Hima kërkon fitoren ndaj Kastriotit: Shmangim pakujdesitë, duam pikët në Fushë-Krujë
Nuk ka vend për pushim dhe as për ankesa te Burreli. Shkoi si shkoi ndeshja me Bylisin kryesues, në kampin matjan janë përqendruar te Kastrioti.
Luajnë në transfertë, por synimi është vetëm një: fitorja. Klevis Hima beson se do t’ia dalin dhe këtë e bazon te forma e mirë e grupit dhe paraqitja e mirë që bën përballë ballshiotëve. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri e nis me analizimin e humbjes së fundit. Mendon se pakujdesitë e ndëshkuan dhe pret që ato të shmangen duke filluar nga java e 12-të.
“Pavarësisht humbjes, skuadra tregoi grintë dhe dëshirë. Krijuam volum loje, kjo e shoqëruar dhe me raste për shënim. Këto janë tregues pozitivë për skuadrën që na bën optimistë për vazhdimësinë. Gjithsesi, që të arrijmë në parametrat e duhur kemi punë për të bërë në rastet e pësimit të dy golave skuadra u ndëshkua nga pakujdesitë që ishin të evitueshme. Pa hyrë në detaje teknike, janë këto pakujdesi që vendosin dhe fatin e ndeshjes”, u shpreh fillimisht 31- vjeçari.
Teksa flet për kundërshtarin e radhës, nuk i kursen elozhet. E megjithatë, pikët nuk i diskuton.
“Kastrioti? I dimë vështirësitë që ka çdo javë. Me gjithë vlerësimin që kam për skuadrën kundërshtare, ne kemi vetëm një objektiv. Do të futemi në fushë vetëm për të marrë trepikëshin. Ato na duhen në këto çaste”. Skuadra do të udhëtojë me mungesa në këtë transfertë. Për shkak kartonësh është i padisponueshëm Osikel Joel.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"