FUTBOLL VAJZA/ Mes arritjeve dhe dënimit, “zbërthehet” drejtoresha Aliu: Gramshi kërkon dopietën
Ekipi i Gramshit në futbollin e femrave po zhvillon një sezon shumë të mirë, duke e mbyllur fazën e parë të kampionatit në vendin e dytë.
Meritë për këto rezultate pozitive ka pa diskutim edhe drejtoresha sportive, Edonisa Aliu. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Aliu tregon eksperiencën e saj në Gramsh: “Ardhja ime tek Gramshi ka qenë vendim i duhur dhe shumë sfidues, pasi unë në Kosovë dhe në Shqipëri kam qenë tek ekipet më të mëdha, si Feronikeli dhe Tirana. Gramshi është një skuadër e vogël, por ne kemi një objektiv madhor. Mendoj se e kemi arritur objektivin në fazën parë, pasi jemi në vend të dytë”, shprehet fillimisht Aliu, e cila duket shumë e qartë në objektivat e sezonit, teksa kërkon dopietën: “Objektivi ynë është titulli kampion dhe Kupa e Shqipërisë, mendoj dhe besoj se jemi në kohën e duhur dhe në momentin më të mirë për t’i rrëmbyer dy trofetë. Ëndrra ime personale për këtë vit është titulli, pasi më mungon si drejtoresh sportive dhe kam besim se do ta arrij. Një objektiv që e kam peng nga sezoni i kaluar. Kemi afruar deri tani 7 lojtare cilësore, por akoma nuk i kemi bërë publike emrat e tyre”.
Më tej Aliu falënderon bashkinë për mbështetjen që i jep skuadrës së femrave: “Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre dhe një falënderim i veçantë shkon për kryetarin e Bashkisë së Gramshit, Besian Ajazi, që është shumë mbështetës i klubit të vajzave dhe është me ne në çdo moment. Kjo gjë na jep forcë për të punuar sa më shumë për klubin dhe qytetin”.
DËNIMI – Në fund nuk mund të mungonte edhe një koment në lidhje me dënimin prej 15 ndeshjes, të cilin e mori si “dhuratë” në fund-vit nga Komisioni i Disiplinës, për incidentet e ndodhura në ndeshjen kundër Partizanit.
“Për sa i përket dënimit, nuk asgjë e vërtetë nga ato që janë folur për ndeshjen tonë me Partizanin, pasi janë disa njerëz që i pengon suksesi im dhe ardhja ime në Shqipëri. S’kam çfarë të bëj, vetëm u them që ata duhet të punojnë më shumë se mua për të ardhur deri te arritjet e mia. Nuk i kam dhënë vëmendje këtij vendimi, sepse nuk asgjë e vërtetë. Të gjithë e dinë që duan të prishin imazhin tim dhe po tentojnë në këto lloj formash. Për mua personalisht është një sinjal i ziliqarëve, tashmë ata duhet ta dinë se Edonisa nuk ndikohet nga njerëz të tillë. Kjo është vepër e dy-tre personave në federatë, të cilët vetëm kaq kanë në dorë, të më dënojnë edhe atëherë kur unë s’kam të bëj fare me situata të tilla. Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje drejtuesve të federatës dhe në veçanti presidentit Armand Duka, i cili është kontribuuesi më i madh i zhvillimit të sportit më të madh në Shqipëri. I bëj thirrje të ndalë dorën dhe sjelljet preferenciale të këtyre 2-3 zyrtarëve të FSHF-së, pasi këta individë po shkatërrojnë futbollin e femrave në Shqipëri, të cilin presidenti Duka po e ndërton me shumë mund”, përfundon Aliu.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"