Flamurtarit i ikën “truri” te Ballkani. Posti i drejtorit sportiv do të jetë kolegjial te vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2024 | 21:51

Flamurtarit i ikën “truri” te Ballkani. Posti i drejtorit sportiv do të jetë kolegjial te vlonjatët

Artim Pollozhani largohet nga Flamurtari. Ish-drejtori sportiv do të provojë një tjetër aventurë, pasi është emëruar trajner te Ballkani në Kosovë, duke zëvendësuar Ilir Dajën. Flamurtari nuk u bë aspak pengesë për drejtorin e klubit që nuk qëndroi më shumë se dy muaj në këtë detyrë.

pollozhani

Madje vetë Sinan Idrizi pranoi që Pollozhani të largohej, pasi do të përfitonte një pagë më të majme ne Kosovë. Vlen të theksohet se Pollozhani kishte dorë të lirë në merkato, madje ishte “truri” i saj. Të gjitha afrimet e këtij sezoni në Vlorë erdhën prej tij. Madje edhe trajneri Andrea Agostineli është një zgjedhje e Pollozhanit, pasi nuk arriti të sillte Jeton Beqirin, që është nën kontratë me Shkëndijën e Tetovës. 42-vjeçari Pollozhani ka qenë edhe kapiten i Flamurtarit.

Ai luajti me vlonjatët në sezonin 2017-2018, por strugani do të rikthehej në Vlorë sërish në gushtin e vitit 2019. Do të vinte përsëri si drejtues klubi, së bashku me Gerd Haxhiun, i cili do të ishte trajner. Por, si Pollozhani ashtu edhe Haxhiu do të largoheshin pas 9 ditësh nga prezantimi. Shkak i dorëheqjes u bë një lojtar, të cilin Idrizi e donte në skuadër, por ai nuk preferohej nga Haxhiu dhe Pollozhani. Në atë kohë, Idrizi u shpreh se në kushtin e panegociueshëm të trajnerit dhe drejtorit, ai zgjodhi lojtarin dhe largimin e tyre. Dhe si për koincidencë, Pollozhani largohet sërish pas vetëm pak kohe si drejtor i klubit, por ndryshe nga viti 2019, kësaj here ikën me konsensus të plotë dhe pas lë një skuadër të ngritur sipas dëshirës së tij.

PREZANTIMI – Sapo u larguar nga Vlora, Artin Pollozhani u prezantua te  Ballkani në Kosovës. Kampionët e Kosovës  e kanë uruar 42-vjeçarin për rikthimin në shtëpi. “Mirë se u ktheve në shtëpinë tënde, Artim Pollozhani! Është një nder dhe kënaqësi e madhe që të kemi si kryetrajner të ri të FC Ballkani. Përvoja dhe njohuritë e tua për klubin tonë janë një vlerë e shtuar, ku së bashku synojmë të ecim edhe më shumë drejt qëllimeve tona. Të urojmë një rifillim sa më të suksesshëm  në këtë rrugëtim të ri”, shprehet klubi i Ballkanit.

POSTI I DREJTORIT – Sinan Idrizi nuk ka ndërmend që të emërojë një drejtor të ri. Gjithçka konfirmohet për “Panorama Sport” nga burime pranë administratorit Idrizi. Posti i drejtorit sportiv do të jetë kolegjial. Ai do të ndahet mes Alfred Ferkos, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e sekretarit të përgjithshëm në klub, si dhe dy zv.trajnerëve, Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj. Kujtojmë, se përpara se Pollozhani të vinte në Vlorë, drejtor sportiv i klubit ka qenë Alfred Ferko. Tashmë me largimin e struganit, klubi vlonjat ka vendosur që të sjellë një risi duke e ndarë postin e drejtorit të klubit mes tre anëtarëve brenda familjes. Nga sot, Idrizi pritet që në këtë detyrë t’i besojë treshes Ferko-Liçaj-Ribaj.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"