HISTORI KUQEZI/ Viti 1953: Shqipëria e Miklos Vadas 2-0 Polonisë, e… përsëri 2-0!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2023 | 20:24

HISTORI KUQEZI/ Viti 1953: Shqipëria e Miklos Vadas 2-0 Polonisë, e… përsëri 2-0!

Nga BESNIK DIZDARI
ËSHTË PLOT 70 VJET MË PARË
Viti 1953. Shekulli XX. Për çudi jemi pikërisht në prag të një ndeshjeje tjetër Shqipëria – Polonia, që është kjo e ditës së nesërme, por tash për Kupën e Europës të vitit 2024 të shekullit XXI. Duket sikur po kthehemi në “antikitet”. Në të vërtetë, sado “antike” ta quajmë këtë ngjarje të 70 vjetëve më parë, edhe pse një ndeshje miqësore, kurrsesi nuk mund të mos pranojmë se ajo, në përmbajtjen dhe nivelin e saj, i përket po Europës së futbollit modern të asokohe. Kësisoj, edhe pse protagoniste ishte Kombëtarja e Shqipërisë së “vogël”, por e cila nuk donte të ndalej.

29 NËNTOR 1953. Shqipëria – Polonia, 2-0. Tribuna qendrore klasike dhe historike e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” që nuk është më. Skuadrat duke hyrë në fushën e ndeshjes. Djathtas Fagu, Vogli, Boriçi, Vila, Jareci, Resmja.

29 NËNTOR 1953. Shqipëria – Polonia, 2-0. Tribuna qendrore klasike dhe historike e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” që nuk është më. Skuadrat duke hyrë në fushën e ndeshjes. Djathtas Fagu, Vogli, Boriçi, Vila, Jareci, Resmja.

E kemi fjalën për ndeshje të Kombëtares së saj në tokën e saj. Ndikimi vjen prej dy fitoreve të bujshme të një viti më parë, ato të “Shqipërisë së Myslym Allës”, siç kemi titulluar në dy numra të mëparshëm të “Panorama Sport”, një Shqipëri, e cila brenda 8 ditëve kishte mposhtur dy herë, 3-2 e 2-1, Çekosllovakinë.

Tash do ta kishte radhën dikush tjetër…

Por nuk mund të mbërrijmë kaq shpejt te kjo ngjarje, që i përket po ditës së çlirimit të asaj që quhej Republika Popullore e Shqipërisë: 29 Nëntor, tashmë i vitit 1953. Sepse ky vit 1953 do të ishte një vit tjetër i pasur për futbollin shqiptar, madje jo pak edhe i çuditshëm, kontradiktor, humbës dhe fitues. Thjesht ngaqë për të mbërritur te fitorja 2-0 me Poloninë, për fat, Kombëtarja e Shqipërisë do të përshkohet edhe në humbje vërtet kontradiktore.

E, prapë më duhet të mbështetem te “Libri i Kombëtares” dhe të mbërrij tek argumenti që edhe sot po e titulloj me emrin e një njeriu të vetëm. Ai ishte një burrë nga Hungaria, i cili quhej Miklos Vadas. E pra? Kishte shpërthyer futbolli hungarez i Pushkashit, Grosiçit, Bozhikut, Hidegutit e Koçishit. Dhe të thirrej një trajner nga Hungaria, doemos që asokohe konsiderohej fat i madh, sidomos për futbollin shqiptar.

Kështu, krejt papritmas, në Shqipëri mbërrin hungarezi 45-vjeçar Miklos Vadas, me synimin për t’i dhënë Kombëtares shqiptare sadopak një stil hungarez. Nuk ishte një emër sidokudo. Njeri i kulturës dhe i praktikës së futbollit, anëtar i Këshillit të Trajnerëve të Hungarisë, Vadas kishte një emër. Futbollist i njohur i Paraluftës me skuadrat e Budapestit, Pasluftës ai arrin deri në trajner i Kombëtares B të Hungarisë, madje edhe i Ferencvaroshit që ishte pjesë e elitës së futbollit hungarez, pikërisht në kulmet e tij, në fillim të viteve ’50. Miklos Vadas ishte drejtuesi i lojtarëve për të rinj dhe atyre të rezervave pranë Këshillit të Ministrave të Hungarisë, funksione që asokohe nënkuptonin poste të rëndësishme, në stilin e organizimeve të tilla në vendet komuniste.

