“Flamurtari fiton”, Agostineli nuk pyet për presion: E vështirë, vetëm nëse ia bëjmë vetes
Flamurtari kërkon sot kthesën urgjente kundër Erzenit. Kuqezinjtë udhëtojnë drejt Shijakut vetëm për fitore, pasi çdo rezultat tjetër do të komplikonte edhe më shumë situatën.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Andrea Agostineli tha se ndihet në presion në çdo ndeshje, si çdo teknik tjetër. Italiani thekson, se skuadra ka punuar këto ditë për të rregulluar problematikat e shfaqura në ndeshjen me Burrelin.
Në takimin e sotëm përballë Erzenit, Agostineli pret nga futbollistët që të kenë ritëm dhe të tregojnë karakter në fushën e lojës. Shpreson në rikthimin e shpejtë të lojtarëve të dëmtuar dhe me probleme si: Murataj, Bollanos dhe Alla. Italiani thekson se ky kampionat mund të quhet i vështirë, nëse Flamurtari e ndërlikon vetë situatën.
Agostineli, pas humbjes në ndeshjen e parë me Burrelin, a jeni nën presion?
Të tregohem i sinqertë, ne trajnerët jemi nën presion çdo ndeshje. Kjo është pjesë e punës sonë që kemi me skuadrat. Prandaj, na duhet që së bashku me ekipi si ne trajnerët ashtu edhe të gjithë bashkë duhet të punojmë maksimalisht dhe me seriozitetin që na karakterizon për të arritur më të mirën për skuadrën.
Si është përgatitur skuadra për ndeshjen e radhës?
Kemi punuar me përkushtim. Gjatë këtyre ditëve, që kemi pasur në dispozicion, jemi përpjekur të rregullojnë edhe ato problematikat e ndeshjes së parë. Kemi bërë maksimumin në stërvitje për t’u përmirësuar sa më shumë. Dua të them se ajo që humbëm, ishte ndeshja e parë dhe duhet të shërbejë si një mësim për të gjithë ne. Jemi në fillim dhe nuk mund të vendoset gjithçka nga një ndeshje, ka shumë punë përpara.
Çfarë prisni nga skuadra në ndeshjen me Erzenin?
Unë pres nga lojtarët që të tregojnë karakter në fushën e lojës. Gjithashtu, do të doja prej tyre ritëm, volum dhe intensitet loje. Të tregojnë veten e tyre, pasi të gjithë janë lojtarë profesionistë dhe të kontribuojnë maksimalisht për skuadrën. Ne duhet të luajmë me ide të qarta, por edhe në mënyrë të thjeshtë njëkohësisht.
Të paktën tre futbollistë të rëndësishëm janë të dëmtuar. Ju shqetëson kjo gjë?
Patjetër që janë lojtarë të rëndësishëm, por unë besoj se së shpejti do t’i kem të gjithë gati.
E shikoni të vështirë Kategorinë e Parë?
Unë them se është e vështirë nëse e bëjmë ne të vështirë. Është një kampionat ku duhet vlerësuar maksimalisht çdo ndeshje. Nuk duhet të gabojmë, pasi ia ndërlikojmë vetes pastaj.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"