Gjirokastritët të motivuar deri në fund, Mërkuri: Ngjitja e Luftëtarit nis nga… Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2025 | 21:44

Gjirokastritët të motivuar deri në fund, Mërkuri: Ngjitja e Luftëtarit nis nga… Tomori

Luftëtarit vazhdon përgatitjet që ta fillojë mbarë fazën e dytë të sezonit. Në start të fazës së dytë, gjirokastritët do të përballen me Tomorin, që gjithashtu pretendon ngjitjen në Kategorinë e Parë.

MERKURI LUFTETARI

Në lidhje me situatën aktuale, për “Panorama Sport”, sulmuesi Mario Mërkuri u shpreh: “Jemi të motivuar për fazën e dytë për të fituar ndaj çdo kundërshtari. Kjo, si e vetmja mundësi për të mbajtur vendin e parë në grup. Çdo ekip do të ketë vlerësimin maksimal, pa u ndikuar nga renditja. Kjo fazë do të jetë e luftuar, ndaj do t’i marrim ndeshjet me radhë për të mos e lëshuar kreun. E nisim me Tomorin, një skuadër që duhet respektuar për traditën dhe eksperiencën. Kemi pretendime të njëjta dhe kjo ndeshje konsiderohet si një finale midis nesh.

Fitorja është i vetmi rezultat që ne do të kërkojmë, pasi do e kemi më të lehtë për të ruajtur kreun. Loja e Luftëtarit ka ardhur në rritje dhe kjo minifazë na shërben për t’u përgatitur sa më mirë, duke evituar mangësitë që kemi shfaqur në disa ndeshje. Kemi shënuar shumë gola, por me më shumë kujdes, pikët duhej t’i kishim të plota. Personalisht jam i angazhuar në lojë, duke qenë një lojtar sulmues për të shënuar sa më shumë gola,  si kontribut i gjithë ekipit dhe duke mos i konsideruar golat meritë individuale. Po i shfrytëzojmë këto përgatitje dimërore për të evituar çdo mangësi dhe të jemi sa më të përgatitur për të dalë fitues ndaj çdo kundërshtari, si mundësi e vetme për realizimin e objektivit”.

GËZIM BEQIRI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"