Haland bëhet gati për Stambollin: Finale speciale, ta mbyllim sezonin siç duhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 16:58

Haland bëhet gati për Stambollin: Finale speciale, ta mbyllim sezonin siç duhet

Erling Haland pranon se do të jetë një moment special finalja e Ligës së Kampioneve kundër Interit, ndërsa sulmuesi i Mançester Sitit do të përpiqet të ndihmojë skuadrën që ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar tripletën.

haland

Golashënuesi më i mirë i “qytetarëve” këtë sezon, i cili ka fituar Premier Ligën dhe Kupën FA që në debutim, kërkon edhe trofeun e tretë për të kompletuar tripletën historike të shtunën, ndërsa kampionët e Anglisë mund të fitojnë për herë të parë në historinë e tyre Ligën e Kampioneve.

FINALE SPECIALE – “Do të jetë speciale”, tha autori i 52 golave për sajtin e klubit. “Unë kam ëndërruar gjithnjë për të luajtur në finalen e Ligës së Kampioneve dhe do të jetë një nder për të luajtur në këtë ndeshje. Por atje kemi një punë për të bërë. Kemi bërë një sezon të pabesueshëm, por duhet ta mbyllim atë në mënyrën më të mirë të mundshme. E di që të gjithë do të japim gjithçka për ta fituar këtë finale. Ne duhet të jemi në ditën tonë më të mirë kundër një ekipi të fortë si Interi dhe jemi të emocionuar që do të zbresim në fushë”.

GOLAT – Nga 52 golat në të gjitha kompeticionet, 12 prej tyre sulmuesi 22-vjeçar i ka shënuar në Champions, duke qenë ai golashënuesi më i mirë i turneut këtë sezon. Por norvegjezi nënvizon se ai e shijon çdo gol që shënon, sepse ai ndihmon skuadrën në rrugën e saj drejt suksesit. “Unë isha i emocionuar për sfidën për të ardhur këtu. E dija që po i bashkohesha një skuadre ku unë do të kisha shumë shanse për të shënuar gola dhe pasur një ndikim. Fatmirësisht, këtë kam arritur ta bëj. E kam shijuar me të vërtetë sezonin tim të parë këtu në Mançester. Objektivat e mi janë që të përpiqem të ndihmoj skuadrën që të ngrejë trofe në fund të sezonit, duke shënuar gola. E di që nëse mund të shënoj gola dhe mbështes skuadrën, atëherë kjo do të ndihmojë këdo për të arritur objektivat e tyre në fund të sezonit. Sapo unë shënoj një gol, gjithçka mendoj është për të shënuar të radhës. Kështu unë i afrohem kësaj situate dhe do të vazhdoj ta bëj”.

GUARDIOLA – Haland është i emocionuar se si kanë shkuar gjërat në fushë për të, ndërsa e gjithë vëmendja tani është në stadiumin e Stambollit “Ataturk” të shtunën. Ai e quan këtë grup shumë special, ndërsa shton se nga trajneri Pep Guardiola ka mësuar shumë: “Është absolutisht e pabesueshme. Të gjithë ne ndajmë të njëjtën uri dhe dëshirë për të fituar çdo ditë të vetme. Ne jemi atje për njëritjetrin dhe kjo është mënyra si duhet të jetë nëse duam që të jemi të suksesshëm. Ky është një grup me të vërtetë special djemsh, por edhe trajneri gjithashtu dhe i gjithë stafi pas. Unë po e shijoj. E dija që ky trajner, kjo skuadër, ky staf, kjo infrastrukturë dhe gjithçka këtu në klub do të ishte në nivelin më të lartë dhe kështu është.

Pep, stafi i tij dhe i gjithë stafi prapa tij bëjnë gjithçka për t’u përpjekur që të na ndihmojnë për të nxjerrë versionin më të mirë të vetes në fushë çdo ditë. Unë kam mësuar që tani shumë prej Pepit dhe jam i sigurt se do të mësoj shumë më tepër në të ardhmen. E dija që duhet të përshtatesha me një trajner të ri, staf të ri, shokë të rinj dhe ambient të ri, por ndihem sikur jam ambientuar mirë dhe e kam shijuar çdo moment”, tha ai.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"