“Flamurtari e mund Elbasanin, ka 50 % shanse për ngjitjen”, Fjodor Xhafa: Urime verdhebluve dhe trajnerit Dede

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 11:34

“Flamurtari e mund Elbasanin, ka 50 % shanse për ngjitjen”, Fjodor Xhafa: Urime verdhebluve dhe trajnerit Dede

F jodor Xhafa kërkon t’i prishë festën Elbasan it. Ish-sulmuesi i njohur vlonjat, që dikur ka mbajtur veshur ngjyrat e qytetit të ballokumeve, të dielën do të jetë me ADN-në. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Xhafa thotë se me trajnerin Nevil Dede dhe me të gjithë stafin teknik në Elbasanit ka luajtur dhe ka miqësi, por kërkon fitoren e Flamurtarit.

fjodor-xhafa

Sa i përket ngjitjes në Superiore përmes “play off”-it, Xhafa i shikon shanset të barabarta, ndërsa thotë se finalet janë të shëmtuara dhe se fiton ai që është më racional.

Fjodor, fitore me Vorën, por duket se në një moment u vu në diskutim. Çfarë ndodhi?

Në situatën që jemi, e rëndësishme është të arrijmë te mentaliteti i fitores përsëri, pasi patëm pak luhatje kohët e fundit. Kështu që, është e rëndësishme edhe thjesht fitorja. Të mos harrojmë që edhe Vora, pavarësisht se ka pasur probleme kohët e fundit, është një ekip i investuar dhe që kishte objektiva madhorë për këtë sezon.

Çfarë ka sjellë trajneri Memushi te ky Flamurtar?

Ekipit iu desh kohë që të përshtatej me idetë e tij. Pati një ndikim pozitiv në fillim, por është edhe pjesa psikologjike që ndikoi tek ekipi, pasi nuk ishin më aq të thjeshta objektivat për t’u arritur me kalimin e javëve. Mendoj se ndoshta ndikoi pak edhe pjesa psikologjike.

Sa të vështirë e shikoni ngjitjen përmes “play off”-it?

E vështirë ka qenë edhe me ekipe të dobëta dhe jo më me ekipe që militojnë në Superiore. Është ndeshje me specifikë të veçantë. Më shumë është si një finale. Në përgjithësi ne i kemi parë edhe në finalet e mëdha si të Champions-it, Kupës së Botës, apo Kampionatit Europian, finalet janë ndeshje të shëmtuara. Janë ndeshje që duhet të jesh i kujdesshëm dhe nuk fiton gjithmonë ai që është më i zoti, por fiton ai që është më racional dhe që bën më pak gabime.

Sa i ka mundësitë Flamurtari për t’u ngjitur në Superiore?

Mundësitë janë, por është edhe pak punë fati. Për mua janë 50 me 50. Është specifika e tillë.

Të dielën luhet me Elbasanin në Vlorë. Ju jeni një lojtar që keni luajtur në këtë skuadër, si ndiheni për ngjitjen?

Uroj Elbasanin, si dhe trajnerin Nevil Dede për arritjen e objektivit madhor, ngjitjen në Superiore. Por, këtu ne bëjmë llogaritë tona. Na vjen keq, por duhet të mendojmë që t’jua prishim festën.

Pavarësisht se keni luajtur edhe me Elbasanin, thoni se tifo do të bëni me Flamurtarin…

Kjo është një pyetje që nuk ka nevojë për përgjigje.

Keni të njohur apo keni miq tek Elbasani aktualisht?

Pyetja do të ishte keni të panjohur, jo të njohur. (qesh). Pak a shumë i njoh të gjithë. Në staf janë të gjithë ish-lojtarët që unë kam luajtur.

Javën tjetër shkoni në Ballsh, ju keni luajtur edhe aty. Edhe Bylisi është ngjitur, keni një koment?

Qoftë me Elbasanin, qoftë me Bylisin, është përsëri e njëjta situatë. I uroj për arritjen e objektivit madhor. Edhe në kushte normale ne hyjmë për të fituar. Por ndodh gjithmonë që ekipet që kanë arritur objektivat të kenë një farë euforie apo nënvlerësimi, apo nuk e kanë më karikimin apo motivimin e duhur për përballimin e një ndeshje, aq më tepër me një kundërshtar si Flamurtari.

Mes tri ekipeve, Flamurtari, Elbasanit dhe Bylisit, kë  dëshironit në fillim  në dyshen e ngjitjes direkt?

Flamurtari është ADN-ja. Me Elbasanin dhe Bylisin, kam dhënë djersën dhe gjakun në fushë kur kam luajtur. Kam dhënë maksimumin edhe kundër Flamurtarit. Ama, Flamurtari është pjesë e ADN-së.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"