“Gjeta grup të mirë”, Resuli në debutimin me Flamurtarin: Jemi gati, dua një triumf bindës ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2023 | 10:00

“Gjeta grup të mirë”, Resuli në debutimin me Flamurtarin: Jemi gati, dua një triumf bindës ndaj Kastriotit

Dritan Resuli sheh fi tore në debutim. Flamurtari pret sot Kastriotin dhe llogaritë bëhen me trepikëshin. Edhe pse ka pasur shumë pak kohë në dispozicion për të injektuar idetë e tij në skuadër, trajneri mendon se skuadra do të dijë t’ia dalë. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, kreu i pankinës tregon se ka punuar edhe në anën psikologjike me skuadrën këto ditë.

resuli ferko

“Jemi gati. Me Kastriotin luajmë në shtëpinë tonë, ndaj pres maksimumin. Duhet që ky Flamurtar të marrë patjetër, por edhe të bindë në lojë. Nuk mjafton vetëm fitorja, nëse nuk kënaqim tifozët në shkallët e stadiumit. Publiku është shumë i rëndësishëm për ne. I ftojmë që të jenë të shumtë nesër (sot). Janë një armë shumë e madhe, unë kam bindjen se do të jenë me ne jo vetëm në këtë ndeshje, por deri në fund të sezonit. Vetëm të bashkuar do të mund të arrijmë aty ku duam.

Them se kemi punuar mirë. Jam munduar që veç planit tekniko-taktik, të ndalem edhe tek ana psikologjike. Përgjegjësia dhe përkushtimi janë pjesë e punës dhe këto dy elementë i kemi. Nëse nuk merr përsipër për ta drejtuar skuadrën në çdo pjesë, atëherë nuk e ke bërë mirë punën. Duhet tani që të japim të gjithë bashkë për të arritur objektivin”, shprehet fillimisht tekniku.

GRUPI – Resuli vlerëson grupin e lojtarëve që ka në dispozicion, por edhe ambientin që ka gjetur në klub. Emocionet nuk i fsheh për rikthimin, ndërsa premton përkushtim dhe përgjegjësi.

“Për të drejtuar Flamurtarin është ndjenjë në radhë të parë, pastaj përgjegjësi dhe detyrim. Këtu hyn patjetër edhe pjesa e përkushtimit dhe ana profesionale. Grupi ka cilësi dhe ambientin e kam gjetur të mirë. Kanë pasur si skuadër disa luhatje, por janë normale. Unë gjithmonë kam qenë dhe jam pjesë e Flamurtarit, kështu që mund ta quajmë si një rikthim. Emërimin tim e quaj zgjedhje brenda familjes”, përfundoi numri një i stolit të kuqezinjve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"