Futbollisti i momentit te Bajerni i Mynihut, Kejn do fronin e Levës dhe triumfin në Champions
Herri Kejn ka marrë përmasat e një “përbindëshi” goli në Bundesligë, duke regjistruar 3 gola dhe 1 asist përgjatë 2 takimeve me Bajernin. Megjithatë, ky detaj duket se nuk “ngroh” tek kryeshënuesi i përfaqësueses së “tre luanëve”.Në një intervistë për prestigjiozen gjermane “Bild”, Herri ka treguar se përse zgjodhi bavarezët, cili është objektivi madhor, rekordet e Levandovskit dhe videomesazhi në rrjetin socialë “Instagram”, i cili gjeti rastin për të përshëndetur tifozët e kampionëve me “motivacionin” e sfidës debutuese si titullarë në “Allianz Arena”:
ZHVENDOSJA-”Nuk e mendoj se arsyeja e transferimet te Bajerni ka lidhje me moshën time apo e pashë si trenin e fundit ku mund të lë gjurmë. Presioni i kohës nuk pati asnjë ndikim. Thjesht isha i bindur se Mynihu ishte ekipi i duhur për të arritur objektivat e mia. Dua ta provoj të fitoj sa më shumë tituj, sigurisht që Champions-i mbetet parësori krahas trofeve të tjerë. Të djersij fanellën e Bajernit është sfidë e çmendur. Ekipi aktual është vendi i duhur rreth ngritjes në një nivel tjetër në arenën evropiane. Kampionët e Gjermanisë gjithmonë i kam ndjekur në takimet e Champions-it apo të ligës vendëse. Si profesionist më pëlqen të shikoj duelet e ekipeve më të mira dhe skuadra nga Mynihu është njëri ndër to. S’është sekret se bisedat me teknikun Tuhel përpara këtij transferimi kanë qenë të gjata dhe produktive. E njoh prej kohës kur drejtonte Çelsin në Angli dhe prej asaj periudhe kam krijuar ide të qartë rreth vizonit që ai përpiqet të aplikojë në skuadër. Ai ma bëri të qartë se çfarë sistemi do të vendosë dhe kush do të jetë roli im. Nuk më la asnjë hije dyshimi”, tha me nota të qeta dhe besimplotë Herri Kejn.
REKORDI i Levës-”Robertin e admiroj për kontributin e vyer që ka dhënë me bavarezët. Ka lënë gjurmë të thella në historinë e tyre, e ku rekordi prej 41 golash flet vetë, megjithatë e vendos veten në garë dhe them se mund të konkretizojë më tepër sesa kuota e polakut brenda një sezoni në kampionat. Gjithsesi, më pëlqen të shijoj çdo takim dhe më pas mund të vërtitemi rreth kalkulimeve mbi golat. Po ashtu ecuria mbart komponent shumë të rëndësishëm. Shpresoj se gjithçka do të shkojë mirë. Altruizmi në favor të shokëve s’mbetet mbrapa. Më pëlqen të punoj jo vetëm si “pyke” e mirëfilltë, por edhe më mbrapa kur është nevoja”.
JETËGJATËSIA NË FUTBOLL-”Dëshira ime përkon me ndjenjën e rrugës së Kristiano Ronaldos, Lionel Mesit, Karim Benzemasë apo Robert Levandovskit. Më pëlqen të vozis në fushë edhe për 7 apo 8 vite të tjera. Besoj se i kam të gjitha kreditet e duhura për t’ia dalë”, shtoi i sigurt futbollisti me numër “9” në kontingjentin e Bajernit.
RIKTHIMI TE TOTENHEMI-”Vështirë të jap përgjigje të prerë. Nuk jam shumë larg rekordit të Alan Shirerit mbi shënuesin më të mirë në historinë e Premier Ligës. Së ardhmes nuk i dihet, ndonëse vullneti është i madh që atë punë ta përmbyll”, është shprehur mes buzëqeshjeve Kejn. Herri numëron 213 gola në fanellën e “gjelave” londinezë në historinë e ligës angleze, teksa legjenda Alan Shirer qëndron i palëkundur në shifrën e 260 finalizimeve.
VIDEOMESAZHI-Herri Kejn, në “kostumin” e autori të dopietës në suksesin me shifrat 3-1 karshi Augsburgut, ka gjetur momentin e përshtatshëm për të ndarë videomesazhin në rrjetin sociale “Instagram” për mbështetësit bavarezë, duke folur me fjalë “të arta” rreth kontingjentit ekzistues, ndonëse ekipi në përgjithësi nuk dha versionin më të mirë në derbin e “Bavarisë”. “Kemi cilësi të shkëlqyera dhe kimia e gjendur mes nesh është fantastike. Fitorja e ndeshjes së parë në shtëpi është padyshim pozitive. Rastet nuk munguan kundër Augsburgut, por përmirësimi në pjesën e dytët mbetet jetik. Rritja vjen si grup dhe më vjen mirë që ekipi po bashkëpunon si trup i vetëm. I falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen, shihemi në takimin e radhës, pse jo me më shumë gola”, përfundoi i entuziazmuar goleadori më i ri i Bajernit, Herri Kejn.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"