Greca: Barazimi me Vorën vlen për Elbasanin, luftë e ashpër për kreun
Bedri Greca është nje riu i momentit tek Elbasani. Me 5 golat e shënuar në 4 ndeshjet e fundit, e ka fituar tashmë këtë status. Vlerat e veta i tregoi edhe ndaj Vorës, ndonëse rrjeta e tij shërbeu vetëm për të shmangur humbjen. E megjithatë, vlerë pati. Verdheblutë me atë barazim ruajnë të paktën vendin e dytë në klasifikim, edhe pse Bylisi tani është i shkëputur me gjashtë pikë në krye.
Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 33-vjeçari shpreh zhgënjimin që nuk dolën me fitore nga kjo transfertë, por gjithsesi nuk kërkon ta bëjë “dramë”: “Të vjen keq kur nuk fiton, sidomos për një ekip si Elbasani që hyn në fushë gjithnjë për maksimumin. Ne u përpoqëm të bëjmë lojën tonë dhe me pak fat edhe mund të dilnim me tri pikë. Gjithsesi, është një pikë që vlen. Tani le të shohim vazhdimësinë”.
GOLAT
Në kuotën e shtatë golave, Greca, përveçse është golashënuesi më i mirë i Elbasanit, hedh kandidaturën edhe për të qenë golashënues i kampionatit. Megjithatë, ai tregohet modest, duke mos i pasur synim golat personalë, por vetëm t’i japë ndihmë skuadrës që të arrijë fitoret. “Tani jam në ritmin tim edhe po mundohem të zbatoj detyrat që më jep trajneri, sepse çdo trajner ka filozofinë e vet të lojës. E kam thënë edhe më herët që nuk kam objektiv golat, por të fitoj dhe të ndihmoj ekipin të shkojë në Superiore”, vijoi më tej sulmuesi i Elbasanit, i cili këtë sezon erdhi nga radhët e ekipit të Kastriotit.
LUSHNJA
Elbasani pret këtë fundjavë verdhejeshilët e Lushnjës në “Elbasan Arena” dhe për sulmuesin ka rëndësi vetëm fitorja, për më tepër që luajnë përballë publikut të vet. Ai ndalet edhe te lufta për kreun, që e konsideron të ashpër sepse janë disa skuadra në garë. “Ndaj Lushnjës synojmë vetëm fitoren. Është në fakt objektivi ynë i çdo ndeshjeje, për më tepër kur luajmë në shtëpi dhe kemi një motivim ekstra edhe nga tifozët. Sa i përket kreut, lufta do të jetë e ashpër, sepse janë disa skuadra që pretendojnë dhe kanë treguar se janë në lartësinë e duhur për të marrë pikë dhe luftuar për elitën. Megjithatë, ne shohim punën tonë dhe i marrim ndeshjet një e nga një”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, sulmuesi i skuadrës së Elbasanit, Bedri Greca.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"