Flamurtari përmbys Korabin, Agostineli: Fitore e rëndësishme. Canaj e ka me gjykimin: Nuk ia vlen të flasësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2024 | 13:27

Flamurtari përmbys Korabin, Agostineli: Fitore e rëndësishme. Canaj e ka me gjykimin: Nuk ia vlen të flasësh

Flamurtari nuk ndalet, ngjit me marsh të gjashtë majën e Korabit. Vlonjatët të pamposhtur edhe nga mbi 12 orë udhëtim për shkak të motit të përkeqësuar ndërsa mposhtën në Dibër, Korabin. Skuadra e Andrea Agostinelit fitoi me rezultatin 1-2 në një transfertë tejet të vështirë, sikundër është ajo e Peshkopisë, duke vijuar marshimin drejt kreut, një pikë larg Besës.

batha duke festuar ne korabi flam

Bregdetarët nuk e vendosën asnjë herë në diskutim fitoren, ndërsa dominuan krejtësisht takimin.

PJESA E PARË. Loja nis mirë nga të dy ekipet, por vlonjatët që në minutat e para hidhen në sulm duke rrezikuar me Markun, por Sina  largon rrezikun. Kapiteni Batha është shumë aktiv, ndërsa Fernando shqetësim konstant për vendasit në minutat e para të sfidës. Një gjuajtje e Reçit nuk vë aspak në vështirësi Kaloshin. Hasaj shërben për Mziun që gjendet në zonë, por Fernando largon rrezikun me kokë. Korabi ka një mundësi të artë për të zhbllokuar shifrat në minutën e 33-të, me Andonin, por topi largohet nga kapiteni Batha. Kur u duk sikur Flamurtari kishte marrë frenat e lojës në dorë, vjen edhe ndëshkimi, dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të pjesës së parë. Është Mziu që nga një goditje dënimi nga e djathta e dërgon topin ngjitur me shtyllën e dytë dhe 1-0. Kundërpërgjigjet Herald Marku që kërcënon vendasit. Batha përpiqet të avancojë në zonë, por e bllokojnë lojtarët e Korabit. Në fund të fraksionit të parë një minutë shtesë nuk do të sillte ndonjë ndryshim rezultati.

PJESA E DYTË. Flamurtari do ta niste me një ndryshim pjesën e dytë të lojës. Fernando do t’ia linte vendin Beqjas. Nga ana tjetër Korabi e starton me të njëjtën 11-she. Vlonjatët do të barazonin në minutën e 52. Pas një ndërhyrje të gabuar të një prej mbrojtësve dibran, Lata akordon 11-metërsh për Flamurtarin, që ekzekutohet saktë nga kapiteni Batha. Përpiqen të bëjnë diçka Andoni, Reçi apo edhe Taulant Marku, por pa rezultat. Nga ana tjetër është Trashi dhe Herald Marku që kërcënojnë, por vendësit kanë edhe një pretendim për një penallti, teksa zv.trajneri Donald Mziu ndëshkohet me të verdhë për protesta.

Loja ndizet edhe më shumë, ndërsa miqtë kundërsulmojnë me Bathën, H. Markun, Oshafin, por edhe Trashin. Pas barazimit, Flamurtari rrit sulmet dhe kërkon golin e dytë që do të vinte në minutën e 61-të. Ememe me një gjuajtje nga e djathta e dërgon topin drejt portës, aty kemi një pasiguri të Andonit që në tentativë për të larguar topin e shtynë përtej vijës fatale dhe e largon më tej. Gjyqtari akordon gol, ndonëse dibranët pretendojnë se topi nuk e ka kaluar vijën. Vlonjatët  kanë mundësi të shënojnë edhe të tretin me Bathën nga distanca. Më pas rrezikon Atanta, por grushton Qyrani. Në vijim kroson Trashi, por Paplekaj ndërhyn me kokë. Në fund janë vlonjatët që festojnë duke u rikthyer në Vlorë me fitoren e gjashtë radhazi.