Historia e shkurtër e këtij trajneri në Shqipëri do të mbetej krejt e veçantë. Kështu, Vadas e drejton Kombëtaren në plot 9 ndeshje, duke qenë se këto ndeshje janë të një kompozicioni vërtet “të larmishëm” për sa i përket rangut të emërtimeve të tyre në pjesëmarrje të pangjashme, zyrtarisht me Kombëtaren atij do t’i njihej vetëm një ndeshje: ajo e fitores së madhe të 29 Nëntorit 1953 Shqipëria – Polonia, 2-0!

SHQIPËRIA E FUTBOLLIT 75 DITË JASHTË SHQIPËRISË!
Ky nëntitullim duket si kakofoni. Por vetëm kështu mund të nënkuptohet gjithçka. Pra, që Kombëtarja e Shqipërisë do të qëndronte plot 75 ditë jashtë Shqipërisë!

Aventura “hungareze” e Shqipërisë do të nisë kur mbasi e ka grumbulluar këtë Kombëtare, Vadas e çon atë në Festivalin e Rinisë në Bukuresht nga data 2 deri më 16 gusht 1953. Dhe këta të rinj “burra”, 4 a 5 prej të cilëve kishin fituar titullin e kampionit të Ballkanit qysh para 7 vjetësh, “vallëzojnë” me një skuadër rinore turistike nga Brazili me emrin Universiteti i San Paolos, duke fituar 4-0. Por mandej, kur atyre u del përballë skuadra e ashtuquajtur e “Rinisë së Hungarisë” – një formacion ky i mrekullueshëm danubian – është diçka krejt tjetër.

Në 11-shin hungarez ka shumë lojtarë të ardhshëm të Kombëtares së Hungarisë. Janë edhe Ferenc Machos i Honvedit dhe Vashashit, 28 herë me Hungarinë e Pushkashit, si dhe Lajos Cordas po i Vashashit, 18 herë titullar i Hungarisë. Ishin këta të dy autorët e 4 golave në atë 4-3 të famshëm, datuar më 10 gusht 1953 në Bukuresht.

Mbaj mend teksa e dëgjonim transmetimin e drejtpërdrejtë në “Radio Tirana” nga Anton Mazrreku, të gjithëve na dukej se po luante Shqipëria me Hungarinë e madhe. Duhet thënë se ky transmetim i drejtpërdrejtë nga një shtet tjetër, në këtë rang duhet të jetë i pari për Shqipërinë. Dhe u bë legjendë. Nuk kanë pasur të gjithë radio, por ashtu siç do të ndodhte më vonë me televizionin, amatorët e futbollit mblidheshin në shtëpinë e mikut apo të afërmit dhe dëgjonin “tingujt” e fuqishëm të radios, që në këtë rast ata ishin “tinguj” të futbollit hungarez, që ishte më i miri në botë.

Ndeshja e Bukureshtit do të gozhdohej 3- 3 deri në të minutën 84 përmes kësaj ecurie më se dramatike e galopante së bashku: në minutën e 13-të Cordas 1-0, në të 20’ Boriçi 1- 1, në të 21’ Machos 2-1, në të 28’ Boriçi 2-2, në të 46’ Cordas 3-2, në të 55’ Resmja 3-3 dhe vetëm në të 84’ me golin e tij, Machos e çon skuadrën hungareze në fitoren 4-3. Kjo kur të gjithë ne shqiptarët, po gëzoheshim fort dhe siç thuhej, “Shqipëria po barazon me Hungarinë”. Kështu është thënë për jetë.

