Fitorja me Apoloninë, trajneri Canaj: Bëmë mirë, më kënaqin golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2024 | 22:15

Fitorja me Apoloninë, trajneri Canaj: Bëmë mirë, më kënaqin golat

Ditën e premte u zhvillua një test miqësor midis Korabit dhe Apolonisë. Ajo ndeshje miqësore perfundoi 3-1 për dibranet, që arritën të fitojnë dhe të administrojnë lojën përballë një Apolonie me mjaft mungesa titullarësh si shkak i një viroze që kishte prekur disa lojtarë.

agim canaj

Pas kësaj miqësoreje të përfunduar me sukses për ekipin e kuq, ka folur për “Panorama Sport” trajneri i Korabit, Agim Canaj. Ai shprehet i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij dhe për tre golat e shënuar.

“Planifikuam këtë ndeshje miqësore për të parë gjendjen aktuale të lojtarëve pas disa ditë stërvitjeje në fazën përgatitore që po e zhvillojmë në Peshkopi. Them se jo vetëm rezultati, por nga mënyra e organizimit dhe interpretimit të lojës jam i kënaqur pjesërisht, pasi e mira nuk ka fund. Por për atë që kërkuam për nivelin, them se kemi bërë mirë, pasi shënuam tre gola. Në fazën ofensive kemi pasur probleme, por këtë ndeshje skuadra u përgjigj mirë dhe shënoi tre gola.

Kjo fitore është pozitive për ekipin. Shpresoj të na rikuperohen dhe 2-3 lojtarët e dëmtuar, pasi kemi pasur disa dëmtime. Paplekaj ka lëndim, na u dëmtua dhe Shehu. Shpresoj të rikuperohen sa më shpejt që të plotësohet grupi. Po përzgjedhim dhe disa lojtarë të rinj, që i kemi në pikësynimet tona për t’i bashkangjitur grupit, kështu që deri më datën 24 gusht që fillon kampionati, të jemi ekipi i formatuar e i kompletuar”, përfundoi Canaj, që u vendos në krye të dibranëve pas largimit të Shpend Kumbarçes.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"