Goleadori Maliqi i jep zemër shijakasve pas humbjes: Erzeni nuk e ul ritmin
Ekipit i Erzenit vijon në kampionat me ulje-ngritjet e vazhdueshme të tij, por në çdo përballje, sidomos këto të fundit, Bekim Maliqi, ka arritur të jetë në qendër të vëmendjes si shkak i paraqitjeve pozitive dhe golave të realizuar.
Në 7 javë të luajtura, ai ka arritur të shënojë 4 gola, përkatësisht kundër Egnatias, Dinamos, Tiranës e Kukësit, ku në dy prej tyre ishte vendimtarë, duke i siguruar trepikëshin skuadrës shijakase. Mbrojtësi i djathtë, i kudondodhur, pasi jep ndihmë në çdo fazë të lojës, ka fituar besimin e teknikut Deliallisi në mënyrë absolute. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” ai tregon se si ndihet për faktin se po e ndihmon tejmase skuadrën për të shkuar te rezultatet pozitive dhe flet në lidhje me objektivat personalë dhe të klubit në këtë sezon. “Jam shumë i lumtur që kam arritur të shënoj rregullisht. Kjo ka ndikuar shumë në vetëbesimin tim.
Më ka motivuar çdo vlerësim apo koment që njerëzit më kanë dhuruar. Për çdo ditë, përveç trajnimit ekipor në stadiumin ‘Tofik Joshari’, stërvitem edhe individualisht. Dua ta mbaj këtë ritëm, të jem gjithmonë titullar dhe pse jo të shënoj edhe të tjerë gola. Falë Zotit, nuk kam pasur lëndime, që më kanë ndihmuar të bëj paraqitje sa më pozitive. Kundër Kukësit nuk e di çfarë ndodhi. Në pjesën e parë dominuan, i dhamë volum lojës, ku patëm raste që ta mbyllnim ndeshjen shumë herët. Por kur nuk shënon, e pëson, pavarësisht se duket e pabesueshme. Ky sezon, në parashikimet e mia, do të jetë shumë i fortë, i vështirë dhe i rivalizuar, ku nuk ka favoritë. Ajo që na takon të bëjmë është të harrojmë humbjet. Në sensin që të mos e ndikojë grupin në aspektin psikologjik. Shpresoj që edhe lojtarët e lënduar, Osmanllari e Zeka, të rikthehen sa më shpejt, sepse kemi nevojë për ta kundër Teutës në transfertë”, mbyll fjalën e tij mbrojtësi 22-vjeçar.
ERALD DERVISHI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"