FUTSALL/ Tirana feston titullin kampion në derbi, bardheblutë mundin Partizanin dhe ngrenë trofeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 20:39

FUTSALL/ Tirana feston titullin kampion në derbi, bardheblutë mundin Partizanin dhe ngrenë trofeun

Tirana festoi titullin kampion të Shqipërisë për edicionin 2023- 2024 në kampionatin kombëtar të futbollit të sallës, kompeticion i organizuar nga FSHF, me pjesëmarrjen e vetëm 4 skuadrave. Bardheblutë dominuan edhe takimin e fundit ndaj Partizanit në “Asllan Rusi”, duke triumfuar 8-4.

Tirana Futsall

Pavarësisht se e kishte siguruar titullin matematikisht disa javë më parë, Tirana e mbylli me shkëlqim. Takimi nisi me dy gola të shpejtë për Tiranën nga Kevin Kosova dhe Eradi Mertiri. Të kuqtë ngushtuan me Armand Gapin, por bardheblutë shënuan dhe dy gola të tjerë para fundit të pjesës së parë me Ervin Cerën dhe Elvis Muçën. Pjesa e dytë nisi me golin e Guido Tepshit për Partizanin, por Tirana shënoi tre herë radhazi me Endrit Kacën, Klajvert Gjokën dhe Klevis Malajn.

Të kuqtë e gjetën rrugën e rrjetës sërish me Gjecin dhe Ndreun, ndërsa Klajvert Gjoka vulosi gjithçka për bardheblutë dhe sfida u mbyll me shifrat përfundimtare 8-4. Në fund u mbajt edhe ceremonia, teksa iu dorëzua trofeu skuadrës bardheblu, titulli i 12-të kampion për Tiranën. Me shpalljen kampione, Tirana ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes në turet kualifikuese të Champions League.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"