“Final 4” dhe Kupa, Refik Halili ka dy kushte për Tiranën këtë sezon
Presidenti Refik Halili dhe drejtuesit e klu bit ka qenë të qartë me ekipin, trajnerin dhe lojtarët. Edhe pse janë një grup i ri dhe u duhet pak kohë për t’u kolauduar, duhet të plotësojnë objektivin që ka vendosur klubi.
Objektivi i parë është që të kualifikohen në “Final 4” dhe të luftojnë për finalen e Kupës së Shqipërisë, që nuk e arritën vjet. Ky është qëllimi i skuadrës bardheblu në sezonin 2024- 2025. Presidenti Refik Halili, i cili prej kohësh nuk shfaqet në publik, ua ka bërë të qartë lojtarëve dhe trajnerit, se një nga arsyet që shkriu ekipin e vjetshëm ishte mosarritja e objektivit, ndonëse klubi investoi shumë para. Në këto kushte, në këtë sezon të ri, nga skuadra e re, kërkohen rezultate.
Një dështim i dytë në “Final 4”, nuk mund të pranohet nga klubi. Edhe tifozët nuk durojnë dot një zgjatje kaq të madhe të mungesës së rezultateve. Nga ana tjetër, trajneri Bledi Shkëmbi është i bindur që gjërat do të shkojnë mbarë dhe objekti i skuadrës është të kualifikohet në “Final 4”. Një arritje që vjet nuk u plotësua. Tani kjo Tiranë mbetet për t’u zbuluar. Do të shohim që në fillim një Tiranë që shkëlqen apo një skuadër që rritet ditaditës. Fakt është që bardhebluve do t’u duhet kohë.
Drejtori Agim Ibraimi dhe zyrtarë të tjerë të skuadrës kanë planifikuar se ekipi i vërtetë do të shihet në janar. Në bisedimet që ai ka bërë me drejtuesit e skuadrës, më saktë me presidentin Refik Halili, drejtori ka shfaqur bindjen se skuadra do të jetë ajo që duhet vetëm në janar. Sipas tij, ekipi është i ri dhe i duhet kohë që të konsolidohet. Ekipi do të shihet në janar 2025. Duhet pranuar se skuadra ka larguar mbi 13 lojtarë dhe ka afruar 14 futbollistë të tjerë. Një lëvizje e madhe që kërkon kohë për të pjekur ekipin e ri.
TROFETË – Pas titullit të 2022-it, Superkupës, Tirana nuk ia ka dalë dot që të marrë trofe. Sezonin e fundit doli e pesta në kampionat, ndërsa nuk u kualifikua në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi u eliminua nga Kukësi i vendit të fundit. Në sezonin 2022- 2023 humbi kampionatin dhe finalen e Kupës së Shqipërisë mes polemikave të mëdha për atë ndeshje me Bylisin në Rrogozhinë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"