Haman tremb bavarezët: Tuhel po shpërbën Bajernin
Ditmar Haman ka goditur me “sëpatë” të madhe manovrat e trajnerit të kampionëve, Tomas Tuhel. Sipas ish-lojtarit gjerman, për të gjitha amullitë e krijuara ditët e fundit në Mynih ka vetëm një fajtor, Tuhelin. Madje Haman ka analizuar me kujdes të gjithë hapat, duke i pasqyruar me shembuj konkretë:
“Mbërritja e trajnerit aktual të Bajernit erdhi me synimin se ai do të sillte qetësinë dhe besimin në grup, ndryshe nga sa kishte punuar paraardhësi i tij. Pas etapës së shkuar mes vështirësive të ndryshme, u duk se merkatoja e verës do ta lejonte Tuhelin të organizonte ekipin siç ai dëshironte. Tregu i futbollistëve u mbyll dhe diskutimi sërish vlon në Mynih.
Ai dëshironte profilin e lojtarit me karakteristikat e numrit 6, pavarësisht se në gjirin e tyre Kimish, Gorecka dhe Laimer u shfaqën të gatshëm për ta ndërmarrë si detyrë. Tuhel në këtë rast nuk i mori parasysh fare pretendimet e tyre e ku tregojnë se ai nuk i beson. Nuk e di se si personazhet e cekura do të japin gjithçka për të fituar Champions-in, i cili cilësohet si objektivi madhor në Mynih kur fjala e tyre nuk vihet në plan të rëndësishëm.
Rasti tjetër gjen qasje në repartin e prapavijës. Ish-trajneri i Dortmundit ishte njohur me dëshirën e Benzhamë Pavarit dhe nga krahu tjetër e la të lirë Josip Stanisiçin te rivalët e Leverkusenit. Nëse situata do të ishte menaxhuar më mirë, problemi i mbrojtjes në të djathtë nuk do të ekzistonte. Kundërpërgjigjja e bordit me përfaqësues shefin Dresen dhe presidentin Hainer nënkupton se justifikimet nuk tolerohen më, ndonëse drejtuesit ia kanë plotësuar tekat në tregun e merkatos.
Vështirë të parashikoje fundin e kësaj historie, por shenjat nuk janë aspak pozitive, duke marrë parasysh ndërveprimet e palëve, të cilat po funksionojnë si një trup i vetëm”, përfundoi ish-futbollisti i Bajernit në periudhën 1992-1998. Vlen të theksohet se përplasjet e Tomas Tuhelit me ekipet pararendëse si PSG dhe Çelsi sollën shkarkimin e 50-vjeçarit, me shumë gjasa nëse “lufta” në distancë mes tij, lojtarëve dhe bordit nuk gjen paqe, fundi mund të rezultojë i njëjtë edhe te kampionët e Bajernit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"