Frashëri: Më bindi Bizhdili, ky ekip është për Superiore
Besa prej ditësh vijon stërvitjen në qytetin e Ersekës me dy seanca në ditë. Të gjithë lojtarët janë tepër të angazhuar duke zbatuar me përpikmëri të gjitha udhëzimet e stafit drejtues. Ndryshe nga sezonet e kaluara,
Besa këtë vit, hyn me objektiva të tjera dhe kërkon ngjitjen në Superiore. Prandaj, presidenti Bizhdili ka afruar në ekip shumë lojtarë me emër, të cilët kanë luajtur në shumë ekipe në Superiore, por dhe në ekipe të huaja.
DEKLARATA – Një nga lojtarët që është afruar këtë sezon te Besa është dhe korçari Erlis Frashëri, i ardhur nga ekipi i Flamurtarit. Vetë mbrojtësi i Besës shprehet tepër entuziast për atë që po zhvillohet në ekip. Ai shprehet se kavajasit këtë sezon kanë një kontigjent lojtarësh tepër cilësore, ku afrimi i Mazrekajt, Goxhajt, Mëllugjës, Stafës dhe Oliverës bëjnë një grup që Besa të jetë pretendente kryesore për tu ngjitur një kategori më lart:
“Edhe pse dihet se do të jetë e vështirë pasi në këtë kampionat ka ekipe me emër si Flamurtari, Kukësi, Erzeni, Pogradeci dhe Vora. Edhe këto ekipe po si ne, kërkojnë ngjitjen në Superiore. Po të shikosh ekipet e Kategorisë së Parë, i ngjan shumë Superiores. Për të ardhur te Besa, më ka bindur stafi teknik dhe presidenca e këtij klubi. U binda dhe për projektin që ka ky ekip këtë sezon. Shpresoj që të jap më të mirën, që Besa sezonin e ardhshëm të luajë një kategori për sipër. Po stërvitem çdo ditë me ngarkesë të plotë për të pasur një gjendje të mirë fizike duke qenë gjithmonë pjesë e ekipit në çdo ndeshje”, përfundon prononcimin e tij për gazetën, mbrojtësi korçar Erlis Frashëri.
Sa i përket ekipit, në stërvitjen e djeshme nuk ka patur afrime të reja, ndërkohë sipas drejtuesve të klubit, sot pritet ndeshje miqësore me të rinjtë e Skënderbeut. Pritet të afrohen dhe lojtarët e përfolur, të cilët do të jenë në provë për trajnerin Josa.
KOÇO LILO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"