Prej Festivalit të Bukureshtit, Vadas mbërrin me Kombëtaren e tij në Bashkimin Sovjetik, ku e presin ndeshjet historike me klubet më të mëdha ruse. Po atje nuk mund të përballohej: 0-4 prej Dinamos së Moskës, 0-3 prej Zenitit të Leningradit, 0-3 prej Spartakut të Moskës para 50.000 e deri te 80.000 shikuesve, ngjarje të jashtëzakonshme edhe për vetë sovjetikët, të cilët, sidoqoftë, po i shijonin këta ballkanas fort miq, ashtu të shpejtë, edhe pse humbasin asisoj. I mahnit portieri Qemal Vogli me gjithë golat e pësuar. Me Spartakun e Moskës, i cili sapo fitonte titullin e kampionit kombëtar – ishte si të luaje me Kombëtaren e Bashkimit Sovjetik. Ishin legjendarët Bashashkin, Neto, Tatushin, Simonian, Paramanov, Demetiev, Ilin! E, Vogli, i cili pret 12 gjuajtje të tyre, madje deri në 4- 5 metra larg!

Prej Moskës Vadas ka “carta bianca” të shkojë në Poloni dhe ja që këtu është diçka tjetër.

Më 20 shtator 1953 është Varshava – Tirana, 1-2, ku 100 për qind janë dy kombëtaret e shteteve përkatëse. Më 30 shtator kemi Poznani – Tirana 1-0. Më 8 tetor 1953 skuadra kthehet në Shqipëri përmes detit, duke regjistruar në histori atë që nuk do të ndodhte kurrë më: pjesëmarrje në tre turne të ndryshëm në plot 75 ditë pa ia nda. Skuadra ishte përshkuar jashtë Shqipërisë në gati katër muaj: nga 25 korriku, duke vazhduar në muajt gusht, shtator e deri më 8 tetor kur mbërrin në Durrës me anije në një udhëtim të pangjashëm përmes detit…

As kjo nuk do të ndodhte më kurrë në gjithë historinë. Dhe nuk po i ndahej futbolli i Polonisë…

29 NËNTOR 1953: SHQIPËRIA – POLONIA 2-0
Me trajnerin hungarez, Miklos Vadas, po mbërrinim te ndeshja e vetme e tij me Kombëtaren shqiptare kundër kombëtares së një vendi tjetër. Ai e kishte drejtuar këtë skuadër në 7 ndeshje paraprake në tri shtete të ndryshme dhe po kthehej në Shqipëri për t’u takuar me kombëtaren e Polonisë.

Në të vërtetë Kombëtarja e Shqipërisë kishte, si të thuash, një parahistori, me atë të Polonisë. Më 6 nëntor 1949 në Varshavë Polonia kishte fituar 2-1 me Shqipërinë; më 1 maj 1950 Shqipëria kishte barazuar 0-0 me Poloninë në Tiranë. Tash e kishte fjalën 29 Nëntori 1953.

Ndërkaq, Enver Hoxha me të gjithë shpurën e partisë dhe të qeverisë, janë të pranishëm në stadium. Përveç të tjerave, edhe me gjithë trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Natyrisht pa harruar fjalimet përshëndetëse të drejtuesit të sporteve të Shqipërisë, kësaj here Llazar Lipivani, drejtor i Kulturës Fizike e Sporteve pranë Këshillit të Ministrave, si dhe nga drejtuesi i kombëtares së Polonisë, Karol Kravcik. Mbas këtij entuziazmi politik disi pompoz ku mbi tribunën karshi spikasin portretet pothuajse gjigantë të udhëheqësve të partive komuniste përkatëse Malenkov (BRSS), Bierut (Polonia), Hoxha (Shqipëria), nis futbolli.

29 NËNTOR 1953. Shqipëria – Polonia, 2-0. Skuadrat para ndeshjes. Nga e majta POLONIA: Trampisz, Sobek, Wieczorek, Alszer, Gronowski, Bieniek, Durniok, Bartyla, Krasówka, Szymkowiak, Gêd³ek. Gjyqtarët e ndeshjes: A.Dorogi, L.Shlajfer, E.Laçi. Në vazhdim SHQIPËRIA: Nga e majta: Fagu, Vogli, Boriçi, Vila, Jareci, Shaqiri, Resmja, Bakalli, Dashi, Dibra, Deda

