Goxha: Tiranës i kthejmë reston, gati të marrim 3 pikët
Teuta do të luajë një ndeshje të vështirë sot kundër Tiranës në “Niko Dovana”.
Mbrojtësi i bluve, Jurgen Goxha, ka folur mbi këtë sfidë, e cila është mjaft delikate. Ai është shprehur se do vetëm fitoren dhe nuk e shqetëson fakti që përballë është Tirana.
Si është gjendja në skuadër 24 orë parë ndeshjes me Tiranën?
Mund të them se është një situatë shumë e mirë në skuadër dhe të gjithë çunat ndihen të motivuar. Të gjithë lojtarët që po stërviten ndihen në gjendje shumë optimale.
Pas barazimit me Kukësin, prisni Tiranën. A jeni gati që të “sfidoni” ekipin e momentit?
Gjendja tani është normalizuar pas asaj humbjeje 3-0 në Kupë. Tirana është kundërshtar i fortë. Ata kanë ecuri të mirë, por ne si zakonisht do të luajmë për fitore, pasi nuk kemi opsion tjetër. Ne jemi gati më shumë se asnjëherë të luftojmë për vendin e 4-t dhe duam që t’i japim një goditje Tiranës, para duelit për Kupë të mërkurën.
Pavarësisht humbjes në Kupë, si e shikoni këtë takim dhe sa shanse ka Teuta për t’u kthyer te fitorja në këtë duel?
Shanset janë të mëdha, kemi arritur ta mundim dy herë Tiranën, jam i bindur që do t’i kthejmë reston e Kupës. Ne duhet të jemi të përqendruar dhe të futemi në fushën e lojës me besim, të futemi si skuadër në fushë dhe të dalim me rezultat pozitiv.
Një pikë është e pranueshme apo llogarisni vetëm tri?
Luajmë vetëm për 3 pikë. Jemi në shtëpinë tonë. Më pas është fusha që jep verdiktin final. Por duhet t’i tregojmë që ishte rastësi ndeshja Kupës.
Është kryendeshja e javës e te gjithë i kanë sytë te Teuta për ta ndaluar Tiranën, por më shumë Partizani do të bëjë tifo për Teutën?
Do të jetë ndeshje shumë e luftuar, sa për të tjerët ne bëjmë punën tonë dhe shikojmë problemet tona. Ne luajmë vetëm për 3 pikë, dhe ça ndodh mes Tiranës dhe Partizanit nuk ndikon te ne.
Do të donit që të shënonit në këtë përballje apo…?
Po, pse jo, i kam shënuar edhe herë tjetër Tiranës dhe atë vit ka dalë kampion, shpresoj ta mund dhe t’i shënoj, pastaj në fund të dalë kampion (qesh).
E shihni të arritshëm vendin e katërt?
Kampionati është i ekuilibruar, nuk ka shumë shkëputje. Të gjitha skuadrat janë aty. Me dy ndeshje ngjitesh më lart dhe nuk e mendojmë diferencën me skuadrat e tjera.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"