Gati ta mbyllë me Apoloninë, mesfushori i fierakëve drejt Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2022 | 14:45

Gati ta mbyllë me Apoloninë, mesfushori i fierakëve drejt Superiores

Skuadra fierake ka nevojë për përforcime në mbrojtje, mesfushë dhe sulm, mirëpo deri më tani asnjë lojtar nuk ka firmosur zyrtarisht me klubin e Apolonisë. Ama nëse nuk ka afrime, e sigurt që do të ketë largime. “Panorama Sport” mëson se “divorci” i parë pritet të jetë ai i mesfushorit Elvis Kovaçi.

elvis kovaci

24-vjeçari mësohet se në ditët në vijim do të shkëputet përfundimisht nga fierakët, për të nisur një eksperiencë të re. Kovaçi ikën nga Apolonia thuajse pas një viti me fanellën bardhejeshile.

Burime pranë lojtarit tregojnë se në stërvitjen e radhës, ai do të përshëndetet me të gjithë shokët e skuadrës. Ai ishte një titullar stabël te bardhejeshilët, me një kontribut të madh për aq sa u aktivizua.

Për trajnerin ka qenë një lojtar “xhol”, i cili mund të luante në çdo pozicion të mesfushës, por edhe në të dyja krahët e mbrojtjes. Madje disa herë u provua edhe në sulm.

Gjatë këtij viti Kovaçi shënoi dy gola me fanellën e Apolonisë, respektivisht në sezonin e kaluar një gol përballë Vorës më 7 maj 2022 dhe në këtë kampionat një tjetër gol përballë Turbinës më 10 shtator 2022.

Tashmë ai pritet të vijojë karrierën në një klub të Kategorisë Superiore, por që ende nuk jepen detaje për shkak se duhet të mbyllë një herë kontratën me Apoloninë.

Ndërkohë, vlen të theksohet se Apolonia e drejtuar nga Dovedan, do të stërvitet deri të mërkurën. Pastaj të gjithë do të marrin një javë pushim për të rifilluar më 5 janar 2023. Apolonia e nis vitin 2023 me ndeshjen në shtëpi përballë Kukësit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, që do të luhet më 18 janar.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"