“Fitorja në Vlorë, aspak rastësi”, kapiteni Çaço premton emocione: Mundim Korabin dhe blindojmë vendin e 4-t

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2023 | 21:10

“Fitorja në Vlorë, aspak rastësi”, kapiteni Çaço premton emocione: Mundim Korabin dhe blindojmë vendin e 4-t

Tomori di të befasojë. Kështu veproi edhe në Vlorë, duke mundur Flamurtarin. Skuadra që vazhdon të ketë luhatje në shtëpi, në transferta surprizon dhe merr vendin e katërt. E megjithatë, beratasit nuk kanë në plan që ta lënë me kaq.

ervis-caco-665x400

Është kapiteni Ervis Çaço që premton një fundkampionat të mbushur me emocione, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”.

“E kishim deklaruar përpara ndeshjes, që do të luanim për dy rezultate. Me këtë mision zbritëm në fushë dhe me seriozitet e përqendrim morëm çka deshëm. Fitorja nuk ishte aspak e rastësishme, për aq sa skuadra luajti me një shpirt të lartë gare. Shfaqëm karakter dhe personalitet të fortë dhe besuar deri në fund që mund t’ia dilnim të mos dilnim pa pikë. Si kapiten më duhet të falënderoj të gjithë djemtë për profesionalizmin e treguar.

Jemi të bindur se i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë një fundkampionati me sa më shumë emocione. Është një detyrim që kemi ndaj klubit, bashkisë dhe tifozëve për mbështetjen që na japin. Tani duhet të punojmë për ‘finalen’ e vogël.

Do të luajmë me Korabin dhe kemi shansin që të blindojmë vendin e katërt njëherë e mirë. Fitorja në Vlorë nuk do të vlente pa pikët e plota me dibranët në fushën tonë”, ka mbyllur lojtari i linjës së djathtë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"