29 NËNTOR 1953. Shqipëria – Polonia, 2-0. Skuadrat para ndeshjes. Nga e majta POLONIA: Trampisz, Sobek, Wieczorek, Alszer, Gronowski, Bieniek, Durniok, Bartyla, Krasówka, Szymkowiak, Gêd³ek. Gjyqtarët e ndeshjes: A.Dorogi, L.Shlajfer, E.Laçi. Në vazhdim SHQIPËRIA: Nga e majta: Fagu, Vogli, Boriçi, Vila, Jareci, Shaqiri, Resmja, Bakalli, Dashi, Dibra, Deda

Do të jetë 2-0 për Shqipërinë. Trajneri hungarez Vadas, kësaj radhe ka si ndihmës trajnerin e Punës të Shkodrës (Vllaznia) Muc Koxhja, e ky me sa duket, ia arrin të ndikojë. Vadas pranon të afrojë të rinj të tillë si Shefki Boshnjaku, Leonidha Dashi, Kol Gjoni, Qemal Cungu, Buto Smaja, Shuaip Keri, Abdurrahman Haxhiu (Roza), Stavri Lubonja, Hysen Verrija, Tafil Baçi, Simon Deda dhe Ali Tepelia. Midis tyre janë plot 11 futbollistë shkodranë së bashku me të gjithë shkodranët e tjerë të Partizanit e Dinamos, ndërsa 7 janë të Punës së Shkodrës! Kurrë më në grumbullimet e Kombëtares nuk do të thirren kaq shumë djem nga Qyteti i Futbollit. E kujt qe merita: e hungarezit Vadas apo e shqiptarit të Shkodrës, Muc Koxhja?… E, për fat, është ky vit 1953 që do të shënojë fillimin e rënies së pandalshme për gati 20 vjet të Vllaznisë së Shkodrës. Ndërkaq, ia vlen të kujtosh se trajneri hungarez nxjerr për herë të parë nën fanellën e kuqe një talent të madh si 20-vjeçari Simon Deda, por dhe debutuesin tjetër të hekurt në mbrojtje, Leonidha Dashi të Dinamos.

Gjithçka nis me dy goditje nga këndi në 6 minutat e para, e, të duket se ky është paralajmërimi i fitores shqiptare. Dhe po nga një goditje tjetër nga këndi vjen dhe goli i parë. Është minuta e 12-të. Nga këndi ekzekuton Hamdi Bakalli, krijohet një si lëmsh para portës së Szymkowiak-ut, por Loro Boriçi “vjedh” topin dhe rrjetë: Shqipëria – Polonia 1-0! Dhe mu këtu nis kthesa polake. Gjuajtje, goditje nga këndi, shtyllë, por pritje të mrekullueshme nga Qemal Vogli.

Është një kthesë që zgjat vetëm 20 minuta, sepse shpejt fuqinë e rimerr sulmi shqiptar. Mbërrihet kështu te minuta e 35-të, kur para saj Loro Boriçi ka marrë në zotërim gjithçka: organizimin e sulmit – duke u shfaqur në atë që mbas disa vitesh do të njihej si roli i mesfushorit organizator – gjallërim i gjithë shokëve të skuadrës derisa mbërrihet te minuta e 35-të. Në këtë çast Boriçi fton Xhevdet Shaqirin të niset rrufeshëm, i cili ndjek sprintin e Refik Resmes. Ky nuk ndalet mbasi merr topin prej tij, vërshon dhe rreptë e fuqishëm tund rrjetën polake me një gol që në Shqipëri do të mbahej mend për vite. Është 2-0, fitore e sanksionuar brenda 35 minutave të para të ndeshjes.

