Formë fantastike te Barcelona, Rafinja kërkon… historinë
Rafinja shënoi ndaj Majorkës një dopietë të rëndësishme, e cila udhëhoqi katalanasit drejt fitores 5-1 përballë skuadrës së Vedat Muriqit. Ky dygolësh e çoi sulmuesin brazilian në kuotën e 36 golave me skuadrën e Hansi Flik dhe tashmë është vënë në kërkim të rekordeve sa u përket futbollistëve brazilianë me fanellën katalanase. Edhe pse në kohën e Ksavit shihej si një lojtar i padëshiruar, Rafinja është kthyer në një lojtar të rëndësishëm për Barcelonën e Flikut.
Ai i ka shprehur vazhdimisht dashurinë Barçës dhe dëshiron të qëndrojë gjatë, madje edhe të thyejë rekorde e të fitojë trofe. Me dygolëshin ndaj Majorkës, Rafinja kaloi në renditjen e golashënuesve më të mirë brazilianë te Barcelona, Xhovani Silvën.
Ky i fundit ka shënuar 35 gola, një më pak sesa Rafinja. Objektivi i radhës, është një legjendë braziliane, por Rafinja po lufton çdo ditë për t’u vendosur në arenën e emrave shumë të rëndësishëm brazilainë që ka pasur Barcelona gjatë historisë së saj. Romario ka shënuar 39 gola me Barcelonën, një rekord që duket lehtësisht i arritshëm për Rafinjën, i cili po kalon një formë fantastike dhe shënon vazhdimisht. Braziliani është futur në garë me emra legjendarë të katalanasve dhe përveç Romarios, përpara ka dhe emra shumë të rëndësishëm.
Pas Romarios, një shifër e arritshme shumë shpejt nëse çdo gjë shkon mirë, Rafinja synon të kapë Ronaldo Fenomenin me 47 gola të shënuar. Emrat e tjerë duken disi më larg dhe do t’i duhet pak kohë për t’i arritur. Bëhet fjalë për Ronaldinjon me 93 gola, Nejmarin dhe Evaristo me nga 105 dhe Rivaldon me 130 gola. Në rast se çdo gjë ecën me të njëjtin ritëm, Rafinja mund të bëhet ndoshta edhe braziliani që ka shënuar më shumë për Barcelonën.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)