Fusha e Laçit i sjell fat, Egnatia nuk di të humbasë në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 21:03

Fusha e Laçit i sjell fat, Egnatia nuk di të humbasë në transfertë

Egnatia ndali serinë e fitoreve të Partizanit duke ruajtur kreun e klasifikimit, edhe pse nuk shkoi më shumë se një barazim 1 me 1. Rrogozhinasit kanë vijuar prej 2 ditësh përgatitjet për sfidën që do të kenë me Laçin në transfertë nesër, duke filluar nga ora 13:30.Trajneri Edlir Tetova së bashku me ndihmësin e tij Julian Brahja kanë kryer 2 seanca stërvitore taktike ku kryefjalë ishte disiplina në prapavijë.

laci-Egnatia

Edhe pse emrat nuk mungojnë në radhët e bardhejeshilëve, mbrojtja vijon të “fusë ujë” e për rrjedhojë ekipi pëson gol në çdo sfidë. Egnatia në këto katër takime të fazës së dytë ka një pikë më shumë krahasuar me fazën e parë, por ka pësuar në çdo 90- minutësh. Ekipi rrogozhinas jo vetëm që nuk është kompakt, por ajo që shqetëson është edhe numri i golave të shënuar krahasuar me fazën e parë. Kujtojmë që në katër takimet e para Egnatia kishte shënuar 9 gola, ndërsa këtë fazë ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm 5 herë dhe në takimin e radhës duhet të bëjë detyrën ndaj një Laçi solid në shtëpi, me kurbinasit që janë mposhtur vetëm nga Partizani në limite.

Trajneri Edlir Tetova i gëzohet faktit që për këtë duel do të ketë të gatshëm Abdurrahman Fangajn. Mbrojtësi i djathtë ishte i pezulluar për shkak kartonësh duke humbur sfidën me Partizanin. Ndërkohë, fituesit e Kupës së Shqipërisë do të bëjnë pa shërbimet e mesfushorit Donald Mëllugja. Ai u ndëshkua me karton të verdhë kundër Partizanit duke plotësuar kështu numrin e katër të tillëve dhe si pasojë nuk do të jetë i gatshëm për përballjen me Laçin. Të pamposhtur në transfertë Egnatia është e vetmja skuadër e cila nuk e ka provuar ende shijen e humbjeve në transfertë. Jo vetëm kaq, por Laçi nuk ka fituar kurrë me rrogozhinasit në shtëpi, sa u takon sfidave për llogari të kampionatit kombëtar.

Egnatia humbjen e fundit me Laçin e ka regjistruar 2 vite më parë në “Arena Egnatia” teksa u mposht me rezultatin 0-2. Në 5 takimet e fundit ekipi i Edlir Tetovës ka siguruar 4 fitore dhe një barazim. Kujtojmë që Egnatia pas 13 javësh kampionat ka grumbulluar 27 pikë dhe kryeson aktualisht tabelën e klasifikimit sëbashku me Partizanin. Krahasuar me një vit më parë klubi 89- vjeçar ka 10 pikë më shumë. Në sezonin 2022-2023, Egnatia në 13 takime kishte arritur 17 pikë, pas 4 fitoreve, 5 barazimeve dhe 4 humbjeve.

Këtë vit ka 4 fitore më shumë dhe 2 humbje më pak. Referuar këtyre shifrave bardhejeshilët janë në “shinat” e të qenit një ekip i destinuar për të synuar titullin në fund të sezonit. Për të arritur deri te trofeu më i lakmuar i futbollit shqiptar do të luhen edhe 23 javë kampionat plus edhe ndeshjeve të “Final 4”.

ISA HALILI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"