“Fitorja na shpëton, kapërcejmë krizën në Lushnjë”, Dovedan: Kjo është një finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2023 | 10:37

“Fitorja na shpëton, kapërcejmë krizën në Lushnjë”, Dovedan: Kjo është një finale

Apolonia kërkon që t’i japë “shkelm in” krizës. Dhe për të arritur këtë do të shfrytëzojnë derbin. Fierakët janë gati për të zbritur sot në “Roza Haxhiu”, madje me forca të plota. Mesfushori Stafano Omeri dhe sulmuesi Mario Gjata janë rikuperuar dhe pritet që ta nisin si titullarë. I bindur për kthesën është edhe Veljko Dovedan, ndonëse nuk e fsheh mërzinë për rezultatet e javëve të fundit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri paralajmëron se ringritja është pak orë larg. Ai beson se karakteri dhe forca që lojtarët e tij kanë, është “bonusi” më i madh që kanë për të kapërcyer këtë situatë.

DOVEDAN

Apolonia ka dalë nga “shinat”, veçanërisht pas barazimit të dytë radhazi në shtëpi. Çfarë po ndodh?

Nuk mund ta fsheh dot mërzinë për dy pikët e lëna përballë Besës. E njëjta gjë ndodhi edhe me Korabin, ku ishim aq afër fitores, por në fund pësuam një gol krejtësisht të evitueshëm. Ndaj Besës patëm mjaftueshëm raste për të shënuar, por shpërdoruam. Katër pikë të lëna në shtëpi janë shumë, sidomos në situatën ku jemi, por Apolonia di dhe do t’u bëjë ballë sfidave të ardhshme.

Çfarë duhet të bëni që kjo situatë të ndryshojë rrënjësisht?

Thjesht dhe vetëm të fokusohemi te ndeshja e radhës. Nuk mund të mendojmë afatgjatë, sidomos në Kategorinë e Parë. Renditja ndryshon nga java në javë, edhe Apolonia do të ringrihet nga ndeshja në ndeshje. Besoj shumë te luftëtarët e mi, të cilët kanë dhe do të tregojnë gjithmonë karakter të fortë. Uroj shumë që çdo gjë futbollistët tanë ta zgjidhin me mençuri.

Si është gjendja e skuadrës para Lushnjës?

Gjendja jonë mendoj që është e mirë, ne kemi punuar të qetë dhe me shumë dëshirë. Gjithashtu analizat pas çdo ndeshjeje po na shërbejnë shumë që t’i kemi gjërat e qarta, madje edhe kur gabojmë. Mësojmë nga gabimet tona sepse vetëm kështu rritemi.

A janë gati Omeri me Gjatën?

Për fat të mirë edhe grupi i lojtarëve fierakë është i plotë, kështu që nuk do të kemi asnjë mungesë. Jemi gati për këtë sfidë të rëndësishme prandaj do të tregojmë forcën tonë.

Kur dihet që luani me rival direkt për mbijetesën dhe mbi të gjitha transfertë, do të mjaftonte një barazim?

Asnjëri prej nesh nuk e mohon dot që Lushnja ka një ekip të mirë dhe me lojtarë cilësorë. Vlerësimi për kundërshtarin është maksimal, ne kemi vendosur që të gjitha ndeshjet do t’i quajmë finale. E tillë është edhe kjo, prandaj do të synojmë maksimumin e pikëve. Në këtë moment të vështirë, fitorja është shpëtimi i vetëm i Apolonisë.

Transfertat vijojnë të jenë problem për fierakët. Mendoni se ndikon nga ana psikologjike ky fakt?

Në Lushnjë është një ambient elektrizues për të luajtur një ndeshje të rëndësishme, siç është i ashtuquajturi derbi. Nuk kam asgjë për të shtuar, veçse di të them që do të flasim shumë mirë në fushën e blertë. Do të jetë një sfidë force dhe njëkohësisht shtysë e madhe për ne të gjithë që të japim më shumë se 100% nga vetja jonë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"