Pjesa e dytë nuk ka më gola, por ka epërsinë sulmuese të Shqipërisë, ka shtyllën e goditur nga Simon Deda dhe gjithnjë sundon drejtimi taktik i Loro Boriçit, prej të cilit nisin të gjitha sulmet shqiptare, që nuk ndalojnë. Polakët e kërkojnë kthesën, por pa ia arritur. Fiton Shqipëria 2-0 kundër Polonisë. Pamja skeduese e ndeshjes, duke mënjanuar ndonjë pasaktësi të mëparshme, është kjo:

SHQIPËRIA – POLONIA 2-0
29 nëntor 1953. Tiranë. St. kombëtar “Qemal Stafa”.
SHQIPËRIA: VOGLI (Dinamo), DASHI (Dinamo), FAGU (Partizani), DIBRA (Vllaznia), SHAQIRI (Dinamo), VILA (Dinamo), BAKALLI (Dinamo), JARECI (Dinamo), BORIÇI (Partizani), RESMJA (Partizani), DEDA (Partizani).
TRAJNER: Miklos Vadas.
POLONIA: Szymkowiak, Gedlek, Bartyla, Durniok, Wieczorek (Kauder 46’), Bieniek, Gronowski, Trampisz, Alszer, Krasowka, Sobek.
TRAJNER: Ryszard Koncewicz.
GOLAT: Boriçi 12’, Resmja 35’
GJYQTARË: Andor Dorogi (Hungaria), Josef Shlaifer (Polonia), Ejup Laçi (Shqipëria).
SHIKUES: 30.000.

Siç shihet, pa asnjë ndërrim në 90 minuta të tëra, te Shqipëria janë 6 lojtarë të Dinamos dhe 4 të Partizanit. Ky ishte sundimi emblematik i dy klubeve ushtarake ministrore, siç ato ishin. Spikat “vetmia” e Muhamet Dibrës së Punës së Shkodrës (Vllaznisë) – i vetmi futbollist i jashtë kryeqytetit, gjithnjë i pazëvendësueshëm.

Kombëtares së Shqipërisë së bashku me fitoret me Çekosllovakinë, i bëheshin, kështu, 3 fitore rresht në fushën e saj. Kjo ndodhte për herë të parë dhe për herë të fundit në histori.

Dhe çuditë që nuk ndalin. Më 6 dhjetor gjithçka përsëritet me ndeshjen e emërtuar Përfaqësuesja e qytetit të Tiranës – Përfaqësuesja e qytetit të Varshavës. Ndonëse përsëri në fushën e lojës janë dy kombëtaret e të dyja shteteve. Deri aty, saqë Shqipëria ka vetëm një emër të ri: Hysen Verrinë e Dinamos, ndërsa Çekosllovakia vetëm dy të rinj: Savkovjak dhe Rajtar.

Është ky emërtim absurd që i heq 1 ndeshje më tepër historisë së Kombëtares së Shqipërisë, si dhe trajnerit të saj, Miklos Vadas. Duket që “të trembur”, drejtuesit e ekipit polak, nuk bëjnë “gabimin” e Çekosllovakisë së para një viti, që edhe në ndeshjen e dytë ndaj Shqipërisë u quajt Çekosllovaki. Ndoshta e kishin të vështirë të parashikonin fitoren kur kujtonin forcën e Shqipërisë në ndeshjen e humbur të 29 nëntorit.

Dhe fiton përsëri skuadra shqiptare po 2- 0. Ndonëse në ecuri ndeshja nuk duket se i ngjason së parës, megjithatë. Sidoqoftë, mbas një pjese të parë 0-0 me zbritje të dyanshme, në të dytën nuk përmbahet skuadra shqiptare, e cila me golat e Resmes (63’) dhe të Bakallit (79’) përsërit fitoren 2-0! Dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se Kombëtarja e Shqipërisë e shndërruar në “Përfaqësuese e qytetit të Tiranës” mposht për herë të dytë Kombëtaren e Polonisë e shndërruar në “Përfaqësuese e qytetit të Varshavës”. Është ky 11-sh:

29 NËNTOR 1953. Shqipëria – Polonia, 2-0. Një portë e Polonisë.

29 NËNTOR 1953. Shqipëria – Polonia, 2-0. Një portë e Polonisë.

PËRFAQËSUESJA E QYTETIT TË TIRANËS – PËRFAQËSUESJA E QYTETIT TË VARSHAVËS 2-0
P. E QYTETIT TË TIRANËS: Vogli, Dashi, Fagu, Dibra, Shaqiri, Vila, Lubonja (Bakalli) Jareci, Boriçi, Verrija (Deda), Resmja.
TRAJNER: Miklos Vadas.
GOLAT: Resmja 63’, Bakalli 79’.
GJYQTARË: Anton Dorogi, Ejup Laçej, Jorgji Godari.

