Firmos Renato Hyshmeri, pritet edhe një nigerian
Renato Hyshmeri, mesfushori elbasanas, ashtu siç edhe ishte bërë e ditur një ditë më parë, ka nënshkruar dje një kontratë 2- vjeçare me Bylisin. Pas largimit nga skuadra kryeqytetase, Tirana, Hyshmeri ka zgjedhur skuadrën ballshiote për të vijuar më tej karrierën e tij si futbollist. Ai i është bashkuar dje në stërvitje skuadrës së tij të re.
Ky është një tjetër afrim cilësor nga ana e drejtuesve ballshiotë, pas afrimeve të Peposhit, Zylyftarit, Gavës, Toçit dhe Papës. Ndërkohë që drejtuesit e Bylisit duket se nuk kanë ndër mend të ndalen në këtë merkato, ndërsa kërkojnë ndërtimin e një skuadre pretendente për sezonin e ri. Kështu, një tjetër lojtar që mund të nënshkruajë për ballshiotët është edhe nigeriani me pasaportë franceze, Emmanuel Mbella, i cili vijon të stërvitet me këtë skuadër. Ai pritet që të firmosë në ditët në vijim.
Përgatiti: R.Gremi













