Gjoka s’e bën dramë: Një fiton, tjetri humb. Veliu: Në kampionat prisni tjetër Flamurtar
Ernest Gjoka nuk e bën dramë, sipas tij në futboll dikush fiton e tjetri humb. Megjithatë ai e thotë hapur se ekipi i tij krijoi volum, por nuk u tregua i qartë përpara porte. Ai shpjegon se gjatë pjesës së dytë, vlonjatët bënë mirë, por u mungoi finalizimi. “Humbëm në këtë finale, por ky është futbolli. Në një garë dikush fiton dhe tjetrit i mbetet disfata. Këtë herë na ra ne ky fat. Po të kishim shfrytëzuar më mirë rastet që patëm, atëherë edhe ne do shënonim dhe historia e kësaj ndeshjeje do të kishte ndryshuar. Në pjesën e dytë krijuam volum, prodhuam mjaft raste të pastra, por duhet të kishim qenë më të qetë dhe më të qartë përpara porte”, tha fillimisht Gjoka, duke analizuar finalen. Më tej ai komenton edhe punën e bërë deri më tani, teksa thotë që ekipi është ndërtuar sikundër të gjithë presin, megjithatë frytet duan kohën e vet që të merren. “Jemi gati edhe për startin e kampionatit, ku pa dyshim që synojmë që të jemi në maja. Jam i kënaqur në përgjithësi me gjithçka është bërë për këtë Flamurtar, tani do na duhet edhe pak kohë që të presim rezultatet”, shtoi tekniku tiranas në lidhje me punën e bërë për këtë sezon të ri. I pyetur për merkaton e bërë dhe për ndonjë peng që i ka mbetur, ai përgjigjet: “Jam i kënaqur me merkaton, kemi bërë blerje cilësore, por tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse t’u japim kohë për t’u përshtatur”. Trajneri ndalet edhe tek objektivat e vendosura nga klubi, teksa qartëson se ekziston një strategji konkrete. “Klubi ka një plan të qartë. Strategjia është e atillë që këtë sezon të krijohet baza e një ekipi të fortë dhe që premton jetëgjatësi. E përkthyer ndryshe, pretendojmë që të jemi mes më të mirëve”, u shpreh Gjoka.
Veliu: Në kampionat prisni tjetër Flamurtar
Humbja e finales së Superkupës rëndon shumë, megjithatë kapiteni Franc Veliu premton rimëkëmbje të shpejtë. Ai garanton se në kampionat do të shfaqet një tjetër Flamurtar. “Këto kompeticione janë të ndryshme nga njëra-tjetra, ndaj mendoj se do të shfaqemi ndryshe në kampionat. Kjo humbje në finale nuk do të lërë pasoja në grup, pasi ne kemi grupin e duhur që jo vetëm ta nisim mirë sezonin, por të paraqitemi denjësisht”, – u shpreh mbrojtësi gjatë deklaratës së dhënë për “Super Sport” fill përfundimit të finales. Veliu ndalet edhe te tifozët, teksa shprehet i befasuar për numrin e pakët të të pranishëmve, megjithatë e justifikon mungesën e tyre me sezonin e plazhit. “U befasuam së tepërmi, prisnim që të ishin më të shumtë. Por, është sezon plazhi dhe kjo ka ndikimin e vet”. I pyetur për synimet, kapiteni sqaron se Flamurtari i tij nuk ka një objektiv konkret për trofe apo kupa. Ai sqaron se vlonjatët do i futen kampionatin me këmbë në tokë dhe për t’i marrë ndeshjet një e nga një. “Synojmë pa dyshim që të jemi në mesin e më të mirave. Por objektivat konkrete do qartësohen me kalimin e ndeshjeve. Ne do i marrim javët me radhë dhe kundërshtarët gjithashtu. Momentalisht nuk kemi ndonjë synim konkret”, – deklaroi ndër të tjera Veliu. Në fund komenton edhe blerjet e merkatos, në veçanti partnerit e tij më të ri në qendër të mbrojtjes, Dagllasin. Ai vlerëson brazilianin dhe mendon se ndeshja finale me Skënderbeun nuk duhet të merret për bazë për të vlerësuar aftësitë e tij. “Është lojtar cilësor, por është ende fillimi për të te Flamurtari. Do kohën e vet që të përshtatet, do funksionojmë mirë së bashku në qendër”, – përfundoi Franc Veliu.
“Në Vlorë do fitoj titullin”
Pas firmës me Flamurtarin, për Gilberto Fortunaton ishte momenti që të aktivizohej në fushë, por nuk arriti të linte gjurmë ashtu siç bëri me bardheblutë në debutim. Braziliani komenton humbjen e Superkupës, por nuk e bën një gjë të tillë për përzgjedhjen mes bardhebluve dhe vlonjatëve për merkaton. “Nuk më vjen mirë që humbëm këtë trofe, pasi luftuam që të bënim më të mirën. Kjo ishte ndeshja e parë ime këtu, e fillova nga stoli, por kjo nuk ka problem për mua sepse kam pak kohë në këtë ekip. Në këtë skuadër jam që të shpallem kampion, edhe pse janë 5 ekipe, të cilët mendoj se do të luftojnë për titullin. Mund të ketë edhe 2 skuadra që mund të surprizojnë, por këto shpresoj t’i shohim rrugës. Për sa i përket Tiranës, ajo ka një skuadër të mirë, trajner cilësor dhe sponsor të fuqishëm, por vendimi im ndaj këtij ekipi është gjithçka personale. Nuk dua të bëj polemika, i respektoj si skuadër”, përfundon Gilberto.
Adela Merko













