Flamurtari gjen ritmin e pretendentit, Agostineli: Ndeshje e madhe, më kënaq reagimi i skuadrës
Flamurtari bind me lojë dhe me rezultat. Vlonjatët rikthehen, duke mundur Vorën në Vlorë me rezultatin e pastër 3-0, si dhe duke treguar “dhëmbët” për objektivin madhor, ngjitjen në Superiore. Vora e Arian Bellait nuk u duk gjëkundi dhe la Besën të udhëheqë e vetme
PJESA E PARË- Flamurtari e nis sfidën në mënyrën më të mirë. Vlonjatët e Andrea Agostineli janë në sulm dhe kanë dy mundësi me Markun dhe Oshafin. Flamurtari vijon kërcënimet. Vora has vështirësi në qarkullimin e topit. Allmuça dhe Trashi shfaqen shumë aktiv gjatë kësaj pjese të parë. Kasalla kërcënon portën vlonjate, por Frashëri bën detyrën. Trashi kroson në zonë, por Shehi largon me kokë. Në minutën e 26-të Vora ka mundësinë e një goditje nga këndi me Likën me një harkim të rrezikshëm në shtyllën e parë, por topi devijohet nga Marku.
Më pas, Batha kroson por Ruçi e zotëron pa vështirësi. Kobian ka një mundësi në hyrje të zonës, por e bllokon Ismaili. Në 15 minutat e fundit, loja shfaqet e ekuilibruar dhe të dyja skuadrat janë të vëmendshme në prapavijë. Vora detyrohet të bëjë shumë shpejt zëvendësimin e parë të detyruar në minutën e 35-të pasi Lika del i dëmtuar dhe zëvendësohet nga Ntepe. Në minutën e 38-të zhbllokohen shifrat. Allmuça rrafsh me tokën pason për Oshafin, që gjendet në vendin dhe momentin e duhur, duke mposhtur Ruçin, 1-0 për Flamurtarin. Allmuça provon nga distanca, por gabon. Shehi kroson, por Frashëri del i sigurt duke mos i dhënë mundësinë Ruzgis për të përfituar. Pjesa e parë mbyllet me fitoren 1-0 të Flamurtarit.
PJESA E DYTË – Në nisje të kësaj pjese, Allmuça përplaset këmbë në këmbë me Imamin, ndërsa futbollisti i kuqezinjve del me barelë nga fusha për t’ia lënë vendin Paulo Pjeshkës. Flamurtari luan më mirë në këto minuta. Dajan Shehi përpiqet të bëjë gjithçka vetë, por Stivi Frashëri pret pa probleme. Në minutën e 66-të Marku shërben për Ememe që ka një mundësi shumë e mirë, por mbyllet nga Imami. Paulo Pjeshka kroson nga këndi, por grushton portieri. Në minutën e 73-të, do të vinte edhe goli i dytë. Gjuajtja e Trashi nuk zotërohet si duhet nga portieri Ruçi dhe aty afër përfiton Ememe, i cili e dërgon topin në rrjetë dhe 2-0 për kuqezinjtë.
Minuta e 76-të sjellë rastin e parë të rrezikshëm për Vorën. Goli i tretë për Flamurtarin erdhi në minutën e 81-të. Trashi nga e majta shërben në të djathtë dhe brenda zonës në pozicion diagonal kapiteni Pjeshka kërcen mbi vorakët dhe shënon, 3-0. Minutat e mbetura duken thjeshtë një formalitet. Minuta 84 sjell ndryshime në fushën e lojës. Murataj do të debutonte duke lënë kështu pas dëmtimin e duke zëvendësuar Markun, ndërsa Diavara do t’i linte vendin Allës. Në aksion Vora, me Kasallën që pason për Vrapin, por e ndal traversa. Në minutën e 90-të, Murataj ka një shans për të katërfishuar shifrat teksa çon një top ngjitur me shtyllën e majtë. Tre minuta shtesë në fund nuk do të sillnin asnjë ndryshim, ku Flamurtari mori një fitore të rëndësishme dhe që i qetëson.
FLAMURTARI – VORA 3 – 0
GOLAT: Oshafi 38’, Ememe 73’, D.Pjeshka 81’
FLAMURTARI: Frashëri, Trashi, D.Pjeshka, Atanda, Bolanos, Allmuça (P.Pjeshka 51’), Diavara (Alla 85’), Marku (Murataj 84’), Batha, Oshafi, Kobian (Ememe 59’); (Në dispozicion: Kaloshi, Kacbufi, Selimi, Hoxhaj, Fernando, Adem). Trajner: Andrea Agostineli
VORA: Ruçi, Geci, Imami (Vrapi 76’), Shehi, Ismaili, Tabaku, Sefa, Lika (Ntepe 35’), Kasalla, Ruzgis (Nikiqi 69’), Aneni; (Në dispozicion: Jata, Marinaj, Dalipi, Hasrama, Avdiu, Rushiti). Trajner: Arian Bellai
Kartonë të verdhë: P.Pjeshka 88’/Ismaili 19’, Zjarri 42’, Tabaku 77’
Gjyqtarë: D.Vrapi, A.Zalla, H.Lisaku (Tiranë)/ VAR: A.Koçi (Durrës), O.Yzeiraj (Patos)
Delegat: Alban Tafaj (Tiranë)
Vëzhgues: Agim Guçe (Lushnje)
Agostineli: Ndeshje e madhe, më kënaq reagimi i skuadrës
Andrea Agostineli, trajneri i Flamurtarit, mbeti i kënaqur me fitoren dhe lojën. Për “Panorama Sport”, ai nuk e fshehu aspak gëzimin, teksa theksoi se skuadra e tij ka bërë një ndeshje te madhe dhe mori një fitore të merituar. “Kemi bërë një ndeshje të madhe. Ishte një takim shumë i bukur. Djemtë kanë meritë të veçantë dhe unë i falënderoj shumë. E dinim që nuk do ta kishim të vështirë. Vora është një skuadër pretendente ashtu si edhe ne dhe kjo ishte një fitore më se e merituar.
Më vjen keq për dëmtimin e Allmuçës, pasi është një futbollist shumë i rëndësishëm dhe luajti shumë mirë. Patëm shumë raste në këtë ndeshje dhe më kënaq ky reagim i skuadrës. Normalisht që kemi pasur dëmtime dhe mungesa. Shkurtaj ishte i sëmurë. Më vjen mirë që u aktivizua Murataj dhe nuk pati probleme. Kam lojtarë me eksperiencë në fushë”, u shpreh trajneri Agostineli.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"