STALINOGRUDI FITON NË SHKODËR “PËRMES” TRI KONCERTEVE!
Dhe shndërrimet në rangjet e skuadrave që nuk ndalin…

Është 13 dhjetor 1953. Shkodër. Stadiumi “Vojo Kushi”, i sapopëruruar dhe i sapoemëuar kësisoj, para nja 15.000 shikuesve të shtrënguar fort njëri pas tjetrit, midis të cilëve ndodheshim edhe ne, nxënës të shkollave të qytetit.

Luajnë Stalinogrud i Polonisë dhe Shkodra e Shqipërisë. Ky është emërtimi i skuadrave. Kudo “Stalin”! Do të duheshin edhe gati nja 40 vjet, që rinia e këtij qyteti të kërkonte të hidhte përtokë bustin e “Stalinit” të Shqipërisë…

Kombëtarja e Polonisë me disa ndryshime që merr emrin e qytetit Stalinogrud pra, dhe Shkodra që flak tej emrin “Puna”, e përforcuar me kryeqytetasit Vogli (në pjesën e dytë) Q.Cungu, Shaqiri, H.Bakalli, Baçi, Jareci, Deda, ku siç shihet, katër prej tyre janë po shkodranë, por të Dinamos e Partizanit. Ndërkaq, ia vlen ta kujtosh përbërjen e kësaj skuadre me emrin “Shkodra”, duke u flakur tej “Puna e Shkodrës” dhe “Vllaznia”, po e po. Më saktë 11-shi është ky:

SHKODRA – STALINOGRUDI 1-4
“SHKODRA”: Boshnjaku (Vogli 65’) Gjoni, Q.Cungu, Dibra, Keri, Shaqiri, H.Bakalli, Juka (Baçi 60’), Laçja (Tepelia), Jareci, Deda.
GOLAT: Bakalli (13’), Sobek (21’), Alshar (23’), Rajtar (39’), Alszer 65’).

Është 4-1 për Stalinogrudin, emri i shndërruar i qytetit të mirënjohur të Katovicës.

Polonia (e Stalinogrudit) largohet nga Shqipëria duke u ngushëlluar me këtë fitore në Shkodër.

E Shkodra, si Shkodra! Ia arrin t’i gëzojë miqtë me tri pritje – e edhe kjo ngjet për herë të parë dhe të vetme në historinë e marrëdhënieve sportive shqiptare me të huajt. Shtëpia e Kulturës organizon për ta një koncert të posaçëm ku spikasin kompozimet e Prenk Jakovës që polakët kërkojnë të përsëriten. Ndërkaq, sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit, Adil Çarçani, organizon edhe ai pritjen e tij. Edhe këtu gjithçka organizohet me muzikë prej orkestrës. Çudia e fundit është vizita në Shtëpinë e Pionierit ku miqtë polakë dëgjojnë disa interpretime në violinë prej pionierëve. Pak a shumë duhet pranuar se skuadra polake u prit me tri koncerte!…

Këtu merrte fund edhe historia shqiptare e hungarezit Miklos Vadas: 9 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, por që historia i fikson vetëm 1, atë Shqipëria – Polonia 2-0 të 29 nëntorit 1953. E megjithëkëtë “padrejtësi”, ai do të mbetej 100 për qind i suksesshëm për sot e kësaj dite: 1 ndeshje, 1 fitore, golat pozitivë 2- 0! Si asnjë tjetër, madje. Këtu merr fund edhe kujtesa jonë historike, mbas asaj të Çekosllovakisë pak më parë. Merr fund me fitoren e largët të Shqipërisë ndaj Polonisë. E vetmja deri më sot për të. Ndoshta nesër, mbas 70 vjetëve, do të kemi fitoren e dytë. Edhe kur mbërrin shumë vonë, fitorja është shumë e ëmbël. Sidomos, kur ajo është për Kupën e Europës…

* Ribotimi i këtij shkrimi është i rezervuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"