh këtë e ka thënë dhe argumentuar pra, gazetari i madh italian Marco Cassani në shkrimin e tij në “La Gazzetta dello Sport”.

Do ta lexoni në Kapitullin III të “librit” tonë.

* Për vazhdimësi shih KAPITULLIN I në “Panorama Sport”, më 28 shkurt 2024.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"