“Goli me thembër ishte ngushëllim i mirë”, sulmuesi i Kombëtares tregon muajt e parë në Serinë A: Më i forti te Bajerni ishte Tiago Alkantara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 18:20

“Goli me thembër ishte ngushëllim i mirë”, sulmuesi i Kombëtares tregon muajt e parë në Serinë A: Më i forti te Bajerni ishte Tiago Alkantara

Marvin Çunit iu desh pak kohë që të bëhej protagonist me fanellën e Frozinones në Serinë A. por ai e bëri rolin e tij të sulmuesit në mënyrën më të mirë të mundseem duke shënuar një gol me thembër ndaj Empolit.

marvin cuni

Sulmuesi shqiptar, tashmë shihet si një element me shumë rëndësi për këtë skuadër dhe nuk është rastësi që portali “TuttoFrosinone” e ka intervistuar rreth këtyre muajve në Serinë A duke e pyetur për jetën personale dhe atë të klubit në të cilin bën pjesë.

“Kundër Empolit kisha shënuar një gol në pjesën e parë, i cili u anulua dhe për këtë arsye isha shumë nervoz. Më pas, kur shënova atë gol të bukur me thembër ishte një ngushëllim i denjë për mua. Isha shumë i lumtur për golin.

Seria A? Nga pikëpamja e intensitetit, ka shumë ngjashmëri mes futbollit gjerman dhe atij italian. Ndoshta në Gjermani ka më shumë duele një kundër një. Këtu në Itali preferohet të ndërtojnë aksionet duke filluar më shumë nga mbrapa, për të tentuar të luajmë në mënyrë më të arsyetuar.

Menjëherë u ndjeva shumë rehat këtu në Frozinone, që është një qytet i vogël, ku gjithçka është afër. Edhe me ekipin, ndikimi ishte menjëherë pozitiv: këtu mund të punosh mirë, me qetësi dhe seriozitet. Pastaj të luash në kampionatin e Serisë A, përfaqëson një hap të madh për mua që të rritem personalisht.

Modeli im në futboll janë lojtarë si Kristiano Ronaldo, Haland dhe Mbape. Po, unë besoj se një kampionat konkurrues dhe emocionues si Serie A mund të më ndihmojë shumë në rrugën time të rritjes.

Unë nuk jam tipi i futbollistit që vendos objektiva të veçanta në nivel personal, por gjithmonë mendoj të luaj nga ndeshja në ndeshje. Nuk dua të mendoj se çfarë do të ndodhë në fund të kampionatit tani. Do të mendoj për këtë më vonë.

Vitet në Gjermani? Ajo që kalova te Bajern Mynih ishte sigurisht një përvojë e mrekullueshme në nivel personal. Tiago Alkantara është lojtari më i fortë me të cilin pata mundësinë të stërvitem dhe ishte ai me të cilin shkoja në stërvitje. Duke krahasuar veten me kampionë të këtij kalibri ishte për mua një eksperiencë fantastike.

Arijon Ibrahimoviç? Prisja disa vështirësi nga ana e tij, duke qenë se ai është një lojtar shumë i ri. Por meqë Ibrahimoviç është një futbollist me cilësi absolute dhe shumë i fortë, e dija se do ia dilte në fund. Unë shkoj mirë me secilin nga shokët e skuadrës. Por për shkak se flas të njëjtën gjuhë, lojtarët me të cilët kam lidhur më shumë janë Arijon Ibrahimoviç dhe Abdu Harrui.

Hobi? Kur nuk jam duke luajtur, përgjithësisht jam tipi i futbollistit që i pëlqen të qëndrojë në shtëpi, të pushojë dhe të luaj PlayStation. Herë pas here nuk e kam problem të dal për të ngrënë”, deklaroi ndër të tjera Çuni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"