FUTBOLL/ 60 gola në 5 ndeshje, shpartallohen portat në kampionatin e femrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2023 | 11:40

FUTBOLL/ 60 gola në 5 ndeshje, shpartallohen portat në kampionatin e femrave

Kampionati kombëtar i futbollit për femra ka zhvilluar të shtunën dhe të dielën sfidat e javës së gjashtë. Si zakonisht edhe në këtë javë nuk kanë munguar goleadat, teksa janë regjistruar katër fitore dyshifrore, ndërsa janë shënuar gjithsej plot 60 gola në pesë takime.

superiore femra

Fitoren më të thellë e ka arritur Tirana, e cila është treguar e papërmbajtshme në transfertë ndaj Skënderbeut. Vajzat bardheblu të trajnerit Alpin Gallo kanë fituar me rezultatin 23-0, ndërsa kanë spikatur Vishkulli, Muja dhe Ago me një poker golash secila.

Tripleta për Behramin dhe Hasanin, Da Costa shënoi dopietë, ndërsa rrugën e rrjetës e gjetën edhe Metalla, Zarka e Cinaj. Kjo ishte fitorja e gjashtë në po kaq takime për Tiranën, që vijon ecurinë perfekte me pikë të plota në kampionat. Me pikë të plota marshon edhe Vllaznia, e cila këtë herë mundi Laçin me rezultatin 10-0.

Plot tetë gola në këtë takim mbajnë formën e Megi Doçit, ndërsa emrin në listën e golashënueseve e shkruajtën edhe Coka e Shala. Shkodranen mbeten gjithashtu edhe mbrojta më e mirë e kampionatit, me asnjë gol të pësuar.

Ndërkohë për tu veçuar në këtë takim ishte edhe një supergol i Doçit, i ardhur pas një koordinimi spektakolar fluturimthi me roveshatë në kufijtë e zonës, duke e stampuar topin në trekëndësh. Asnjë problem për Apoloninë, që shkatërroi Lushnjën në shtëpi në shifrat 13-0.

Protagonistja kryesore e triumfit të fierakeve ishte golashënuesja më e mirë e edicionit të kaluar, Valentina Troka, e cila e tundi rrjtën shtatë herë. Levenaj regjistroi dopietë, ndërsa Ukvuoma, Malaj, Ndoj dhe Tukaj realizuan nga një gol secila.

Sukses dyshifror arriti edhe Partizani, teksa të kuqet likuiduan Teutën me rezultatin 12-0 në takimin e zhvilluar në “Arenën e Demave”. Loci me tripletë, Radziseka me dopietë, si dhe Palaj, Bushi, Mile, Begallo, Xhabrahimi, Habili dhe Shahi ishin autoret e golave për skuadrën që drejtohet nga Aurora Serenaj.

Ndeshje më e rivalizuar e javës ishte ajo ndërmjet Gramshit dhe Kinostudios, takim i fituar me rezultatin 0-2 nga kryeqytetaset, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë. Baftia në të 63-ën dhe Ekzona Gashi në të 71-ën i dhanë suksesin ekipit që drejtohet nga trajneri Gëzim Gjonpalaj.

456465

ABDULLAH DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"