Gjoka në debutim, si psikolog për ta nisur me tri pikë kundër Tiranës: Nuk mund të ndryshosh filozofinë e një ekipi brenda natës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2024 | 9:03

Gjoka në debutim, si psikolog për ta nisur me tri pikë kundër Tiranës: Nuk mund të ndryshosh filozofinë e një ekipi brenda natës

Skënderbeu ka mbyllur përgatitjet dhe është gati për ndeshjen kundër Tiranës. Në stol për bardhekuqtë në këtë përballje do të debutojë trajneri i ri Ernest Gjoka, i cili zëvendëson Gvozdenoviçin e larguar.gjokaNë konferencën për mediat një ditë para ndeshjes Gjoka u shpreh se ka pasur pak kohë për t’u njohur me ekipin, por gjithsesi, ai do përpiqet të marrë më të mirën e mundshme nga futbollistët në duelin ndaj bardhebluve. Gjoka u shpreh gjithashtu se e ka të qartë momentin e vështirë që ekipi po kalon dhe se sipas tij reagimi i skuadrës do të kërkojë kohën e duhur.

Si e keni parë ekipin në këto dy ditë pune. Koha ka qenë e pakët në dispozicionin tuaj, çfarë prisni nga skuadra?

Sigurisht, kemi pasur shumë pak kohë për të punuar. Ndeshja është e afërt, por kemi bërë disa përgatitje bazë me skuadrën. Kemi punuar në disa aspekte teknike dhe taktike në fushë. Shpresoj që të jemi të gatshëm dhe të japim maksimumin për një rezultat pozitiv në këtë përballje.

Ekipi ka pasur disa ndeshje pa fitore. A ndikon kjo në aspektin psikologjik të lojtarëve?

Patjetër, një seri ndeshjesh pa fitore ndikon psikologjikisht. Futbolli nuk është vetëm fizik, por edhe mendor. Nëse lojtarët nuk janë të qetë psikologjikisht, është e vështirë të performojnë në maksimum. Kemi punuar shumë për të adresuar këtë aspekt dhe për t’i ndihmuar lojtarët të jenë më të qetë dhe të fokusuar.

Si është atmosfera në ekip? A ndiheni optimistë për ndeshjen kundër Tiranës?

Atmosfera është përmirësuar. Ekipi duket më i bashkuar dhe i gatshëm për sfidën. Tirana është një kundërshtar i fortë, por kemi krijuar një plan loje që besojmë se do të funksionojë. E gjithë skuadra dhe stafi janë të motivuar për të dhënë më të mirën.

Do të shohim ndryshime në formacion ose stil loje në këtë ndeshje?

Në futboll, ndryshimet e menjëhershme janë të vështira, veçanërisht kur ke pak kohë për të punuar. Nuk mund të ndryshosh filozofinë e një skuadre brenda natës. Megjithatë, mund të bëjmë disa rregullime taktike për t’iu përshtatur më mirë kundërshtarit.

A ka nevojë skuadra për përforcime të tjera në merkaton e ardhshme, apo do të kërkoni nga klubi mbajtjen e Rashicës?

Kjo është një çështje që duhet analizuar me drejtorin dhe stafin. Sigurisht, nëse do të kemi mundësi për përforcime që përmirësojnë cilësinë e ekipit, do të jetë një hap pozitiv. Por ajo që unë mendoj për momentin është se si të dalim sa më parë nga ky moment negativ dhe kjo është më kryesorja.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"