“Flik kërkon t’i shtypim rivalët”, Dani Olmo: Dua titullin e La Liga-s dhe Championsin, Reali…
Dani Olmo ka qenë një nga dy afrimet e Barcelonës në merkaton e verës. Për shërbimet e mesfushorit të kombëtares spanjolle, klubi katalanas pagoi 55 milionë euro në arkat e Lajpcigut.Por kanë mjaftuar vetëm 45 minuta të tij në Madrid kundër Vajekanos për të kuptuar se shpenzimi ia ka vlejtur. Në debutimin e tij me Barcelonën, ai ka shënuar duke i dhënë fitoren skuadrës. Ndërkaq, ai ka dhënë një intervistë për “Mundo Deportivo”, ku ka folur për shumë tema, që nga mbërritja e tij te Barça e deri te synimet për trofe.
DANI OLMO TE BARÇA… Ishte një ëndërr për mua kthimi në Barcelonë. E doja vërtet dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu.
Ishin disa javë pritje deri në debutim. Si ndiheshit?
Në fakt nuk është një ndjesi e mirë për një futbollist të shohë shokët e tij në fushë dhe vetë nuk mund të ndihmojë. Dhe për më shumë për arsye që nuk kanë lidhje me futbollin. Mezi e kam pritur debutimin. Besoj ato dy javë pritje janë një histori e harruar.
Kundër Vajekanos u vu re se shokët e donin Dani Olmon në fushë. Së pari Levandovski, por edhe Lamine Jamal…
Kjo vlen dhe për mua, është reciproke. Edhe unë doja të luaja për Barçën me lojtarë si Jamal, Leva apo Pedri, për shembull. Por Lamine është i veçantë, sepse me të kam shkuar gjithnjë mirë në kombëtare. Jemi shumë të lidhur. Në Europian u pa bashkëpunimi i frytshëm mes nesh. Kjo u pa edhe në ndeshjen e parë kundër Vajekanos në golin e dytë tonin. Ishte Lamine që më dha topin. Le të shpresojmë të vazhdojmë t’u japim shumë gëzime tifozëve tanë.
Nuk është vetëm Barça që është përmirësuar. Edhe rivalët e mëdhenj, Reali, Atletiko janë përforcuar. Si e shihni garën?
Reali, Atletiko … do të jenë gjithmonë aty në garën për trofetë. Pra, në këtë kuptim, ne duhet të përqendrohemi te vetja. Ky është objektivi: të ecin përpara pak nga pak. Ne jemi një skuadër që dëshiron të përmirësohet çdo javë, çdo ndeshje, një skuadër që dëshiron të fitojë.
Në fund mund të kishte ardhur edhe Niko Uilliams…
Niko është një lojtar i madh. Në fund të fundit, këto janë gjëra që nuk varen nga unë. Mund të them vetëm që Niko është një lojtar i madh dhe i uroj atij më të mirën.
Fakti i nënshkrimit për Barçën mund t’u japë një shtysë mediatike, apo jo?
Po, në fund të fundit, Barça është media në të gjitha aspektet. Atëherë, gjithçka e mirë që bëni do të njihet. Por ekziston edhe efekti i kundërt, çdo gabim kalon në lupë.
Diçka për trajnerin Flik. Ju e njihni që nga koha kur ishit bashkë në Bundesligë. Çfarë mund të na thoni më shumë?
Ai është një trajner shumë i qartë, i afrueshëm, i cili është aty për t’i ndihmuar lojtarët ose për të shpjeguar çdo gjë që nevojitet. Dhe është shumë ambicioz, shumë ambicioz, ai kërkon të fitojë, kjo është e vetmja gjë që ai dhe stafi i tij duan.
Ai është gjerman edhe në aspektin futbollistik. Ai këmbëngul shumë për intensitetin, për pjesën fizike. A mund të jetë ky një ndryshim në dhomat e zhveshjes?
Po, është karakteristikë e ekipeve të tij. Ai dëshiron të dominojë 90 minutat, kërkon që ne të shtyjmë për 90 minuta. Dhe për këtë duhet të jemi mirë fizikisht. Mendoj se skuadra është në gjendje të plotë fizike për të bërë atë që na kërkon trajneri. Dëshira ime dhe shokëve është të fitojmë titullin në La Liga dhe Ligën e Kampioneve. Të shohim. Jemi vetëm në hapat e parë të sezonit. Rëndësi ka që t’i bëjmë hapat një e nga një.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"