KORABI-FLAMURTARI 1-2

GOLAT: Mziu 43’/Batha 52’ (11-m), Andoni 61’ (aut)

 Korabi: Qyrani, Paplekaj, Andoni, Hasaj (Shehu 66’), Kurti, Kryemadhi (Çema 81’), Sina, Mziu, Reçi (Buçi 61’), Peralta (Ndrejaj 81’), Marku; (Në dispozicion: Alla, Çomo, Halilaj, Stana). Trajner: Agim Canaj

 Flamurtari: Kaloshi, Alla, Bollanos, Atanda, Fernando (Beqja 46’), Diavara, H.Marku (P.Pjeshka 87’), Batha, Trashi, Oshafi, Ememe (Kacbufi 90’); (Në dispozicion: Qarri, Hasa, Murataj, Kobian, Selimi, Hoxhaj, Adem). Trajner: Andrea Agostineli

Kartonë të verdhë: Sina 33’, Paplekaj 38’, Andoni 50’, D.Mziu 55’, Peralta 78’/ Trashi 59’, Batha 65’,

Gjyqtarë: F.Lata (Durrës), E.Burgu (Fushë Krujë), G.Cenolli (Tiranë)

Vëzhgues: Prek Pjetrushi (Lezhë)

Delegat: Dritan Kadia (Tiranë)

Agostineli: Fitore e rëndësishme, të përmirësohemi edhe më shumë

Andrea Agostineli, trajneri i Flamurtarit thotë, se fitoren me Korabin e donte me çdo kusht. Pas ndeshjes, trajneri italian i Flamurtarit shprehet i lumtur për fitoren e gjashtë radhazi dhe tani kërkon nga ekipi vazhdimësinë e rezultateve pozitive. “Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne, pasi e kërkonim me çdo kusht. E arritëm dhe unë jam shumë i kënaqur për këtë gjë. I dinim fare mirë vështirësitë e kësaj ndeshje dhe ishim shumë të ndërgjegjshëm se çfarë na priste në Peshkopi. Një transfertë shumë e vështirë për Flamurtarin, por shkuam aty me respekt për kundërshtarin. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm të shikojmë përpara dhe të bëjmë më të mirën tonë. Duhet që të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të japim më të mirë në çdo takim”, u shpreh trajneri Agostineli për “Panorama Sport”. Trajneri menjëherë pas ndeshjes fluturoi nga Rinasi drejt Italisë, për të takuar familjen, duke shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit.

Pikante

Nga udhëtimi sfilitës te reagimi i vlonjatëve për bllokimin e filmimeve 

Pas deklaratës së Sinan Idrizit në “Panorama Sport”, i cili shpërtheu për mos transmetimin e ndeshjes, zyrtarët e ndeshjes Korabi-Flamurtari kanë vepruar me “dorë të hekurt”, pasi bllokuan regjistrimin e sfidës nga vetë klubi. Flamurtari reagoi për këtë situatë me një postim në faqen e klubit si në vijim: “Përpara ndeshjes FSHF dhe RTSH bllokojë regjistrimin dhe transmetimin e ndeshjes Korabi-Flamurtari në kanalet zyrtare të klubit. Për arsye burokratike delegati i ndeshjes nuk lejon vendosjen e kamerës as për regjistrimin e ndeshjes, e cila do të përdoret për analizë mbas ndeshje. Edhe në rastet kur RTSH dhe FSHF nuk transmetojnë ndeshjen, ekipit i hiqet e drejta për të informuar tifozerinë”.

Flamurtari i rraskapitur nga rruga e gjatë, por ia doli mban. Mbi 12 orë rrugë, por autobusi i skuadrës bllokohet për orë të tëra për shkak të rrëshqitjes së dherave në hyrje të Dibrës. Presidenti Sinan Idrizi nuk udhëtoi drejt Peshkopisë, por ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me stafin dhe lojtarët. Këta të fundit kanë pohuar se rruga ishte tepër e lodhshme. Megjithatë, moti i keq duket se u doli për mirë, teksa vlonjatët fituan në një transfertë të vështirë.

Dibranët

Canaj e ka me gjykimin: Nuk ia vlen të flasësh

Korabi ka harruar të fitojë në shtëpi, pasi në katër ndeshjet e luajtura në këtë sezon ka dy barazime 0-0, si dhe dy humbje. Agim Canaj, trajneri i Korabit nuk pranon të flasë pas ndeshjes me Flamurtarin. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri vlonjat i Korabit nuk dëshiron të bëjë polemika duke ruajtur etikën si një vlonjat dhe ish – trajner i Flamurtarit. Por dukej qartë se ishte i mërzitur me gjykimin.  “Nuk ia vlen të flasësh. Nuk mund të them as një gjë. Ajo që u bë normal, ishte futboll pastaj… nuk e di. Nuk dua të bëj komente dhe polemika me arbitrin. Unë merrem vetëm me gjëra brenda fushës së lojës”, përfundon Canaj.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"